Almeda Abazi: “Jeta ime e re mes xhelozive e thashethemeve”
Petrika GROSI
Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për gazetën “Albania”, 16-vjeçarja Almeda Abazi, mbajtëse e kurorës së bukurisë “Miss Shqipëria 2008” tregon mbi jetën e saj, të tashmen, të kaluarën e të ardhmen... Gjithçka mbi adoleshenten, e cila pasi fitoi titullin “Miss Shqipëria”, do të garojë për ngjyrat e flamurit tonë edhe në kompeticionin ndërkombëtar të bukurisë “Miss Globe International 2008”. E takuam Almedën sëbashku me Albanën, mamin e saj, me të cilën missi është shumë e lidhur, e njëherësh, e ka si shoqen më të mirë. Po cila është Almeda në të vërtetë? Çfarë pëlqen ajo, ku shkon në kohën e lirë? Shkolla, ëndrrat, shoqëria, dashuria e kësaj vajze, aktualisht e shpallur si “më e bukura e Shqipërisë”, zbulohen për lexuesin në intervistën që vijon më tej.
Si po shkojnë ditët për Almedën që pas marrjes së kurorës “Miss Shqipëria”?
Po shkojnë shumë mirë dhe gëzimi vazhdon. Nuk është pak të fitosh një kurorë bukurie të tillë. Ndryshime ka në jetën time por në shoqëri mbetem e njëjta.
Çfarë ndryshon në jetën e një vajze të thjeshtë pasi ajo bëhet “më e bukura e Shqipërisë”?
Normale, është një përgjegjësi shumë më e madhe, diçka sa e bukur aq e rrezikshme. Njerëzit paragjykojnë shumë këtu ndaj duhet bërë kujdes në mënyrën sesi sillesh, vendet ku shkon dhe shoqërinë që zgjedh. Njerëzit të shohin me sy tjetër tani.
Shkolla?
Unë kam jetuar për katër vite në Turqi dhe kam pak kohë që jetoj në Tiranë me familjen. Shkolla këtu është viti i parë për mua dhe vazhdoj te “Vëllezërit Kajtazi”, ku mbarova vitin e dytë.
Shoqëria e shkollës si reagoi pas fitimit të titullit prej jush?
Pata mesazhe të shumta urimesh. Më thanë që do të ngrihej edhe një kënd me fotografi në shkollë për mua fitoren e titullit “Miss Shqipëria”. Nuk i kam takuar të gjithë sepse ato kohë ishim me pushime.
Keni pasur kërkesa për spote publicitare?
Këto ditë sapo mbarova xhirimet për një spot publicitar për një agjenci udhëtimesh, që është dhe sponsori gjeneral i missit.
Ofereta të tjera kam pasur si këtu edhe nga jashtë shtetit, por them se është ende herët për të vendosur. Do t’i mendoj mirë para se të angazhohem.
Si e shikon Almeda veten në të ardhmen?
Bota e spektaklit ka qenë gjithmonë ëndrra ime, por ndoshta është ende herët. Nuk e di!!! Çdo gjë që unë dua të bëj lidhet artin, muzikën dhe kërcimin ndoshta. Mendoj se mund të bëhem një shovv-girl e kompletuar.
Pra jemi te hobit tuaja. ǒdo të thoshit?
Që e vogël kam pëlqyer më shumë se të tjerat muzikën dhe kërcimin. Kam edhe Henkin, një qen që e kam pasur qysh në fëmijëri dhe që tani është 6 vjeç. Kur dalim në mëngjes për vrap nga liqeni e marr edhe qenin.
Pra ju pëlqejnë kafshët?
Qeni më pëlqen shumë, kafshët e tjera jo dhe aq...
Thatë se vraponi mëngjeseve. Pra jeni marrë edhe me sport?
Në fakt me ndonjë sport nuk jam marrë, por vij nga një familje sportistësh. Babai im, Muhamet Abazi është rekordmen në Shqipëri dhe mami (Albana) që është atlete.
Si ndodhi që morrët pjesët te “Miss Shqipëria”?
Ishte diçka e papritur. Nuk e kisha menduar veten ndonjëherë nëpër pasarela mode. Kur erdhën në shkollën time, grupi i “Miss Tiranës”, për të marrë konkurrente për spektaklin, në fillim nuk mu duk ide e mirë. Pasi u ktheva në shtëpi e fola me mamin, shkova dhe u regjistrova. Ndodhi që e fitova “Miss Tiranën” dhe më lindi e drejta automatikisht për të marrë pjesë te “Miss Shqipëria”, të cilën e fitova gjithashtu.
Çfarë ndodhte në paskuintat e këtyre spektakleve të bukurisë?
Natyrisht që ka emocione, por jo gjithçka është aq e bukur dhe e thjeshtë saç duket në ekran.
Keni pasur thashetheme apo xhelozi nga shoqet që nuk fituan?
Ka pasur xhelozi, edhe ndonjë thashethem nuk ka munguar. Në përgjithësi të gjitha shoqet më thoshin se unë do ta fitoja titullin, por ndodhi që kur unë fitova kurorën, një pjesë e tyre as dorën nuk më dhanë dhe u larguan.
I keni qejf fotografitë?
Në fakt, më shumë sesa të fotografohem, kam dëshirë që të fotografoj. Çdo moment unë rri me aparat në dorë duke bërë shkrepje ose me kamera duke xhiruar gjërat dhe momentet që më duken interesante.
Sa i përket fotografimit, shpesh fotografët kërkojnë poza sensuale dhe joshëse. A e keni problem të pozoni?
Jo, pozimi i tillë nuk më duket i përshtatshëm për mua. E para e punës, jam e vogël ende dhe e dyta nuk ma lejon karakteri dhe edukata familjare që të bëj gjëra të cilat mund të cënojnë nderin tim.
Besoni në Zot?
Sigurisht që ka Zot. Jam besimtare muslimane. Nuk është se shkoj në xhami por besoj në Zot.
Do të mbanit ndonjëherë ferexhe?
Nuk mendoj se ato kanë lidhje me Zotin dhe fenë. Besoj është një keqkuptim, pasi nuk është nevoja të mbash ferexhe që të jesh besimtare e mirë.
A keni dashuruar ndonjëherë?
Në fakt pëlqime kam pasur, por për të dashuruar nuk ka ndodhur. Jam pak tip i ndrojtur, e rezervuar. Nuk ulem shumë kafeneve dhe nuk u besoj lehtë njerëzve.
Si kalon një ditë normale e juaja?
Koha ikën mes impenjimeve shkollore, atyre publike e shoqërisë. Me shumicën e tyre komunikoj në internet pasi nuk kam kohë t’i takoj të gjithë dhe pjesën më të madhe të tyre e kam në Turqi.
Çfarë raportesh keni me leximin?
Lexoj, por nuk është se kam ndonjë pasion të madh për librat.
Kur e keni lexuar librin e fundit dhe cili ka qenë?
Para dy vitesh kam lexuar “Kodin e Da Vinçit” dhe librin e Rudina Xhungës. Nuk para lexoj shumë libra në shqip, preferoj më tepër anglishten dhe turqishten.
E pëlqeni futbollin?
Më pëlqen shumë dhe e ndjek.
Po futbollistët?
Më pëlqen Ronaldinjo, Kristiano Ronaldo, Rubinjo.
Të gjithë këta zezakë. Po në shoqërinë tuaj, jeni kaq e hapur ndaj njerëzve me ngjyrë?
Shqiptarët paragjykojnë gjithmonë dhe unë nuk e kam thënë asnjëherë por më pëlqejnë zezakët. Janë tipa alegro dhe energjikë. Mënyra sesi ata jetojnë më pëlqen shumë.
Cilat janë marrëdheniet tuaja me familjen?
Unë jetoj me babin, mamin dhe motrën. Me babin i kam marrëdhëniet e mira, por me mamin sigurisht që jam më afër. Me asnjërin prej tyre nuk kam probleme pasi janë të dy shumë liberalë. Me motrën jemi si shoqe dhe ngjajmë shumë.
Mamin e keni si shoqe apo jo?
Mamit ja them të gjitha. Asaj nuk i mbaj asnjë të fshehtë.
Është e dashuruar Almeda?
Jo, jo.
Si mendon se duhet të jetë i dashuri juaj? Keni pasur pëlqime?
Për moshën që kam, pëlqime kam pasur, por asgjë më shumë. Tani gjërat janë kalimtare dhe nuk mendoj që të krijoj një lidhje serioze, sepse për mua është herët. Mendoj që kam plot kohë për këto lloj gjërash. Sa i takon tipit, dua që ai të jetë i sinqertë, njeri i mirë, i gjatë, brun, simpatik, inteligjent dhe i kuptueshëm. Çunat e moshës sime, ka pasur raste që më kanë pëlqyer nga paraqitja, por kur jam ulur njëherë ose dy herë në kafe, kam parë se janë shumë të papjekur. Ata ndoshta mund të ndiejnë vërtet diçka, por nuk dijnë si të më bëjnë për vete.
Çunat që pëlqejnë Almedën, duhet ta kenë mirë më parë me mamin e saj apo jo?
(Qesh) Unë vërtet i tregoj mamit çdo gjë por ajo nuk më ndalon. Me mamin bisedojmë si shoqe dhe ajo më këshillon gjithmonë gjënë më të mirë për mua.
Po nga ushqimet çfarë pëlqeni?
Në radhë të parë ushqimet tradicionale tiranase. Por më shumë nga të gjitha pëlqej tavën me patate.
Mbani dietë?
Nuk para mbaj ndonjë dietë, por bëj kujdes me ushqimet. U bë një muaj që kam nisur edhe palestrën. Mëngjeseve, me mamin, motrën qenin tim dhe shoqërinë dalim e bëjmë vrap nga Liqeni.
Keni udhëtuar shumë?
Kam shëtitur në Londër, Turqi si dhe këto vendet e Ballkanit, por para Stambollit nuk vë asnjë. Te Stambolli i gjen të gjitha, dhe antikitetin edhe modernen. Për vendet e Ballkanit në përgjithësi mund të them se më pëlqejnë njerëzit pasi janë më të dashur, më të ngrohtë, me ta merrem vesh më mirë.
Nuk ju pyeta, aktrimi, a ju pëlqen?
E kujt nuk i pëlqen të luajë nëpër filma?!... Nëse do të kisha ndonjë ofertë do ta pranoja me gjithë qejf, por nuk mund të bëj skena të papërshtatshme për imazhin tim, siç janë puthjet, apo edhe më keq... Prezantimin e kam provuar njëherë, në krah të Reiz Çiços.
Jeni ambjentuar me kameran?
E kam pasur problem dhe më zënë emocionet, por kam ecur para këto kohë. Jam tip i turpshëm dhe e kam njëçikë të vështirë komunikimin, sidomos në fillim.
Lidhja me prindin
Albana, një mami investigatore për Almedën
Sigurisht që mamit të Almedës, ideja e të pasurit një vajzë “Miss Shqipëria” i pëlqen shumë, por më e rëndësishme për të është që vajza të jetë miss në shpirt. Albana ka dashur që Almeda të bëhej sportiste, për të ndjekur linjën e saj dhe të të shoqit rekordmen, por babi i “Miss Shqipërisë” nuk ka qenë dakord që e bija të ndiqte atë rrugë për vet sakrificat e shumta që kërkon sporti dhe të ardhmen e pasigurt bashkë me vlerësimin e munguar për të në Shqipëri. Mamaja e missit, vazhdon të flasë më tej mbi të bijën dhe lidhjen e tyre:
“Almeda është gjithçka që një nënë do ta ëndërronte për vajzë dhe mbi këtë jam e bindur. Ajo është e sinqertë, e dëgjueshme, shumë e pjekur për moshën që ka dhe veç bukurisë që ia ka falur Zoti nuk i mungon inteligjenca. Edhe kur kam ndonjë hall që e bisedoj me të, arrij të flas si me një shoqe të moshës sime. Ajo kupton shumë mirë dhe është në gjendje që të gjykojë. Ajo ka problem vetëm se është pak e ndrojtur si tip, e rezervuar dhe nuk përshtatet kollaj në shoqëri. Të them të drejtën, unë si nënë e pëlqej këtë si ves, pasi është më mirë që ajo të dëgjojë më shumë sesa të flasë. Të dyja ne bisedojmë për çdo gjë. Unë kam një mënyrë timen të të bërit shoqe. E mbështes ndonjëherë edhe aty ku nuk duhet, vetëm për të mësuar se ku qëndron në thelb ideja e Almedës. Pra kam rolin si të thuash, edhe të një investigatori. Mendoj se deri tani ja kam dalë me sukses në marrëdhënien me të dyja vajzat e mia.”
16 Gusht 2008