Përpjekjet për një qendër sabotazhi në Greqi
Arkiva
Riorganizimi i Shërbimit Sekret Britanik në Ballkan dhe krijimi Zyrës së Stambollit për çështjet shqiptare. Për çfarë informacionësh ishte i interesuar Shërbimi i Inteligjencës Britanike në lidhje me Shqipërinë?
Me ndryshimet që po pësonte politika britanike në Ballkan, u pa e arsyeshme se edhe Shërbimet Inteligjente duhej të ndryshonin mënyrën e operimit në Rajon. Për anglezët tashmë nuk ishte e fshehtë që trupat gjermane do të përpiqeshin për të marrë Jugosllavinë në mënyrë që të ruanin krahet dhe prapashpinën e tyre në rastin e një sulmi në Lindje. Në këtë mënyrë Shërbimi Britanik u mundua t'i paraprinte një eventualiteti të tillë. Në dokumentin PRO HS5/217, Top Secret, titulluar "Memorandumi i Riorganizimit të Aktivitetit të Sektori D, Stamboll 1940", del qartë se Sektori D i Jugosllavisë u vendos nën komanden e Zyrës së SOE në Stamboll. Tashmë operacioni i pregatitur nga Zyra e Beogradit për infiltrimin e agjentëve shqiptarë do të organizohej në bashkepunim të ngushtë me Zyrën e Stambollit e cila pas pushtimit gjerman të Jugosllavisë do të ishte edhe Zyra kryesore e operacioneve në Shqipëri.
Po kështu, në Qershor 1940, Sektori D/SOE u bashkua me Zyrën Sekrete Ushtarake MIR duke i dhënë fushë të lirë organizatës së SOE të sapoformuar edhe në aspektin e luftës jokonvencionale. Riorganizimi i Shërbimit Anglez duke i dhënë dorë të lirë SOE në çështjet ballkanike, tregon se anglezët do të luftonin me të gjitha mënyrat ushtritë gjermane në Ballkan, duke përfshirë edhe ato jokonvencionale. Me krijimin e Zyrës së Stambollit aktiviteti i rrjetit të krijuar për Shqipërinë filloi të funksionontë rregullisht por duke mos pasur mundësinë dhe afërsinë që i krijonte territori jugosllav, ky rrjet filloi një rekrutim për të siguruar korrierët që do të përdoreshin për përcjelljen e informacionit. Zyrës së Stambollit ju shtua edhe një personazh i cili e njihte Shqipërinë mjaft mirë, një personazh i cili gjithsesi do të ndikonte jo pak në disa prej dështimeve dhe sukseseve të rrjetit të Shqipërisë.
Margaret Hasluck për të cilën do të flasim në shkrimet që do të vijojnë do të fillonte të rekrutonte një sëre të rinjsh shqiptarë apo edhe nacionalistë të larguar me Zogun, të cilët të mbetur në territorin neutral të Turqisë mund të përdoreshin për qëllime spiunazhi.
Por për çfarë ishte e interesuar Zyra e SOE në Stamboll? Dokumentat e mëposhtme do të japin një përshkrim më të qartë të disa prej informacioneve që britanikët mblidhnin me ndihmën e rrjetit të sapoformuar të shqiptarëve të gjendur në Stamboll apo atyre të rekrutuar në Shqipëri.
318/29/25EH/13
Stamboll 1 Shtator 1941
Për S.O.EKajro (DPAb)
Kopje për S.O.ELondonNga D/H 29
Rekrutimi Shqiptar
E jotja 1.Alb/1/DH274/6 e Gushtit 16-të paragrafi 1.
I kerkova A/H 78 të mblidhte në veçanti të nënvizuarën në seksionin (a) për çdo rekrutim të mundshëm.
A/H 78 thotë së Shqipëria kishte pasur një Forcë Ajrore të vetën, e përbërë nga 4 avionë që prej 1924 e deri më 1928 me pilotë shqiptarë dhe instruktorë gjermanë. Pasi të gjithë avionët ishin përplasur dhe rrëzuar nuk u blenë më avionë të rinj. Dajci ishte një prej ketyre pilotëve.
A/H 78 mendon se mundet që Dajci të ketë mësuar për rekrutimin nëpërmjet Cungut (emrin e të cilit e keqshqiptova në memorandumin Nr 307/29/25) nga Andoni, por ai thotë që nëse është kështu nuk ka problem, pasi si Andoni si Cungu janë shqiptarë të mirë dhe nuk do të keqpërdoronin këtë informacion në vende të rrezikshme. Ai thotë se Dajci kishte shkuar vullnetarisht në "Konsullatën Britanike" muaj më parë por i ishte thënë se instruksionet për këtë rast duheshin pritur. Por deri më tani nuk kishte pasur përgjigje.
Pasi dërgova Memon numër 263/29/25 u kujtova se "Taurus" nuk kaloi nëpërmjet Iskanderumit por nuk është e pamundur që Dajci të mos kishte qenë në një prej stacioneve si psh në Adana kur treni kaloi. Sygjerimi i Juaj është më i mundshëm.
D/H 29
Raport për Agjentin A/H 76
Zona e aktivitetit, Peza
Në mbasditen e Nëntorit të 28, një demonstratë e madhe u zhvillua në Tiranë. U fillua nga të Rinjtë, por në të njëjtën kohë dy banda të armatosura, supozuar se janë të organizatës së A/H 76, u futën në qytet dhe luftuan deri në mesnatë. Popullsia pret raprezalje por deri më 30 Nëndor kur informatori la Tiranën nuk kishte ndodhur asgjë.
Si hakmarrje për hyrjen e bandave në Tiranë. Italianët dy tre ditë me pas sulmuan 7 fshatra në zonën e Pezës me aviacion dhe i dogjën ato. Ka raporte se një demonstrim i tillë u bë si në Korçë edhe në Vlorë në të njëjtën kohë.
Më 15 Nëndor, një bandë e A/H 76 sulmoi një grup italianësh në Qafë Krrabë midis Tiranës dhe Elbasanit.
Dy oficerë italianë dhe 15 ushtarë u vranë si dhe 7 anëtarë të bandës. Ndër këta të 7, dy ishin të rinj malazezë që mendohej se kishin ardhur në Shqipëri me Mision.
A/H 76 ka tashmë rreth 400 vetë të ndarë në banda të vogla. Ndër to janë edhe 6 oficerë shqiptarë nga lista e të pezulluarve si dhe mendohet së janë edhe 2 oficerë jugosllavë. Ai vazhdon të jetë mjaft aktiv dhe italianët kanë filluar të jenë shumë të vendosur për ta kapur atë. A/H 78 mendon së A/H 76 po bëhet i pakujdesshëm si dhe ka filluar të pijë.
Raporti i A/H 75 dhe i A/H 137
Miku oficer i A/H 78-s në Tiranë ka marrë mesazh nga A/H 75 dhe A/H 137. A/H 75 raporton se delegatë nga bandat partizane kanë ardhur tek ai nga Jugosllavia si dhe A/H 137 thotë se komunistë delegatë nga Greqia e kanë takuar atë. Komunistët kanë ofruar ndihmë të madhe por udhëheqësit shqiptarë kanë refuzuar ta pranojnë atë. Ata po marrin mbështetje të madhe në popull dhe mendojnë se meqenëse nuk ka simpati për komunistët në popull, ata do të humbin mbështetjen nëse e pranojnë këtë ndihmë për të bashkëpunuar me komunistët jugosllavë dhe ata greke. A/H 75 ke pyetur miqtë e tij për këtë bashkëpunim megjithësë ai vetë është kundër këtij bashkëpunimi. Raportohet se një prej delegatëve që takuan A/H 75 ishte oficer Rus. A/H 75 pretendon se ka kontakte të mira me A/H 31 (agjent i shërbimit jugosllav).
Të përgjithshme
Në amnistinë e fundit të ofruar nga italianët për të gjithë ata që janë në male, një numër i konsiderueshëm burrash nga Dibra dhe Mati u dorëzuan. Por pas disa ditësh janë arrestuar.
Është ndërtuar një aerodrom i ri në Dibër jo shumë larg qytetit.
Përveç 4 garnizoneve kryesore të përmendura në memon time të 413/29/25 më 8 Dhjetor, janë gjithashtu garnizone të mëdha në Durrës, Prizren dhe Dibër.
Një numër i madh rekrutësh për ushtrinë janë kërkuar të paraqiten pranë autoriteteve.
Dy burgje të mëdha janë ndërtuar në Tiranë. Njëri është afër burgut të vjetër, tjetri afërDrejtorisë së Policisë.
D/H 29
Siç shihet nga këto dokumenta që po botohen për herë të parë, Shërbimi Britanik kujdesej të mblidhte informacion me karakter ushtarak por edhe social-ekonomik. Ai kujdesej që agjentët e tyre potencialë si A/H 76 një personazh i rëndësishëm që operonte në Zonën e Pezës të mbahej në mbikëqyrje të plotë dhe informatorë me pak të njohur të raportonin mbi çdo aktivitet të tij. Kjo mbikëqyrje paralele bëhej për një numër të rëndësishëm personazhesh ushtarakë apo politikë që kishin pranuar të bashkëpunonin në Shërbimet Britanike kundër italianëve.
Qendra operacionale në Londër filloi ndërkohë të marrë masa paraprake për një përplasje eventuale në Ballkan jo vetëm me italianët por edhe me gjermanët. Gjithsësi dobësimi i fuqive italiane në Shqipëri do t'i ndihmonte britanikët për të ruajtur kontrollin dhe influencën e tyre në Greqi. Për këtë arsye ata filluan pregatitjen për krijimin e grupeve të vogla diversive greke të cilët do të stërvitëshin në teknikat e fundit të sabotazhit me qëllim dëmtimin e prapavijave italiane në Shqipëri.
Ndër personazhet e inteligjencës britanike që u zgjodhën për të krijuar këto grupe diversioniste në Greqi, ishte edhe një prej atyre të cilët emri dhe fama në fushën e arkeologjisë dhe historisë klasike do të ndihej më vonë edhe në arkeologjinë dhe historinë shqiptare.
Nicholas Hammond ishte një prej studiuesve më të shquar të këtyre studimeve në Europë i cili u përzgjodh nga Shërbimi Britanik. Ashtu si mjaft studiues të tjerë britanikë të kësaj fushe, njohuritë e tij në veçanti për Greqinë dhe disa prej vendeve të tjera Ballkanike u përdorën me mjaft efikasitet nga Shërbimet Britanike të Inteligjencës. Informacioni i tij mbi Veriun e Greqisë. Shqipërinë Jugore dhe krahinat e Maqedonisë ishin mjaft të kërkuara nga zyrtarët e planifikimeve dhe operacioneveushtarake në Londër.
Hammond i cili kishte mbaruar studimet në Kembrixh në mënyrën më të shkëlqyer të mundshme, u zgjodh Anëtar i Kolegjit Clare në moshën 22-vjeçare për merita të shquara në studimet klasike. Fillimet e viteve 1930, Hammond i kalonte duke udhëtuar në këmbë në malet Greqisë Veriore e duke studiuar qendrat klasike të arkeologjisë Greke të panjohura deri më atëhere. Njohuritë e tij mbi topografinë dhe historinë e këtyre vendeve sigurisht që ranë në sy të shërbimeve britanike të cilat e afruan për shërbime të veçanta në këto zona. Fliste rrjedhshëm Greqishten moderne dhe antike, dinte edhe shqip, gjë që ia lehtësonte udhëtimin nëpër zonat më rurale të Shqipërisë së Jugut. Në Shqipëri ndoqi intineraret e një paraardhësi të tij, S.Clarke, i cili mund të ishte dërguar për të mbledhur informacion ushtarak në këto zona shumë të thella të Ballkanit.
Kur SOE fillimisht e dërgoi në verë 1940, për të organizuar grupet ilegale në Shqipërinë e Jugut autoritetet greke nuk e lejuan të hynte në Greqi pasi grekët kishin frikë për një reagim të mundshëm të Inteligjencës italiane. Ky veprim nënkupton se autoritetet greke ishin në dijeni të veprimtarisë së tij në favour të shërbimit britanik megjithëse mbulohej nga veprimet e tij shkencore. Gjithsësi pasi Greqia u fut në luftë me Italinë, Hammond u lejua të krijonte edhe kurset e para të trajnimit në teknikat e sabotazhit në Mars të 1941. Nxënësit e parë të këtij grupi ishin disa prej liderëve të ardhshëm të lëvizjeve komuniste greke të cilët formuan edhe grupet e para të rezistencës në Greqi. Personat që stërviti Profesori i ardhshëm, i shkaktuan jo pak kokëçarje ushtrisë italiane në Malet e Pindit. Disa prej rekrutëve të tij vinin nga Himara apo nga disa prej fshatrave minoritare të Jugut që më vonë u inkuadruan në formacionet anti apo pro komuniste.Pas invazionit gjerman në Prill 1941, Hammond u evakua në Kretë ku disa prej kolegeve të tij të SOE po krjonin grupe rezistence në ishull. Hammond sëbashku me Majorin Barbrook i cili ishte caktuar gjithashtu për të mbuluar operacionet e rrjetit shqiptarpunuan sëbashku për të pregatitur një rezistencë kundër një pushtimi eventual nga gjermanët dhe pasi hodhën në erë depot e municionit në Gjirin e Sudas, u largua me një motobarkë peshkimi për në Egjypt.
Njohuritë e mira të Hammond në teknikat e sabotazhit u përdorën me sukses në Shkollën e SOE në Haifa ku pregatiteshin ekspertë të sabotazhit. Në këto kurse u pregatitën edhe agjentët e parë të rekrutuar në Stamboll nga Drejtoria e Zbulimit Dega D e Ballkanit për Shqipërinë. Në këtë shkollë një prej kursantëve të Hammond ishte edhe Moshe Dayan, një prej liderëve të ardhshëm të Izraelit modern.
Nicholas Hammond u parashutua në Thesali në Shkurt 1943 si një prej Oficereve të Shërbimeve Sekrete Britanike por tashmë Misioni i tij ishte i lidhur më shumë me rezistencë greke dhe jo më me Shqipërinë.
Pas lufte, Hammond ishte drejtori i Kolegjit Clifton në Bristol deri më 1962 kur u emërua përfundimisht Profesor i Historisë Greke në këtë Universitet. Botoi shumë studime për historinë dhe arkeologjinë e Greqisë, Maqedonisë dhe Epirit Antik. Ishte Kryetar i Shkollës Britanike të Athinës dhe i Shoqërisë për Promovimin e Studimeve Helenike.
Për çudinë e shumëkujt vizitoi Shqipërinë si i ftuar i Akademisë Shqiptare më 1971 por deri më tani nuk ka ndonjë të dhënë konkrete nëse autoritetet shqiptare e dinin aktivitetin e tij në favor të Shërbimit Inteligjent Britanik.
aurontare@gmail.com
Vijon të shtunën e ardhshme
Diçitura:
Forca ajrore shqiptare në vitin 1924