E Diel, 1 Nëntor 2026

Agim Canaj zëvendëson Ilir Qirjakon te Gramozi

Kampionati shqiptar konfirmohet si aktiviteti i çudive: ndonjëherë, trajnerëve nuk i mjafton as fitorja që të ruajnë vendin e punës. Një gjë e tillë ka ndodhur me Gramozin, debutuesin në Superiore. Me një vendim të papritur, drejtuesit e klubit kolonjar vendosën të largojnë trajnerin Ilir Qirjako, duke i besuar stolin Agim Canajt. Askush nuk e ka shpjeguar këtë vendim, që erdhi vetëm pak orë pas fitores 2:0 me Flamurtarin, e cila i dha skuadrës nga Erseka fitoren e parë historike në elitë dhe tri pikët e para sezonale. Canaj duket se është favorizuar prej "CV"-së së pasur (ku së fundmi ka drejtuar Vllazninë, por ka punuar edhe te Dinamo, Flamurtari, Shkumbini e Besa), por edhe sepse e njeh mirë Kategorinë Superiore. Qirjako në anën tjetër, bëhet trajneri i tretë i larguar në fillim të kampionatit, pas Gugash Maganit i larguar nga Shkumbini dhe Eqerem Memushit të shkarkuar nga detyra të Flamurtari.

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›