Emigrantët përgjakin rrugët, 3 të vdekur, 10 veta të plagosur
bërë shkas për një mori aksidentesh, të cilat kanë shënuar një bilanc tragjik. Vetëm gjatë 36 orëve të fundit kanë gjetur vdekjen 3 persona, ndërsa dhjetë të tjerë janë lënduar. Burimet zyrtare raportojnë për aksidente në Ballsh, Tiranë, Korçë, Durrës dhe në rrethe të tjera të vendit. Ngjarja më e rëndë u regjistrua në aksin Ballsh-Tepelenë, ku një makinë brenda së cilës ndodheshin 5 anëtarë të një familje ka dalë nga rruga, duke shkaktuar vdekjen e një foshnje 5-muajsh. Po ashtu, mbrëmja e së enjtes ishte e përgjakshme në Korçë dhe Tiranë. Sipas të dhënave zyrtare, në shumicën e rasteve në epiqendër të këtyre ngjarjeve janë emigrantë që janë kthyer për pushime në vendin e tyre.
Familja emigrante
Një fëmijë vetëm pesë muajsh ka humbur tragjikisht jetën kurse prindërit e tij dhe motra e tij janë lënduar. Ngjarja ndodhi dje, në orën 07.30, në vendi i quajtur “Kthesa e Greshicës” në rrugën kombëtare Ballsh-Tepelenë. Burime policore bëjnë të ditur se Dashnor Boraj, së bashku me të shoqen Anilën, vajzën 5-vjeçare dhe djalin pesë muajsh, Paolo, ishin duke ardhur nga Greqia për në banesën e tyre në Ballsh. Familja emigrante, ndërsa po udhëtonte me një automjet tip “Alfa Romeo”, pësoi tragjedinë kur makina doli nga rruga për shkak të humbjes së kontrollit nga drejtuesi. Policia në vendngjarje, tha se vdekja e fëmijës erdhi pasi fëmija ndodhej në prehrin e nënës dhe nga tronditjet që erdhën në përpjekjet për frenim gjatë daljes nga rruga, u përplas me pjesën ballore të makinës duke marrë plagë fatale. Policia tha se ka nisur hetimet për ngjarjen. Ajo hedh dyshime për mungesë të masave të sigurisë nga prindërit pasi fëmijët e vegjël duhet të mbahen në ndenjësen e posaçme për ta. Nëna e foshnjës, Anila Boraj u dërgua në spitalin rajonal të Fierit tejet e traumatizuar.
Tmerr në rrugët e Korçës
Mbrëmja e së enjtes dhe orët e para të ditës së djeshme kanë regjistruar një sërë aksidentesh me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve. Burimet zyrtare raportojnë se dy ditë më parë, rreth orës 22.00 u bë arrestimi në flagrancë i 48-vjeçarit Ramadan Durmishi, lindur në Çernevelë të Kukësit. I dyshuari ra në pranga pasi duke drejtuar automjetin e tij tip “Nissan Primera”, me targë KZH 6041 në rrugën kombëtare Korçë-Bilisht, në vendin e quajtur lokal “Europa” pranë fshatit Dishnicë, ka shkaktuar aksident automobilistik me pasoje vdekjen e 55-vjeçarit Ramadan Qatipi, banues në Mborje të Korçës. I ndjeri po udhëtonte me biçikletë dhe policia tha se aksidenti ka ndodhur si rezultat i ndërprerjes së rrugës nga ana e viktimës. Ndërkohë, 25-vjeçari Erigels Zeneli lindur e banues në Pogradec u arrestua dje pasi në rrugën kombëtare Pogradec-Qafë Thanë, ne vendin e quajtur kryqëzimi i fshatit Çervenakë, duke drejtuar automjeti tip “Peugeot”, 305 me targë KO 7932 A, është përplasur me mjetin tip “Saurer” kamion me targe FR 8697 B, i cili ishte i qëndruar në rrugë kryesore. Si pasojë e këtij aksidenti, ka marrë dëmtime trupore 22-vjeçari Ermir Pashollari, lindur e banues në Pogradec, i cili udhëtonte si pasagjer në makinën tip “Peugeot”. Të njëjtën ditë, 21-vjeçari Gleidis Beli, lindur e banues në Korçë, duke drejtuar automjetin tip “Wolksvagen Golf” ngjyrë e zezë, me targë NHN 2729, te stadiumi “Skënderbeu” i qytetit të Korçës, ka shkaktuar një tjetër aksident, ku mbeti i plagosur 36-vjeçari Bardhyl Zeneli nga fshati Barç i rrethit Korçë.
Motorët shkak aksidentesh
E njëjta situatë ka qenë edhe në kryeqytet, ku në tre aksidente të ndodhura brenda pak orësh, ka gjetur vdekjen një 45-vjeçar, dhe janë plagosur dy të tjerë. Në të gjitha rastet, në epiqendër të përplasjeve kanë qenë drejtuesit e motorëve. Burimet zyrtare të policisë së Tiranës bënë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 16.15, në kryqëzimin e rrugëve “Avdyl Frashëri” me rrugën “4 Shkurti”, automjeti tip “Benz me targa TR 1851 K, është përplasur me motoçikletën “Lifan”, me targa TR 583 D, i drejtuar nga shtetasi Ilirjan Lika, 45 vjeç, i cili gjeti vdekjen menjëherë pas aksidentit. Policia arrestoi drejtuesin e makinës, Sokol Baçi, 19-vjeç, lindur në Dibër dhe emigrant në Torino.
Edhe Enver Zeneli, 65-vjeç, me banim në kryeqytet, është përplasur nga një motor tip “Zongshen” me targë TR 745 D, i drejtuar nga shtetasi Rexhep Doka, 27 vjeç, me banim në Tiranë. Burimet policore raportojnë se shtetasi Ervin Anastasi, 29 – vjeç u arrestua pasi në orët e vona të mbrëmjes së enjte, në rrugën “Niko Avrami”, duke drejtuar automjetin veturë “Benz”, me targa TR 9252 M, është përplasur me motoçikletë “Honda” me targa TR 3A44, i drejtuar nga shtetasi Kastriot Hoxhallari. 16-vjeçari, banues në Tiranë është plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Ndërsa në Durrës kanë nisur hetimet për shtetasin turk Ihsan Heresan, i cili dyshohet se plagosi me mjetin e tij tip “Wolksvagen” furgon me targa DR 8957 C 37-vjeçarin Y.A., banues ne lagjen Nr. 14 në qytetin bregdetar, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën. Ndonëse janë paralajmëruar masa, sërish po ndodhin aksidente, bilanci i të cilave është po aq i lartë, sikur Shqipëria të ishte në luftë.
TË AKSIDENTUARIT
Ilirjan Lika, 45 vjeç – Tiranë, i vdekur
Enver Zeneli, 65 vjeç – Tiranë, i plagosur
Kastriot Hoxhallari, 16 vjeç – Tiranë, i plagosur
Dashnor Boraj – Ballsh, - i plagosur
Anila Boraj – Ballsh, - e plagosur
Paolo Boraj, 5 muajsh, - Ballsh, i vdekur
Ramadan Qatipi, 55-vjeç, - Korçë, i vdekur
Ermir Pashollari, 22-vjeç, - Pogradec, i plagosur
Bardhyl Zeneli, 36-vjeç, - Korçë, i plagosur
Y.A., 37-vjeç, - Durrës, i plagosur
Zonat minoritare përfshihen nga flakët, në pranga çobani
DROPULL - Zonat e Dropullit në Gjirokastër janë përfshirë dje pasdite në një furi zjarresh, duke shkrumbur mbi 20 hektarë kullota dhe duke rrezikuar disa banesa. Burime policore në Gjirokastër, bënë të ditur se këto vatra zjarri konstatohen sidomos në kullotat malore mes fshatrave Goricë dhe Terihat dhe pas hetimeve të mëtejshme, është bërë e mundur që të arrestohet shkaktari i flakëve. “Mbrëmë u bë e mundur kapja e autorit të dyshuar si zjarrvënës, shtetasit Petrit Muhamet Sinondemaj, lindur dhe banues në qytetin e Libohovës Gjirokastër”, - thonë burimet policore. Sipas tyre, 23-vjeçari ishte çoban me bagëtitë e fshatit Terihat dhe rreth orës 15.00, i ka vënë zjarrin qëllimisht kodrave të këtij fshati, ku u dogjën rreth 20 hektarë sipërfaqe kullosore. Banorët e zonës kanë sinjalizuar efektivat zjarrfikës dhe ato të policisë.
Zjarret djegin 5 hektarë ullishte, në rrezik puset e naftës
FIER- Një tjetër zjarr përfshiu ditën e djeshme fshatin Ruzhdie në qytetin e Fierit. Flakët e zjarrit që u përhapën në këtë fshat dogjën rreth 5 hektarë ullishte si dhe rrezikuan dhe 5 prej banesave të ndodhura aty pranë. Ardhja në kohë e zjarrfikësve mundi të eliminojë rrezikun që mund të shkaktonin flakët edhe ndaj një pusi nafte. Nuk dihet shkaku i shpërthimit të këtij zjarri ndërkohë që zjarrfikëset morën në kontroll situatën duke e shuar plotësisht atë. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit. Një javë më parë zjarret rrezikuan puset e naftës në rrethin e Fierit, gjatë djegies së pakujdesshme të mbeturinave në një parcelë të mbjellë më grurë.
Falsifikimi, hetim për punonjësen e Gjendjes Civile
KORÇË – Një grua e cila ishte deri dje nëpunëse në zyrën e Gjendjes Civile në Korçë, u arrestua pasi akuzohet për falsifikime. Violeta Qirinxhi 55 vjeçare, lindur e banuese në Korçë, dyshohet për veprën penale të “Falsifikimit të akteve të Gjendjes Civile”. Hetuesit bënë të ditur se e dyshuara është provuar se ka abuzuar në të paktën dy raste kur ajo ka falsifikuar certifikata për shtetas të interesuar. Në lidhje me këtë rast po bëhen hetimet, ndërsa 55-vjeçarja Qirixhi po hetohet në gjendje të lirë. Gjatë muajve të fundit janë prangosur një sërë punonjësish të zyrave të Gjendjeve Civile në disa rrethe për falsifikim të dokumenteve zyrtare.
Hetime për 43-vjeçarin, trafikoi të fejuarën e djalit
KRUJË – Pas disa muajsh hetime, është bërë e mundur që të faktohet se 43-vjeçari nga Kruja ka abuzuar seksualisht me të fejuarën e djalit të tij, duke e përdorur si prostitutë përmes dhunës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se Ylli Zenuni, banor në Fushë Krujë po ndiqet penalisht në mungesë, për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese. “43 vjeçari, rezulton analfabet, dhe i dënuar më parë për vjedhje dhe shfrytëzim prostitucioni”, sqaroi policia vendore. Procedimi penal në ngarkim të Zenunit, filloi për arsye se dyshohet se për rreth 6 muaj, ka shfrytëzuar për prostitucion në Durrës e Tiranë duke e detyruar nëpërmjet ushtrimit të dhunës fizike dhe psikologjike, një shtetase 14 vjeçare. “Nga ana jonë u kryen veprimet e para hetimore lidhur me këtë rast; u bë shpallja në kërkim e po punohet për kapjen e shtetasit Ylli Zenuni”, - deklaroi policia. Rrethanat në të cilat ndodhi kjo ngjarje e shëmtuar bëhen edhe më të rënda, kur mësohet fakti se L.K., 14 vjeçe, ishte e fejuara e djalit të tij dhe ai e detyroi atë të bëhet prostitutë nëpër motelet dhe hotelet e plazhit të Durrësit dhe më gjerë, në Tiranë dhe periferinë e saj.
Pranon vrasjen vajzës së hallës, mbetet në qeli
ELBASAN – Autori i dyshuar i vrasjes së kushërirës së tij në Gramsh deklaroi në sallën e gjyqit se ishte ai autori i krimit dhe se ishte penduar për atë që kishte bërë. Ilirian Koçi, 27 vjeç, lindur e banues në qytetin e Gramshit, u soll me pranga dje paradite në Gjykatën e Rrethit Elbasan ku iu rivlerësua masa e sigurisë së “arrestit me burg” në kushte të flagrancës që iu dha tre ditë më parë nga policia vendore. Gjatë paraqitjes së provave paraprake, organi i prokurorisë, tha se ekzistojnë prova të besueshme që demonstrojnë se 27 vjeçari Ilirian Koçi, ka vrarë me armë zjarri tip “Kallashnikov”, 20 vjeçaren Greta Xhaferri. Prokurori i çështjes mbështeti pretendimin e tij në disa prova të vendngjarjes, pohimin e të dyshuarit dhe dëshmi të tjera. Në seancë, ka folur edhe vetë i dyshuari për krimin. Ilirian Koçi ka treguar para trupit gjykues se e kishte vrarë ai studenten 20 vjeçare që pohoi se e kishte vajzën e dajës së tij. I dyshuari pranoi se kishte pasur një raport intim që këmbënguli se ishte sentimental dhe shtoi se ai e dashuronte kushërirën dhe donte të martohej me të. Një gjë e tillë sipas deponimit të të dyshuarit nuk ishte pranuar nga viktima e tij. Në rrethana të gjaknxehtësisë së momentit dhe tronditjes psikike për refuzimin e dashurisë së tij që donte ta shndërronte në lidhje martesore, 27-vjeçari hapi zjarr me breshëri ndaj të dashurës. Në përfundim të seancës së djeshme, gjyqtari i çështjes vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke lënë nën arrest me burg deri në përfundim të gjykimit dhe dhënies së vendimit, për të dyshuarin e krimit brenda familjes.
16 Gusht 2008