Alliasi, pa rrugë e pa shkollë. Lulzim Basha premton zgjidhje të problemeve

Banorët e Alliasit kanë nevojë urgjente për ndryshime në infrastrukturë. Një nga zonat më të populluara të Tiranës nuk ka rrugë, nuk ka shkolla, nuk ka kanalizime. Banorët i treguan kandidatit për Kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha, kushtet ku ata jetojnë. “Nuk ka shkolla, jemi 0 me gjithcka, kjo është një dobësi e Bashkisë”, i tha Bashës një banor, gjatë takimeve që kandidati pati mbrëmë në rrugët e njësisë Bashkiake numër 4 në Tiranë. “Ja shihe si dalin në rrugë ujërat e zeza, këtu rriten dhe luajnë fëmijët tanë”, i tha Bashës, një banor i irrituar. Një grup fëmijësh i kërkuan Bashës një fushë futbolli për të luajtur. Më tej, Basha u njoh me një rast tipik të keqmenaxhimit të Bashkisë. Në një zonë të Alliasit, një fushë ku luanin fëmijët ishte shndërruar në pallat shumëkatësh, ndërsa një kompleks sportive, i vetmi ‘oaz’ për të rinjtë e zonës kishte mbetur i cunguar, pasi Bashkia nuk jep leje për ndërtimin e pishinës. “Ja, kjo fusha është bërë pallat, ndërsa unë që kam bërë këtë palestrën, nuk marr dot leje prej 5 vitesh për të bërë edhe një pishinë”, i tha Bashës pronari i kompleksit sportive. Lulzim Basha i garanatoi banorët se do të kenë vëmendjen e tij për të gjithë këto problem. “Unë do të bëj rrugën, dhe do të ndërtoj edhe shkollën”, i siguroi Lulzim Basha qytetarët e Alliasit.
Jorida Tabaku: Edi Rama, asnjë alternativë për Tiranën, shpifja dhe trillimi për kundërshtarin oferta e vetme për elektoratin
Edhe sot, rraskapitja politike e Edi Ramës provoi përsëri para qytetarëve të Tiranës se interesi i tij i vetëm është lufta politike dhe jo zgjidhja e halleve dhe problemeve të këtij qyteti dhe banorëve të tij. Shpifja dhe trillimi absurd ndaj kundërshtarit dhe familjarëve të tij, mbetet e vetmja alternativë që Edi Rama ofron si bilanc të 4 viteve në krye të Bashkisë. Kjo politikë e dëshpëruar e shpifjes dhe përbaltjes, nuk krijon asnjë vend të ri pune, nuk ul çmimet, nuk ndërton asnjë park, shkollë apo kopsht të ri, nuk tregon se ku shkojnë taksat e qytetarëve që ai i ka rritur nga viti në vit, nuk zgjidh kolapsin e trafikut, nuk e ul ndotjen e qytetit. Të gjithë në Tiranë tashmë e kanë kuptuar se Edi Rama, vjen duarbosh para qytetarëve në zgjedhjet e 8 majit dhe ofron si alternativë vetëm konfliktin politik, përbaltjen dhe shpifjen ndaj kundërshtarit. Lulzim Basha është ndryshe. Sot si çdo ditë ai është në mes të qytetarëve duke i dëgjuar, duke ndarë me ta projektet për përmirësimin e jetës në Tiranës, dhe për zgjidhjen e problemeve që ka qyteti dhe njerëzit e tij. Sepse, për Lulzim Bashën, e para është Tirana, të parët vijnë qytetarët e saj, dhe shpresat e tyre për të ardhmen.
...