E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis shpërndarja e librave shkollorë pa fatura tatimore



Jonida Tashi

Nis shpërndarja e teksteve shkollore në librari, pa fatura tatimore. Shitësja e një librarie në Tiranë shprehet se aktualisht tekstet shkollore po shiten pa fatura tatimore, por me një faturë të thjeshtë. Libraritë fajësojnë për mungesën e faturave tatimore shtëpitë botuese. Sipas tyre, shtëpitë botuese megjithëse i kanë furnizuar me tekstet shkollore për vitin e ri arsimor, ato nuk i’u kanë sjellë atyre fatura tatimore. “Nëse shtëpitë botuese do të na i sjellin, ose do na udhëzojnë që shitja e teksteve të bëhet me fatura tatimore ne do t’i japin blerësve një faturë të tillë kur të blejnë librat”, - shprehet shitësja e librarisë. Ndërkohë që, sipas Ministrisë së Arsimit, prindërit dhe nxënësit e arsimit bazë 9-vjeçar duhet të tërheqin pas blerjes së librave faturën tatimore që të mund të marrin kompensimin për librat që do të blejnë.
Problemet
Përveç daljes me vonesë në treg, ndryshe nga ajo që u deklarua në ditët e fundit të muajit korrik nga Ministria e Arsimit, që prindërit duhet t’i blinin librat shkollorë që në fillim të muajit gusht, për të evituar radhët e gjata në librari, të tjera probleme janë shfaqur me tekstet. Megjithëse libraritë apo shkollat janë pajisur me librat shkollorë nga shtëpitë botuese, jo të gjitha tekstet gjenden në to. Shitësja e një librarie pranë rrugës “Don Bosko” shprehet se tekstet që janë botuar kanë disa ditë që kanë ardhur në librari, por ka edhe shtëpi botuese të cilat nuk i kanë sjellë ende disa libra. Sipas drejtuesve të shtëpive botuese, shkak për këtë vonesë kanë qenë mësuesit, të cilët nuk i kanë përzgjedhur në kohë titujt e librave. Për pasojë, kjo ka bërë që të mungojnë disa tekste pothuajse për çdo klasë. Ndërkohë sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, prindërit duhet t’i blejnë tekstet që janë aktualisht në treg dhe më pas të marrin edhe ato që mungojnë.
Blerja
Përpara se prindërit t’u drejtohen librarive për të marrë librat e fëmijëve, së pari, duhet të shikojnë në listën e afishuar pranë shkollës përkatëse të fëmijëve të tyre, tekstet për secilën klasë dhe shtëpinë botuese që ka bërë shtypjen e tyre. Çdo shkollë ka përzgjedhur tekste të ndryshme alternative në varësi të kritereve që mësuesit kanë parë si më prioritare. Më pas, me këto të dhëna të marra nga shkolla për librat, bëhet blerja e librave në librari. Librat për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme do të shpërndahen në shkollat përkatëse, por edhe në libraritë pranë tyre. Prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm në blerjen e teksteve shkollore për të mos rënë pre e abuzimeve. Ata nuk duhet t’i blejnë librat e fëmijëve tek shitësit ambulantë, të cilët i tregtojnë me një çmim shumë herë më të lartë, jo vetëm që do t’i blejnë librat më shtrenjtë, por nuk do të jenë as pjesë e skemës së subvencionimit.
Shkollat
Një pjesë e shkollave në kryeqytet kanë vendosur lajmërime për prindërit dhe nxënësit për t’i vënë në dijeni se librat do të shpërndahen në shkolla dhe jo në librari. Një prej tyre është dhe shkolla 9-vjeçare ”Vasil Shanto”, në kryeqytet, e cila ka afishuar njoftimin që librat do të tërhiqen në ambientet e shkollës. Këtë vit, MASH-i ka vendosur subvencionimin e teksteve 100 për qind. Ndërsa, vitin e kaluar subvencionimi i teksteve për nxënësit ka qenë në masën 70 për qind. Kjo mënyrë e re e përfitimit të teksteve shkollore do të lehtësojë xhepat e prindërve dhe do të pakësojë përfitimet e shitësve të teksteve pa pullën e MASH-it, të cilët e kanë kthyer në biznes. Në këtë mënyrë do të shmanget abuzimi i teksteve shkollore, pasi prindërit do t’i blejnë librat falas në shkolla. Ministria e Arsimit ka akorduar një fond rreth 2.8 milionë euro ose 310 milion lekë të reja për kompensimin e librit shkollor. Skema e kompensimi të teksteve shkollore në arsimin parauniversitar këtë vit do të përqendrohet në arsimin 9-vjeçar, por duke përfshirë edhe arsimin privat.

Çmimi

Çmimi i shitjes së librave ka pësuar ndryshime në disa prej tyre. Për këtë, libraritë sqarojnë se rritja e çmimit për tekstet varet nga çmimi që kanë vendosur shtëpitë botuese dhe nga kostoja që ka pasur shtypja e çdo libri. Kështu, tekstet të cilat nuk kanë pësuar ndryshime nga një vit më parë gjenden në treg me të njëjtin çmim shitjeje. Ndërsa tekstet e reja alternative, sidomos ato që janë botuar për herë të parë këtë vit, kanë një çmim më të lartë krahasuar me librat e tjerë. Sipas librarëve, ende nuk është bërë një grafik për çmimet e librave dhe ndryshimi i çmimit të tyre qëndron në varësi të çdo teksti.

16 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›