Medalje nderi për Astrit Koçibellin
Astrit Koçibelli, një nga këngëtarët e njohur tw serenatave korçare, është vlerësuar me titullin personalitet i kulturës. Ai ka marrë medaljen e nderit në Komunën e Drenovës si personalitet i muzikës për kontributin e dhënë në jetën kulturore si krijues dhe interpretues i këngëve të lehta dhe serenatës. Me zërin e fuqishëm e plot muzikalitet, këngëtari i muzikës së lehtë dhe serenatave korçare, Astrit Koçibelli, që në moshë të re i është përkushtuar muzikës. Ai ka fituar disa herë çmime dhe ka punuar si drejtor i festivalit të serenatës. Në vitin 1999, Koçibelli u vlerësua me çmimin e parë të Festivalit të Serenatës Korçare me këngën “Kitarë e dashur”, të orkestruar nga kompozitori korçar, Adrian Jorgji. Për shkak të rrethanave politike dhe persekutimit, ai nuk pati mundësinë të vazhdonte studimet në Akademinë e Arteve, por jeta e tij artistike nuk u ndërpre, duke u pasuruar pas viteve ‘90 me një sërë aktivitetesh dhe pjesëmarrjen në festivale, ku është vlerësuar me çmime. Ka qenë Komuna e Drenovës, ku është angazhuar në estradën e kësaj zone, që e ka nderuar me çmimin “Personalitet i kulturës” Astrit Koçibellin për veprimtarinë e gjerë artistike.
#