E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monitorimi, Durrësi dhe Golemi plazhet më të ndotura



Emanuela Sako
Plazhet e Durrësit dhe i Golemit në krye të listës së plazheve më të ndotur të vendit. ISHP-ja dhe Ministria e Mjedisit kanë kryer inspektime në 9 plazhet më të mëdha të vendit nga të cilat janë përcaktuar plazhet më të ndotura dhe më të pastra. Etleva Canaj, specialiste në Agjencinë e Mjedisit shprehet se janë kryer monitorime në 71 stacione, nga të cilat është vënë re se përqendrimi më i madh i zonave të ndotura është në plazhin e Durrësit dhe të Golemit. Arsyet e ndotjes janë hotelet dhe restorantet pranë bregdetit, të cilat shkarkojnë ujërat e zeza në det, si dhe mbetjet inerte. Ndërsa mbipopullimi i plazheve është një faktor tjetër ndikues në ndotjen e plazheve. Papastërtia, shpeshherë është bërë shkak për marrjen e një sërë infeksionesh.
Plazhet e pastra
Strukturat shëndetësore dhe mjedisore kanë përcaktuar edhe zonat më të pastra, ku qytetarët mund të bëjnë pushimet verore në ujin e pastër. Nga monitorimi i plazheve, Dhërmiu, Himara dhe Borshi, aktualisht rezultojnë si plazhet më të pastra në vendin tonë. Specialistët theksojnë se në këto plazhe të pastra ndikim ka dhe numri më i ulët i pushuesve, si dhe mungesa e pushuesve ditorë që mendohet se bëjnë ndotjen më të lartë të plazheve. Kryesisht plazhet rezultojnë më të ndotura gjatë fundjavës, ku rritet fluksi i pushuesve. Autoritet u kanë bërë thirrje subjekteve që të tregohen më të përgjegjshëm për ndërtimet që janë bërë në bregdet në mënyrë që të shmanget ndotja nga plazhet. Njëkohësisht të shmanget edhe marrja e infeksioneve gjatë pushimeve.
Përgjegjësit
ISHP-ja dhe Ministria e Mjedisit ka cilësuar si një ndër përgjegjësit kryesor pushtetin vendor në këto qytete, të cilët duhet të marrin masa për përmirësimin e situatës në plazhet e ndotura. Sipas këtyre strukturave, e vetmja zgjidhje për pastrimin e zonave në plazhe, janë projektet që duhet të ndërmarrë pushteti vendor. Ndërkohë që pushuesit këtë verë duhet të kenë kujdes, aty ku janë vendosur tabelat nga bashkitë, për të mos e frekuentuar atë zonë, për të shmangur epidemitë. Por edhe pse specialistët japin lajme nga monitorimet e vazhdueshme, për një ndotje të plazheve, plazhet e Durrësit vazhdojnë të kenë një fluks tepër të lartë pushuesish.

16 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›