Alonso, mes përgatitjeve të sezonit dhe modeles bukuroshe, Xenia
Pak ditë pasi është ndarë nga gruaja e tij, piloti i Ferrarit është parë në shoqërinë e zviceranes
Kampioni i Ferrarit duket se ka nisur një lidhje me bukuroshen Xenia Tchoumitcheva, zvicerane me orgjinë ruse. Janë parë dhe fotografuar shpesh së bashku, foto që i kanë publikuar edhe në rrjetet e ndryshme sociale."Jemi super miq", ka thënë 22-vjeçarja. Por mos harrojmë, Alonso është ndarë së fundmi nga gruaja e tij.
Mund të jetë një modele zvicerane në qendër të origjinës së divorcit të Fernando Alonsos nga gruaja e tij. Spanjolli, që ka deklaruar ndarjen pas 5 vjetësh nga gruaja e tij, këngëtarja Raquel del Rosario, është parë shpesh në fotografi së bashku me të mrekullueshmen Xenia Tchoumitcheva, 22-vjeç, që është parë në krah të pilotit në garën e Abu Dabit, ndërsa më pas janë parë në Madrid në një koncert të Bob Sinkler. Xenia Tchoumitcheva, që është shumë e njohur në Zvicër për fushatat e saj publicitare, jeton në Lugano, në të njëjtin qytet ku Alonso e Raquel kanë jetuar deri një vit më parë. Vetë modelja ka deklaruar se e njeh Alonson dhe ka marrë pjesë në festën e fundit të Ferrarit ku ka qëndruar deri në 5 të mëngjesit. Por pyetjes direkte në lidhje me kampionin e Formula 1, ajo është përgjigjur shkurt: "jemi vetëm super miq".
Piloti: Po punojmë për titullin kampion
Fernando Alonso ka “arshivuar” shumë shpejt sezonin zhgënjyes, duke parë me optimizëm botërorin e 2012 të Formula 1. Piloti spanjoll i Ferrarit dështoi në objektivin për t?u kthyer te titulli kampion përballë Sebastian Vettel, ndërsa lëshon që tani sfidën në drejtim të gjermanit. "Ishte një vit i vështirë për mua dhe skuadrën, pasi rezultatet nuk ishin ato që kërkonim. Nuk fituam atë që donim, por nga gabimet mësohet dhe skuderia po punon për të ndërtuar një makinë kompetitive për sezonin e ardhshëm”, ka bërë të ditur Alonso. Dy herë kampioni i botës, e mbylli sezonin 2011 të Formula 1 në vendin e katërt të klasifikimit të përgjithshëm, pas Sebastin Fetel, Xhenzon Buton dhe Mark Veber. Por sipas spanjollit, sezoni i ardhshëm do të jetë ndryshe dhe do të jenë rivalët e tij ata që do ta ndjekin pas në renditje. “Fetel e ka merituar suksesin pasi zhvilloi një sezon konstant. I ndryshëm ishte për ne, që patëm shumë probleme teknike që shpresoj se nuk do t’i shohim vitin e ardhshëm. Me skuderinë po punojmë për t’u kthyer sërish te titulli kampion.”- ka përfunduar Alonso. Botërori 2012 i Formula 1 do të nisë në muajin mars me garën për Çmimin e Australisë, që do të zhvillohet në Melburn.
Makina e re, më 3 shkurt
Shefi i Ferrarit, Luda Di Montezemolo ka konfirmuar se skuadra do ta prezantojë njëvendëshen e saj të re për vitin 2012 më 3 shkurt, ditë e premte. “Jam shumë i pakënaqur me atë që ndodhi në sezonin e fundit” tha Montezemolo për Sky Sports. “Prandaj, objektivi ynë është që sërish të jemi konkurrentë dhe kam besim të plotë te njerëzit tanë dhe aftësitë e tyre për reagim”, shtoi ai. Skuadra nga Maranelo ka paralajmëruar se do të aplikojë një dizajn më agresiv për makinën e vitit 2012.