E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryeza e partive politike në nivel ekspertësh, PD-PS bien dakord me propozimet

30-03-2011 / Gazeta 55

U mblodh sot për të dytën ditë me radhë tryeza e partive politike për zgjedhjet vendore të 8 majit. Palët politike u mblodhën një ditë më parë në prezencë dhe të ambasadorit të prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth, por nuk arritën firmosjen e një aktmarrëveshje, në angazhimin e forcave politike për zhvillimin e një procesi zgjedhor demokratik, të drejtë dhe transparent. Por ndryshe nga dje sot tryeza e partive politike përfundoi me optimizëm për nënshkrimin e një marrëveshje të përbashkët ditën e premte. E zhvilluar me dyer të mbyllura në rang ekspertësh pas përfundimit të saj eksperti për çështjet zgjedhore në Partinë Demokratike Oerd Bylykbashi tha se kërkesat e Partisë Socialiste nuk cenojnë kodin zgjedhor. “Partia Socialiste me sa duket i ka pranuar të gjitha propozimet që bëmë ne në marrëveshjen e djeshme, për shkak se nuk kanë bërë asnjë ndryshim nga teksti që ne kishim propozuar. Kjo vërteton se jo vetëm marrëveshja bazohet në mënyrë solide në rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe në kodin zgjedhor, por është edhe plotësisht e zbatueshme me vullnet të mirë politik. Nga na tjetër ne do të shohim me kujdes të gjitha propozimet, kemi marrë kohën e përbashkët deri ditën e premte, për të gjykuar me kujdes përsa i përket aspektit të përfshirjes në mënyrë që këto kërkesa që ata kanë nuk janë të tilla që janë të pazbatueshme, ose që mund të cenojnë procesin”- tha Bylykbashi. Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ndonëse u shpreh ‘pro’ draftit të miratuar ka kërkuar edhe përfshirje në të, të disa pikave që kanë të bëjnë me transparencës post zgjedhore, vendimmarrjen në KQZ, por edhe listën e zgjedhësve. “Partia Socialiste në funksion të tryezës së zhvilluar edhe dje, e nisur edhe nga qëllimi i mirë për të arritur një marrëveshje për ato pika esenciale që ne i kemi nxjerrë problem për zgjedhjet vendore, kemi bërë një sërë propozimesh tek drafti që ka përgatitur partia demokratike, pra si një vullnet i mirë për të gjetur një zgjidhje para këtyre zgjedhjeve, pikërisht për ato kushte që ne i kemi quajtur esenciale për zgjedhjet vendore. Përvec pjesës që i takon transparencës postzgjedhore dhe që nuk ka efekte të menjëhershme në proceset e filluara, asgjë tjetër nuk ka të bëjë me kodin, pra vetëm aspekti i transparencës postzgjedhore, gjë që fillon i shtrin efektet pas përfundimit të zgjedhjeve vendore”,- tha Gjiknuri. Tryeza u mblodh me ftesë të Partisë Demokratike, në emër të së cilës kryetari i grupit kuvendor propozoi dhe një draft marrëveshje me 16 pika e cila, sipas tij “mbështetet në të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR”. Partitë kërkuan kohë për të shqyrtuar draft marrëveshjen me 16 pika te propozuar nga PD.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›