E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pazaret mes grekëve dhe italianëve kundër Shqipërisë në vitin 1920



Grekët ngurrojnë të firmosin Marrëveshjen Turke, sepse ajo i kthen Italisë ishujt e Egjeut, bashkë me popullsinë e tyre greke, të cilat Italia i ka mbajtur deri në verën e vitit 1912. Një marrëveshje e bërë midis Greqisë dhe Italisë nxori në dritë të gjitha pikat e saj për çështjen që ishte shtruar vitin e kaluar, kur Nitti ishte kryeministër i Italisë dhe Tittoni ministër i Jashtëm. Një nga pikat e marrëveshjes ishte dhënia e ishujve Greqisë pas vendosjes së paqes. Grekët paguan për ato; ata e shlyen përmes një marrëveshjeje që i caktonte Italisë një pjesë të konsiderueshme të këndit jugperëndimor të Azisë së Vogël. Në atë territor ka shumë grekë të mirë dhe pothuajse asnjë italian. Kërkesa e Italisë ishte ekonomike; Interesi grek ishte thjesht etnik. Gjithashtu nuk ishte pa vlerë, por kjo mund të dukej se grekët ishin disi më mirë në kërkesën e tyre.
Pazaret greko-italiane
Tani zoti Giolliti refuzoi të heqë dorë nga Egjeu. Kushtet kishin ndryshuar qëkur ishte bërë marrëveshja; njëra prej pikave të mëparshme ishte që t’i jepeshin Greqisë rajonet e njohura për grekët, si Epiri i Veriut, zonë e cila pretendohej nga shqiptarët si pjesa jugore e vendit të tyre. Italia e mbajti protektoratin në pjesën e mbetur të Shqipërisë dhe interesat greke dhe italiane në atë vend ishin bërë burim trazirash për një kohë të gjatë, por që tani së fundi duket se janë paqtuar.
Të dyja palët i llogaritën këto gjëra pa shqiptarët. Aty ishin shënuar dështime të trupave pushtuese italiane dhe fare rastësisht një gjë e tillë shmangu realizimin e plotë të planeve greke: Korça, thesari më i çmuar i të gjitha krahinave, u pretendua nga Greqia, por që sot ajo mbahet nga shqiptarët. Pa dyshim, Italia mund ta ripushtojë vendin, por me një kosto, e cila është shumë e rëndë për zotin Giolitti. Borxhet e rënda dhe shqetësimet sociale në vendin e tij duket se kanë ndikuar te ky udhëheqës për marrjen e një vendimi që ta lëshojë Shqipërinë në këtë kohë dhe të shpresojë te fati për të mbajtur nën kontroll Portin e Vlorës.
Lulëzimi i Greqisë
Ndonëse Italia, në këtë mënyrë, ishte duke humbur një pikë mbështetjeje në të cilën ajo ishte futur dhe në përmirësimin e së cilës ajo kishte harxhuar shumë, por ishte një pazar i mirë për të fituar, grekët ishin duke korrur sukses gjetkë. Ushtritë greke kanë pushtuar Jafar Tayar, duke hyrë në Adrianople dhe pothuajse konfiskuan të gjithë Thrakën. Forcat greke në Anatoli kanë pësuar dështime të rënda përballë Mustafa Qemalit, i cili zaptoi më shumë territore sesa Greqia, sipas Marrëveshjes së Konferencës së Paqes. Pakënaqësia rreth rritjes së një fqinji të padëshiruar mund të ndihmojë që të sqarojë ndryshimin e sferës italiane. Por këtu pakënaqësia është e pajustifikuar. Të nisesh qoftë edhe nga fakti se nuk ka siguri që grekët do t’i mbajnë këto zona shtesë të pushtuara. Ushtria greke bëri për Aleatët punën që nuk mundën ta bëjnë Anglia dhe Franca, kundër rezistencës së nacionalistëve turq. Trupat greke në Brusa dhe Alashehr ishin luftëtarë besnikë në të njëjtën fushatë kundër turqve, në të cilën Aleatët u ndodhën para armëpushimit kur ishte duke përfunduar puna që Allenby nisi në Megiddo.
Ata ishin duke bërë një shërbim në të gjithë Europën, duke përçarë dhe infiltruar besimin e nacionalistëve turq, për të cilët Fuqitë e Mëdha ishin thuajse të frikësuar në pranimin e rezistencës së tyre në vlerën që ata shfaqen; ata rritën prestigjin europian në një masë tejet të konsiderueshme përmes fitoreve të tyre. Dhe ata akoma janë duke operuar si Agjentë të Këshillit Suprem, gjë që e kanë bërë pa qenë të sigurt se do të kenë dëmshpërblim territoresh, apo diçka tjetër.
Skenarët e Italisë
Ndërsa italianët e shohin me disfavor luftën për të cilën zoti Nitti u përpoq t’u kthejë mendjen Aleatëve në Sanremo. Ata mund t’i lejojnë turqit të bëjnë punën e tyre dhe i paralajmëruan miqtë e tij francezë dhe britanikë se Italia nuk do të kontribuojë as me një ushtar të vetëm në drejtim të vendosjes së kushteve ndaj Mustafa Qemalit. Grekët kanë pohuar se trupat ushtarake turke, të lodhura nga lufta, gjetën strehim në zonën e ndikimit italian dhe atje ata u mbrojtën nga ushtritë italiane. Gjithsesi, kjo mund të jetë e vërtetë, pasi nuk ka dyshim se italianët në Anatolia vunë bast për kalorësin e gabuar. Tani ata janë duke u përpjekur të shlyejnë gjynahet për zhgënjimin e tyre nga mbajtja e Egjeut.
Megjithatë, ajo që nuk mund të mendohet është se ata nuk do të dorëzojnë Dymbëdhjetë Ishujt. Më 18 korrik sekretari i Giolittit dha një intervistë për korrespondentin e “The Chicago Tribune”, në të cilën ai riparashtroi pikëpamjet e shprehura nga kryeministri. Ky zotëri tha se zoti Nitti ishte përpjekur të mbajë çdo territor të përvetësuar, megjithëse një gjë e tillë mund të jetë e justifikuar ose jo; por zoti Giolitti ishte merakosur me rivendosjen e ekuilibrit ekonomik. Egjeu mund t’i kthehej Greqisë në shkëmbim të lëndëve të para, grurit, kredive dhe parave. Megjithëse i kishin blerë një herë e një kohë përmes formave të koncesioneve territoriale, grekët tani duhet t’i blejnë ishujt sërish. Greqia nuk mund të sigurojë grurë, lëndë të para, kredi dhe as shumë para. Franca, Anglia dhe Amerika duhet t’ia blejnë Italisë këto ishuj në të cilët 90 për qind e popullsisë janë grekë dhe asnjë italian, me përjashtim të ushtrisë dhe zyrtarëve administrativë. Nevoja e Italisë për grurë, lëndë të parë dhe kredi, në të vërtetë mund të jetë dëshpëruese nëse ata duhet të jenë të pajisur me mjete të përshtatshme, të tilla si këto. Italia ka nevojë për dhe duhet t’i ketë ato, por e ka të vështirë t’i marrë me mënyra të tilla. Një respektim disi më skrupuloz i angazhimeve të vjetra mund të nxisë besimin e Fuqive që i kanë këto mundësi më tepër sesa qëllimin që të rigjejnë terrenin e humbur, kur Italia i mori turqit kaq seriozisht.

Shkrimi është botuar në “The New York Times” më 1 gusht 1920
Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: “Greqia dhe Italia”
Përgatiti: Albert Gjoka

16 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›