Kolegjet shndërrohen prapë në universitete?

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja duket që ka filluar të përmirësojë gabimet e paraardhësit të tij Enver Hoxhaj sa i përket institucioneve private të arsimit të lartë në Kosovë.
Tani MASHT është duke u angazhuar që institucionet private të arsimit të plotësojnë kriteret dhe nga emërtimi kolegje, të quhen universitete, ashtu siç edhe parashihet me ligj.
Ministri i Arsimit në mandatin e Qeverisë Thaçi 1, Enver Hoxhaj pas një rekomandimi nga Agjencia për Akreditim pato bërë një shmangie të ligjit dhe shumica e universiteteve private me një vendim të tij u patën emërtuar kolegje.
Sipas ligjit mbi arsimin e larë, universitet mund të quhet një institucion që ka mbi 3000 studentë dhe pesë fakultete dhe atë kohë këtë titull e mori Universiteti AAB-Riinvest dhe Universiteti Amerikan.
Përfaqësuesi për arsim në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Jonuz Salihu thotë se atë kohë Hoxhaj kishte shkelur ligjin, pasi që disa institucione private që plotësonin kushtet ishin emërtuar pa të drejtë kolegje apo institute.
“Atëherë është shkel ligji, sepse ka disa institucione që kanë pas mundësi të jenë universitete dhe janë akredituar si kolegje universitare, si institute”, ka thënë ai.
Zyrtarët e MASJHT-it thonë se tani ministri Ramë Buja ëhstë duke u interesuar që institucionet private të arsimit të plotësojnë kriteret dhe të marrin emërtimin e duhur ashtu edhe siç parashihet me ligjin mbi arsimin e lartë.
Ndërkaq rektori i universitetit privat AAB-Riinvest, Lulzim Tafaj ka thënë për Kosovapress se nuk ekziston termi kolegj në ligjin për licencimin e bartësve privat të arsimit të lartë.
“Në rend të parë kemi tani një mospërputhje ligjore, dispozitave të cilat i ofron dhe që i ka Ligji mbi Arsimin e Lartë dhe udhëzimi administrativ për licencimin e bartësve privat të arsimit të lartë, sepse kolegji si term nuk është i njohur për ligjin, megjithatë ka ekzistuar një vendim i ministrisë së arsimit që për kohën para katër vite asnjë institucion mos të mund të bartë emrin universitet”, ka thënë Tafaj.
Edhe eksperti për arsimin e lartë në Kosovë, Dukagjin Popovci ka thënë për Kosovapress se emërtimi kolegj nuk ekziston në ligjin për arsimin e lartë.
“Mendoj që ky më tepër ka qenë një vendim politik, se sa që ka ndonjë prapavi ligjore ose që ka ndonjë arsyeshmëri në sigurimin e cilësisë”, ka thënë Popovci.
Megjithkëtë institucionet private të arsimit të lartë kanë mbetur ende në nivelin e kolegjeve dhe nuk dihet se kur do të shfuqizohet vendimi i ish ministrit Enver Hoxhaj dhe kur do të fuqizohet një vendim tjetër që të gjitha kolegjet të quhen universitete.
Universitetet publike dhe institucionet tjera të arsimit të lartë privat ditë më parë, kanë marrë vlerësimet e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AAK) për riakreditim dhe akreditim të programeve. /kosovapress/