E Diel, 1 Nëntor 2026

Pelegrini: Champions, prioriteti i Realit

Manuel Pelegrini e ka nisur në mënyrë fantastike aventurën si trajner i Realit të Madridit. "Merengues" kryesojnë në kampionatin spanjoll përkrah Barcelonës, me pesë fitore radhazi dhe fituan 5:2 në ndeshjen e parë të grupeve në Champions, në fushën e Zyrihut. Por, 56-vjeçari nga Kili pranon se më e rëndësishme është sesi "galaktikët" do ta mbyllin sezonin, duke shtuar se prioriteti i këtij sezoni është triumfi në Ligën e Kampioneve, pasi finalja e këtij edicioni luhet në "Santiago Bernabeu".

Është triumfi në Champions objektivi juaj kryesor?

Po, sepse kjo do të ishte hera e dhjetë që Reali e fiton trofeun, por edhe se finalja luhet në stadiumin tonë. Kemi krijuar një skuadër të jashtëzakonshme, me synimin që të triumfojmë në aktivitetin më prestigjioz për klube në Europë.

Ju kanë entuziazmuar rezultatet e arritura deri më tani?

Pa dyshim. Ka kaluar shumë kohë nga edicioni i fundit që Reali e ka nisur mbarë aventurën në Ligën e Kampioneve. Presioni është i madh, pasi jemi mes favoritëve të këtij sezoni. E shohim si një sfidë të madhe fitimin për herë të dhjetë të kësaj kupe në stadiumin tonë, por jemi të gjithë optimistë.

Si e vlerësoni grupin tuaj, duke qenë se aty luajnë tri skuadra që e kanë fituar këtë trofe, ku përveç Realit janë edhe Milani dhe Marseja?

Këto janë skuadra të mëdha, të cilat besojnë se mund ta fitojnë Champions-in. Por, duhet t‘i trajtosh kundërshtarët me të njëjtin respekt, pavarësisht nga emri: si në rastet kur bëhet fjalë për Zyrihun ashtu edhe për Barcelonën.

Reali nuk arrin në çerekfinale që prej sezonit 2003/‘04. Cilat mendoni se janë shkaqet?

Nuk mendoj se jam personi i përshtatshëm të flas rreth këtyre problemeve, pasi në këtë periudhë nuk kam qenë pranë skuadrës. Më intereson vetëm ecuria e ekipit në sezonin aktual. Gjithsesi, një gjë është e sigurt: ky klub nuk mund t‘ia lejojë vetes të eliminohet menjëherë pas ndeshjeve në grupe.

Do të ishte dështim nëse nuk arrini në finale?

Nuk më pëlqen të mendoj për situata negative, për aq kohë sa gjithçka po shkon mirë. Nëse nuk do ta arrijmë objektivin tonë kryesor, e fatmirësisht besoj se kjo nuk do të ndodhë, do të analizojmë situatën për të parë nëse bëhet fjalë për dështim apo për mungesë fati. Por, besojmë se kemi potencialin që të luajmë në finale.

Sa i vështirë është menaxhimi i kaq shumë yjeve në skuadër?

Aspak: ata nuk do të ishin lojtarë të mëdhenj, nëse nuk do të ishin më parë njerëz të mëdhenj. Kemi krijuar një skuadër të nivelit botëror, janë ende edhe shumë ndeshje për t‘u luajtur e nëpërmjet rotacionit secili lojtar do të ndihet pjesë e rëndësishme e grupit. Grupi është më i rëndësishëm se individualitetet dhe bisedojmë me futbollistët, që ata ta kenë të qartë. Kemi potencialin të fitojmë të gjithë trofetë.

Cili lojtar ju ka bërë më shumë përshtypje?

Të gjithë janë lojtarë të mëdhenj. Secili prej blerjeve të reja, Ronaldo, Kaka, Benzema, ka qenë një lider në klubin ku luante. Sfida e vërtetë është gjetja e formulës që ata të luajnë përkrah njëri-tjetrit. Por, nuk duhet të harrojmë futbollistët e mëdhenj që luanin në Madrid.

Sezonin e kaluar Barcelona fitoi tre titujt. Si mund t‘i kundërpërgjigjet Reali?

Duke luajtur futboll më të bukur. Në pesë vitet që kalova te Vijareali, skuadra ime luante mirë. Edhe ndeshjet me Barçën ishin mjaft të ekuilibruara. Do të përdor disa "armë" të fshehta për të kaluar katalanët dhe të gjitha skuadrat e tjera, në mënyrë që t‘i siguroj tifozëve lojën spektakolare; ata duhet të largohen nga stadiumi të lumtur. Për më tepër, është e vështirë të realizosh objektivat, pa lojë të bukur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›