E Diel, 1 Nëntor 2026

Alpha Bank pëson rënie, do marrë 5 miliardë euro nga qeveria greke

Nga Reuters

Banka e tretë më e madhe greke, Alpha Bank, bëri me dije se ka pësuar një rënie të lehtë të fitimeve të saj neto në nëntë muajt e parë të këtij viti dhe për këtë shkak ajo njoftoi se do të pezullojë zgjerimin e saj në Evropën Lindore. Kriza ekonomike botërore ka pjesën e saj të rëndësishme në këtë vendim. Alpha Bank tha se ajo do të marrë masa që të mos dëmtohet nga kriza e kredive, e cila deri më tani nuk i ka prekur huadhënësit kryesorë grekë. Banka tha se ajo mund të përfitojë nga fondi i parave që qeveria greke ka caktuar për të ndihmuar bankat në rast se do të ketë shenja të krizës. “Ne jemi duke marrë masa konkrete për t’u përgatitur dhe për të qenë gati, kur mjedisi ekonomik të përkeqësohet”, - tha drejtori i Alpha Bank, Dimitris Matzounis, në një deklaratë të publikuar dje.” Ne po ndërtojmë, do me thënë po krijojmë një rezervë për humbjet nga kreditë, para se kushtet në sistemin e kredive të dobësohen.” Fitimi i nëntë muajve ra me 3,6 %, ndërsa dhënia e kredive është ngadalësuar dhe të ardhurat po ashtu u dobësuan, tha banka. Analistë të bankave, të pyetur nga agjencia e lajmeve Reuter, thanë se ata po prisnin që fitimi të mbërrinte në 579,8 milionë euro. Por interesi i nëntë muajve është rritur më shumë se sa pritej. Rritja e kredive dhe depozitave në periudhën nëntëmujore mbeti e fortë dhe më shumë sesa pritshmëritë”, - tha Natasa Roumantzi, analiste e Piraeus Securities. “Ne po presim që zgjerimi i kredive të bjerë gjatë çerekut të fundit të vitit.” Alpha Bank është institucioni i parë bankar i rëndësishëm që deklaron se do të marrë pjesë dhe t’i kërkojë ndihmë planit të qeverisë prej 28 miliardë eurosh. D.m.th., që do të përfitojë nga plani i qeverisë, i cili kryesisht synon të injektojë fonde në ekonominë e ngadalësuar greke. “Ne presim që Alpha Bank të marrë rreth 5 miliardë euro për likuiditet, 800 milionë nga të cilat do të jenë kapital”, - tha Marinos Yannapoulos, një prej drejtuesve kryesorë. Alpha Bank ka aktivitet të gjerë në të gjithë Ballkanin dhe është njëra prej bankave të rëndësishme edhe në Tiranë. Alpha Bank ka siguruar një sasi të madhe depozitash të klientëve të saj në Tiranë dhe po ashtu një kategori tjetër klientësh janë subjekte që kanë marrë kredi nga kjo bankë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›