Lorik Cana: Mezi pres ndeshjen ndaj Zvicrës! De Biazi zgjedhje e mirë, grupi E është i fortë
Mesfushori kuqezi i Lacios, analizon edhe situatën e tij te formacioni bardhekaltër, ku nuk ka pasur shumë hapësirë. Sidoqoftë, ai shpreson që viti 2012 të jetë më i mbarë
De Biasi, Zvicra dhe Lacio. Është ky trekëndëshi i mendimeve të mesfushorit dhe kapitenit të Shqipërisë, Lorik Cana. Mesfushori që ka përjetuar një vit të përshtjelluar, uron që 2012 të jetë shumë më i mbarë. Megjithatë, në tre momente është fokusuar ai, ku për secilën uron më të mirën.
Lojtari i kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, ka folur për ndeshjen eliminatore kundër Zvicrës, por dhe për emërimin e Xhani De Biazit si trajner i ri i kombëtares. Për të ndeshja eliminatore për Botërorin 2014 kundër Zvicrës do të jetë e veçantë, por jo sepse tek ekipi "helvetik" luajnë pesë shqiptarë. Cana ka arsye të tjera. "Unë veçoj këtë ndeshje jo për faktin se aty luajnë shumë shqiptarë, por sepse stadiumi do të mbushet plot me shqiptarë. Pastaj, unë jam rritur në Zvicër dhe debutimi im zyrtar me ekipin kombëtar është bërë po në Zvicër, në një ndeshje ku kishte plot 15 mijë tifozë", ka thënë Cana. Mesfushori e ka vlerësuar të vështirë grupin e Shqipërisë ku bëjnë pjesë edhe Norvegjia, Qiproja, Sllovenia e Islanda, por ai ka besim në punën e trajnerit të ri.
"Ne do ta kryejmë punën tonë për t'ia lehtësuar punën atij. Cilësia e futbollit italian është në nivel të lartë dhe sigurisht se do të takohem me trajnerin dhe të bisedojmë rreth bashkëpunimit për të ardhmen e Kombëtares", ka thënë Cana, shkruna sot “Koha Ditore”
Situata te Lacio
Mesfushori kosovar, Lorik Cana, pret që viti 2012 të jetë shumë më ndryshe se ky që po lë pas. Ai shpreson që telashet e këtij viti të mos e përcjellin edhe më 2012. Mesfushori Cana, ndodhet për vizitë në Kosovë, ndërkohë që pas kthimit në Itali, për pjesën e dytë të kampionatit, ai shpreson që të bëhet i pazëvendësueshëm te Lacio. Në vjeshtë nuk ishte i tillë, pati shumë probleme, por ai thotë se kjo është gati normale, meqë ka të bëjë me një mjedis krejtësisht të ri. "Si ekip jemi duke shkuar mirë, pasi jemi në mesin e skuadrave më të forta në tabelë", ka thënë Lorik Cana për mediat kosovare, vetëm pak çaste pasi mori nderimin me mirënjohje të veçantë nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. "Unë në fillim e pata të vështirë, por nga ndeshja në ndeshje po aktivizohem më shumë dhe kjo më bën të lumtur. Jam optimist për të ardhmen që më pret te Lazio. Në të kaluarën gjithmonë kam qenë titullar i pazëvendësueshëm te cilado skuadër që kam luajtur dhe unë jam i sigurt se edhe te Lacio do të më vijë rasti të luaj. Dëshira ime është të luaj çdo ndeshje si titullar". Cana, 28-vjeçar, te Lacio u transferua gjatë verës nga gjiganti turk Gallatasaraji. Ai, me fanellën e Lacios këtë sezon, shënoi një gol në shtatë ndeshje në Serie A, ndërsa gjashtë ndeshje ka zhvilluar edhe në Europa Ligë. "Ne jemi ende në garë për Kupën e Italisë, po ashtu në Europa Ligë do të ndeshemi kundër Atletiko Madridit. Unë jam duke u aktivizuar dhe shpresoj të vazhdoj në këtë rrugë", ka shtuar ai.
Transferimi i tij nga Turqia në Itali, u përcoll me shumë bujë, por mesfushori i kombëtares pati probleme për të zënë vend në përbërjen e parë, shkaku i konkurrencës së fortë në pozitën ku aktivizohet ai.