E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alma lë shtëpinë dhe takon të atin pas 19 vjetësh

Nga Express më 20 mars 2011 në ora 15:03

Tashmë spektakli në “Big Brother” ka arritur në një pikë kulmore. Kanë mbetur vetëm 6 banorë në lojë. Përplasje të forta gjatë spektaklit me çiftin Neda-Ogren dhe emocione të forta

Nata e mbrëmshme ka qenë vendimtare për banorët që do të shkojnë drejt finales. Alma është larguar nga shtëpia. Ogreni dhe Neda janë gjendur në debate të forta me Almën dhe Ermelën, ku veçanërisht me këtë të fundit kanë shkëmbyer ofendime të rënda. Alma për herë të parë ka takuar dhe ka folur me të atin pas 19 vjetesh.

Sfidat e të nominuarve

Kanë mbetur vetëm dy javë nga spektakli i madh i datës 2 prill, që do të kurorëzojë edhe fituesin e edicionit të katërt të “Big Brother”. Banorët kanë kaluar 85 ditë izolimi në shtëpi dhe tashmë loja është edhe më e fortë. Secili prej tyre duhet të “luftojë” së pari për finalen e pastaj për çmimin e madh. Gjatë kësaj jave Alma ka qenë në nominim me çiftin Neda-Ogren. Ndërsa në fillim të spektaklit Alma dhe Neda kanë qenë mikesha, marrëdhëniet mes tyre janë acaruar gjithnjë e më shumë. Gjatë kësaj jave nominimi ato kanë debatuar disa herë me njëra-tjetrën, edhe për gjëra të vogla. Arbana i pyet se çfarë po mendonin kur po bënin gati valixhet, dhe Alma thotë se “po mendoja kë do të takoj, kush do të jetë jashtë, si do të jetë jeta ime, a do të filloj aty ku e kam lënë apo do të ndryshojë diçka”. Ndryshe përgjigjet Neda, e cila thotë se në ato momente po mendonte vetëm për valixhen dhe ishte e qetë e me besim. Të njëjtën gjë ka thënë edhe Ogreni, i cili thekson faktin se ka hyrë me dy valixhe e po del me pesë.

Pesë persona, dhuratë dekoder HD

Gjatë spektaklit të shkuar, banorët lëshuan në ajër 3000 tullumbace, të cilët mbanin edhe një kupon të “DigitAlb”. Po atë mbrëmje u njoftua se 10 personat e parë që do të dërgonin kuponët në zyrat e “DigitAlb” do të fitonin nga një dekoder HD. Në fakt, kanë qenë pesë fitues të kësaj dhurate.

Klodi: Ka ndryshuar gjithçka nga jeta ime

Klodjana ka lënë lojën të shtunën e kaluar si pasojë e një eliminimi të dyfishtë. E ftuar në studio, ajo ka treguar se jeta e saj ka ndryshuar nga ky spektakël. “Më takojnë në rrugë, më pyesin se pse dola, një pjesë e mirë e tyre thonë fjalë të mira”.

Ndërsa Arbana e pyet se pse mendon se publiku e votoi për të dalë, Klodjana përgjigjet: “Nuk di të them në të vërtetë. Javët e para kam qenë në qetësi dhe për këtë jam kritikuar, por javët e fundit isha tamam Klodi. Do të kisha dashur të isha që në fillim aktive, - thotë Klodi.

Alma për Nedën dhe Ogrenin: Njerëzit më pak besnikë

Një klip i transmetuar për javën e Almës në nominim ka ndezur debate të forta gjatë spektaklit. Alma është shprehur se Neda dhe Ogreni e akuzojnë si të paedukatë, kur janë ata që vijnë ngrenë gishtin, bëjnë të fortin. “Unë e kam vlerësuar Nedën në fillim për parimet që ajo i ka ngritur si flamur në fillim dhe dolën flluskë. Nuk kanë kurajën të përballojnë situatën, Neda i ruan të gjitha të shtunën mbrëma, se javën nuk ka kohë të flasë”, - shprehet Alma, duke thënë se ata janë njerëzit më të pabesë që kam njohur. “Nuk ndiejnë absolutisht asgjë për njëri-tjetrin, e bëjnë vetëm për lojë”, - thotë ajo. “Unë u largova nga ti se ofendoje në çdo rast Ogrenin. Jam larguar, sepse ti nuk je njeri për të qëndruar afër meje, sepse ti vetëm përflet banorët e tjerë dhe unë nuk jam e tillë”, - i është përgjigjur Neda.

Ofendime të rënda mes Ermelës, Nedës dhe Ogrenit

Klipi për Ogrenin ka ndezur një debat të fortë mes Ermelës dhe çiftit. Ata nuk kanë kursyer asnjë fjalë kundrejt njëri-tjetrit. “Unë nuk jam ti Ermela, që kur të ikin banorët vjen të na kërkosh aleanca. Unë shkoj deri në fund kështu si jam”, - thotë Neda. Ndërsa Ermela thotë se Neda ka pësuar një metamorfozë totale brenda shtëpisë. “Neda është kalama i papjekur që ka ngelur në adoleshencën e saj. Ajo përpiqet të tregohet më e madhe në moshë se ç’është. Filozofia më e madhe e jetës është të jetosh. Ata bëjnë vetëm filozofi fjalësh, se nuk dinë të jetojnë në praktikë”, - thotë Ermela. Gjakrat ndizen dhe Neda përgjigjet: “Nëse për ty praktikë është të bësh koleksione meshkujsh, jo për mua. Unë dashuroj”. Ermela i thotë se ajo është veçse një dru i shtrembër, një gocë e papjekur që tenton me forcë të rritet.
Në debat përfshihet edhe Ogreni, i cili i thotë Ermelës:
“Më vjen keq për jetën tënde, ti je fatkeqe. Je femër pa moral”.
Çifti ka debatuar gjatë me Ermelën.

Alma takon të atin pas 19 vjetësh

Brenda shtëpisë së “Big Brother” Alma ka treguar jetën e saj, e cila ka qenë e mbushur edhe me histori të dhimbshme. Brenda shtëpisë asaj i kanë munguar disa nga njerëzit e dashur të familjes, mes së cilëve është edhe Samuel, nipi i saj tetë muajsh. Në dhomën e rrëfimit. Alma sheh një klip ku nipi i saj ka filluar të ecë me rrethore. Një tjetër surprizë e madhe e ka pritur Almën. Prej 19 vjetësh ajo nuk takohet me të atin, dhe as komunikojnë. I ati i saj ka kërkuar që t’i lërë një mesazh, të cilin Alma e dëgjon në dhomën e rrëfimit. “Unë e kam dashur tej mase dhe jam shumë krenar për të. Më ka marrë malli shumë, kishim shumë kohë që nuk komunikonim, ma ke hequr mërzinë. 29 vjet të tuat m’i ke përmbledhur në një të vetme. Ne na ka ndarë jeta, kështu ishte shkruar, por ti je gjaku im. Ka pasur momente që kam gabuar. Kur të dalësh nga ‘Big Brother’ dua të ulemi e të flasim”, - ka thënë i ati. Alma është shprehur se ka 19 vjet që i mungon qoftë edhe një shikim i të atit. “Kur po fliste m’u duk si njeri i huaj, por ishin fjalë që të binin në zemër”. Në dhomën jeshile Alma takohet me të atin. Kanë qenë çaste me shumë emocion, me shumë përlotje dhe at e bijë kanë pasur mundësi të shkëmbejnë pak fjalë.

Tre djemtë e “Portokallisë” hyjnë në shtëpi

Gjatë javës, Mirjeta, Alma dhe Ermela kanë bërë një lojë, duke vizatuar në jastëk tre djem. Ato kanë thënë se duan djem të rinj në shtëpi. Vëllai i madh ua plotësoi dëshirën. Por ata ishin banorë të veçantë. Flori, Besi dhe Salsano, tre aktorët e njohur të “Portokallisë” kanë hyrë brenda shtëpisë, duke sjellë momente shumë gazmore. /shqip/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›