E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alonso e bën sefte

Fernando Alonso ka triumfuar në garën për Shpërblimin e Madh të Britanisë së Madhe. Piloti spanjoll ia solli Ferrarit fitoren e parë të sezonit, pas nëntë garash. Ish kampioni i botës ishte më i shpejtë se ngasësit e Red Bullit, Sebastian Vettel dhe Mark Webber. Nga Express më 10 korrik 2011 në ora 18:16

Fernando Alonso është fitues i garës për Shpërblimin e Madh të Britanisë së Madhe, e cila u mbajt të dielën në Silverstone. Piloti spanjoll, me veturën 375 Froilan Gonzalez, ia ka sjellë fitoren e parë sezonale ekipit të tij Ferrari, në garën e nëntë të këtij sezoni.

Pikërisht në Silverstone, Ferrari e kishte fituar garën e parë në histori të vetë. Ish kampioni i botës ishte stabil dhe e shfrytëzoi gabimin e ngasësve të Red Bullit.

“Ne patëm vështirësi në rrugën e lagësht, por ishim të shpejtë në atë të tharë. E dija se më duhej ta mbaja veturën në pistë, ngase nuk dëshiroja të bëja ndonjë gabim. E dija se kishim shpejtësi të mjaftueshme për të luftuar për fitore dhe ajo arriti. Qëndruam të qetë dhe e dinim se mundësitë tona do të vinin në fund”, deklaroi piloti i Ferrarit.

- “Nga tash duhet ta sulmojmë vazhdimisht Red Bullin. Duhet të mundohemi ta fitojmë çdo garë, të jemi agresivë dhe ta ruajmë strategjinë tonë deri në maksimum”, vazhdoi Alonso.

Ai e ka lënë prapa kampionin aktual Sebastian Vettel, ndërsa i treti përfundoi Mark Webber, po ashtu nga Red Bull. Lewis Hamilton përfundoi i katërti, ndërsa Felipe Massa ishte i pesti. Garën prej 52 xhirosh Alonso e mbylli për kohën 1 orë, 28 minuta, 41 sekonda dhe 196 të qindtat.

Edhe pse përfundoi i dyti, kampioni i botës, Sebastian Vettel vazhdon të prijë në renditjen e përgjithshme të pilotëve, i ndjekur nga Jenson Button e Mark Webber. Ndërsa, në renditjen e konstruktorëve i pari mbetet Red Bulli me 295 pikë, i përcjellë nga McLaren (206) e Ferrari (129).

Gara e Britanisë së Madhe
1. F. Alonso1:28:41.196
2. S. Vettel+ 16.511
3. M. Webber+ 16.947
4. L. Hamilton+28.968
5. Felipe Massa+29.010

Renditja e pilotëve
1. S. Vettel204 pikë
2. M. Webber124
3. F. Alonso112
4. L. Hamilton109
5. J. Button109

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›