E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha nën akuzë, rrezikon shtatë vjet burg

Nga Armand Maho

Ish-ministri i Transporteve, aktualisht ministër i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, do paraqitet nesër në prokurori për t’u njohur me akuzat që janë ngritur ndaj tij. Lajmi është konfirmuar nga prokuroria, ndërkohë mbrojtësit ligjorë të Bashës thonë se prokuroria po ndërmerr një veprim politik, pasi gjykata me një vendim të para disa ditëve nuk ia lejon një gjë të tillë. Por burime pranë prokurorisë thonë se çështja është në Apel dhe nuk është dhënë ende një vendim për hetimet, ndërkohë që për Bashën janë grumbulluar provat e nevojshme për të ngritur akuzën për shpërdorim të detyrës, duke rrezikuar kështu burgim deri në shtatë vite.

Lajmi për marrjen të pandehur të Bashës, fillimisht, ka dalë nga avokati i zotit Basha, zoti Zef Nikaj, i cili iu ka dërguar mediave shqiptare një deklaratë. Hetimet rreth kësaj çështjeje kanë më shumë se një vit që kanë filluar. Së bashku me zotin Basha janë hetuar dhe disa zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, por dy prej tyre janë liruar nga akuzat.

Ende nuk është bërë e qartë se në çfarë shumash është abuzuar, por flitet për shifrën e 230 milionë eurove, afro një e katërta e kostos së deritanishme të veprës. Ministri aktual i Transporteve ka pranuar në një intervistë të para disa kohëve se kostoja do shkojë rreth 580 milionë euro, por tashmë kjo shifër po shkon drejt dyfishimit. Po dje, Ministria e Transporteve ka reaguar në lidhje me këtë çështje duke përmendur disa rrugë të ndërtuara në rajon që janë po kaq të shtrenjta e në mos më shumë.

“Në Kroaci, segmenti Krapina - Macelj pati një kosto prej 15 milionë eurosh për kilometër, në Slloveni, rruga Sentiv - Koseze kushtoi 240 milionë euro për 4.5 kilometra, pra 55 milionë euro për kilometër, në Sllovaki rruga Sverepec - Vrtizer kushtoi 300 milionë euro për 9.5 kilometra, pra 31 milionë euro për km, në Poloni seksioni autostradal S8 kushtoi 1 miliard ose 100 milionë dollarë për km, në Suedi autostrada Sodra, 6 km, kushtoi 850 milionë euro, ose 140 milionë euro për km, në Holandë, rruga Delft - Rotterdam, 7 km e gjatë ka kushtuar 700 milionë euro, pra 100 milion euro për kilometër”, - tha zëdhënësja e kësaj ministrie.

Që prej fillimit të hetimeve rreth kësaj çështjeje nga prokuroria shqiptare, ministri Basha e ka hedhur poshtë implikimin e tij në një aferë korrupsioni. Ai ka thënë se është i gatshëm të japë sqarime në prokurori.

Vitin e kaluar, parlamenti hoqi imunitetin e zotit Basha, menjëherë pasi ishte shkarkuar ish-kryeprokurori, Theodhori Sollaku. PD u shpreh në atë kohë se ky ishte një vendim politik në të mirë të transparencës. Opozita shqiptare vazhdimisht e ka quajtur ndërtimin e rrugës Durrës - Morinë një aferë të pastër korrupsioni dhe e ka cilësuar zotin Basha si një nga personat më të rëndësishëm të implikuar në këtë aferë.

Ende nuk është e qartë, nëse ndaj zotit Basha do të merret ndonjë masë sigurie për kryerjen e mëtejshme të hetimeve. Por, si në rastin e heqjes se imunitetit do të duhet që prokuroria t'i drejtohet parlamentit.

I pandehuri Basha takon Rehn dhe Scheffer

Në një kohë kur Tirana është mbërthyer nga informacionet në lidhje me marrjen të pandehur të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, ky i fundit ndodhej në Bruksel duke takuar funksionarë të lartë të kryeqendrës evropiane. Pa imunitet e tashmë nën akuzë për shpërdorim detyre, Basha ka takuar zyrtarin më të lartë të NATO-s, Sekretarin e Përgjithshëm, Jaap de Hoop Scheffer. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme, Scheffer e ka vlerësuar shumë pozitivisht ritmin me të cilin po nënshkruhen protokollet e anëtarësimit të NATO-s për Shqipërinë, nga vendet anëtarë të Aleancës,

duke u shprehur i bindur se në samitin e ardhshëm të qershorit 2009 në Strasburg do të arrihet anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO.

Po të martën, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, gjatë vizitës së tij në Bruksel është takuar edhe me komisarin evropian për Zgjerimin, Olli Rehn. Pas takimit ata kanë dhënë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku u vlerësuan arritjet e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian, por edhe sfidat që ajo ende ka përpara.

Mësohet se Rehn ka theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare për vendin tonë. Ai ka kërkuar nga pozita dhe opozita që të angazhohen për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Rehn ka deklaruar se është e nevojshme që të fitohet lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Tabloja e përgjithshme e marrëdhënieve BE-Shqipëri është inkurajuese. Shqipëria ka bërë përparim në drejtim të demokracisë dhe shtetit ligjor. Mbetet më shumë punë për t’u bërë, sidomos lidhur me kulturën demokratike dhe pavarësinë e institucioneve shtetërore, shtetin ligjor, si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mbeten mjaft sfida të rëndësishme. Realizimi i përgatitjeve dhe zhvillimi i duhur i zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm, në përputhje me standardet ndërkombëtare është kusht kyç për përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën e saj evropiane. Në këtë kontekst, Komisioni mirëpriti miratimin e Kodit të ri Zgjedhor nga parlamenti shqiptar. Ne do të bëjmë vlerësimin tonë mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare mbi bazën e monitorimit të zgjedhur që do të kryhet si zakonisht nga OSBE dhe ODIHR. Kjo ishte një çështje e rëndësishme e bisedimeve tona të sotme me ministrin Basha, të cilën unë e diskutova në telefon javën e kaluar edhe me kryeministrin Berisha”, - tha Rehn.

Ndërsa duke folur në lidhje me mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE nga Shqipëria, Rehn tha se një gjë e tillë do ndodhë, kur të jetë momenti i duhur, pa përcaktuar se kur do jetë ky moment. “Takimi i ardhëm i Këshillit Evropian do të merret me pasojat e krizës financiare, si dhe me një reagim të duhur e të bashkërenduar evropian ndaj kësaj krize. Ai do të merret me çështjen e ratifikimit të Traktatit të Lisbonës dhe hyrjen e tij në fuqi. Siç ju thashë, çdo gjë në jetë ka kohën e vet, ndaj mund të ndodhë që Këshilli Evropian i muajit dhjetor të mos fokusohet në mënyrë të veçantë mbi zgjerimin e BE. Kjo është shpallja e një fakti, e një realiteti. Duke thënë këtë, Shqipëria, ashtu si dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ka një perspektivë evropiane me objektivin e saj përfundimtar anëtarësimin, kur ky vend të plotësojë të gjitha kushtet e aderimit në BE. Për këtë arsye, është fare logjike që në një moment të caktuar kohor, kur të jetë pjekur momenti, Shqipëria të bëjë kërkesën”, - tha Rehn.

“Mjaft!”: Nuk mund të përfaqësohemi në botë nga Basha

Lëvizja “Mjaft!” kërkoi dje largimin e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, nga kabineti qeveritar. Përmes një qëndrimi zyrtar, “Mjaft!” vuri theksin te humbja e legjitimitetit dhe aftësisë morale dhe publike të Bashës për të përfaqësuar vendin në nivel ndërkombëtar.

“Më në fund pamë një akt konkret nga ana e prokurorisë në këto 18 vjet pluralizëm, i cili përbën një shembull model për hetimin e korrupsionit. Dëshmi e një procesi ligjor, transparent dhe publik - jo në nivelin e shantazheve të ndërsjella në sallën e Kuvendit, apo të spoteve patetike qeveritare”, - tha aktivisti i “Mjaft!”, Leart Kola

Ndërkaq, mijëra shqiptarë në mbarë vendin kanë hedhur firmat në peticionin e realizuar nga “Mjaft!” për largimin e Bashës.

Leart Kola vijoi duke theksuar se ministri Basha, si i akuzuar për shpërdorime shumëmilionëshe, nuk kualifikohet më si kryenegociator i integrimit të vendit, aq më pak i mbrojtjes së interesave të shqiptarëve jashtë kufijve politikë.

“Kjo lidhje perverse, nepotike e kryeministrit me ministrin e tij të preferuar, duhet të marrë fund me dorëheqje ose shkarkim”, - vërejti Kola, duke shtuar se “ne jemi të ndërgjegjshëm që largimi i Bashës, përveçse karakter politik ka edhe karakter të fortë estetik”.

“Ministri që buzëqesh, me largimin e tij, do t’u kthejë pakëz buzëqeshje shqiptarëve”, - përfundoi aktivisti i “Mjaft!”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›