E Diel, 1 Nëntor 2026

"Rebelimi" i Hasan Likës: Nuk jam unë e keqja e Vllaznisë

Tre humbje në pesë ndeshjet e para të kampionatit, vetëm një gol i shënuar në 450 minuta lojë dhe vendi i parafundit në klasifikimin e Kategorisë Superiore (me 4 pikë) janë shifrat që tregojnë qartësisht se Vllaznia është në krizë. Skuadra është kritikuar ashpër nga presidenti Fushaj për startin e dobët të sezonit, ku në qendër të kritikave përveç lojtarëve ka qenë edhe stafi teknik. Por, edhe pse pranon përgjegjësitë e tij, trajneri Hasan Lika "rebelohet" ndaj drejtuesit më të lartë të klubit, duke deklaruar se ai nuk është e keqja e skuadrës. "Kur skuadra funksionon dhe merr rezultatet e dëshiruara, trajneri gjithmonë qëndron disi në hije, meritat e tij harrohen. Por, sa herë që gjërat nuk ecin ashtu si të gjithë dëshirojnë, trajnerët dhe ndihmësit e tyre bëhen shkaktarët kryesorë", deklaroi Lika. "Gjithsesi, dua të them se unë nuk jam e keqja e Vllaznisë. Natyrisht që kam pjesën time të përgjegjësisë, por situata duhet analizuar në tërësi dhe përgjegjësitë duhen ndarë. Së bashku me stafin teknik kemi punuar me përgjegjësi e profesionalizëm, duke dhënë gjithçka për skuadrën". Në fundjavën e ardhshme shkodranët do të jenë të impenjuar në një tjetër transfertë të vështirë: ata do të luajnë në fushën e Flamurtarit, që kërkon me patjetër fitoren.

e. kodheli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›