E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alpha, kompania fantazmë

Rezulton në emër të shtetasit serbo-boshnjak Damir Fazliç dhe është krijuar dy ditë pas kompanive të naftës dhe nuk raporton për asnjë lloj aktiviteti tregtar

TIRANË - Çuditë me bizneset e serbo-boshnjakut Damir Fazliç në Shqipëri nuk kanë të sosur. Pas publikimit nga “Korrieri” të një manovre që miku i kryeministrit të Shqipërisë kishte bërë me katër kompani karburantesh, zbulohet një tjetër aktivitet i dyshimtë i Damir Fazliç. Bëhet fjalë për kompaninë “Alpha”, e cila rezulton e regjistruar në QKR më datë 10 shtator të vitit të shkuar, por çuditërisht për këtë biznes nuk ka asnjë dokument që të vërtetojë aktivitetin e tij në vendin tonë. Sipas të dhënave zyrtare, bëhet me dije se kompania në fjalë ka ndryshuar edhe datën e regjistrimit nga 10 shtator në 16 maj 2007, ose dy ditë pas themelimit të firmave “Rompetrol Albania” dhe “Rompetrol Distribution Albania”, duke e bërë akoma edhe më të dyshimtë veprimtarinë e serbo-boshnjakut. E ndërsa dy firmat që operojnë në fushën e tregtimit të karburanteve kanë nisur procedurat për likuidim, firma “Alpha” nuk ka asnjë të dhënë zyrtare, madje as vendimin e gjykatës për themelimin e saj. Mbetet ende për t’u sqaruar veprimtaria e saj, pasi nga të dhënat zyrtare që ofron QKR-ja, thuhet se për objektin e firmës duhet parë neni 3 i statutit.

Qëllimi

Shoqëria “Alpha”, për regjistrimin e së cilës Damir Fazliç ka ngarkuar me një prokurë të posaçme Joana Qeleshin, ka si objekt të saj qenien e konsulencës tregtare, financiare dhe ekonomike të administrimit të ndërmarrjeve etj. Gjithashtu, pjesë e aktivitetit të saj janë edhe tregtimi i mallrave të ndryshëm, lëndëve të para me shumicë dhe pakicë, ndërtime civile, industriale bujqësore, turistike dhe transportin ajror, tokësor dhe detar, qoftë për nevoja të shoqërisë, ashtu edhe për nevoja të të tretëve. Përtej këtij fakti, aktiviteti real i firmës në fjalë mbetet vërtet i mistershëm, pasi veç statutit dhe disa të dhënave të tjera, z. Fazliç nuk ka depozituar në QKR asnjë të dhënë tjetër, madje as edhe bilancin për vitin 2007. Po për çfarë i duhen gjithë këto biznese në Shqipëri serbo-boshnjakut, që rezulton edhe pronari i tokës ku do të ndërtohet parku energjetik në Durrës? Një përgjigje për këtë çështje japin dokumentet zyrtare që tashmë janë sekuestruar nga prokurori, ku duket fare qartë manovra e serbo-boshnjakut për të shitur në vlerën e 1 milion e 700 mijë eurove një kompani që nuk kishte kryer asnjë aktivitet tregtar gjatë funksionimit të saj. Kjo manovër është përkthyer nga prokuroria si pastrim të produkteve të veprës penale, çështje për të cilën është nisur edhe një procedim penal.

Vazhdojnë manovrat

Nga të dhënat e mbledhura deri tani, rezulton se Damir Fazliç është pronar i të paktën pesë bizneseve në Shqipëri, të cilat janë thuajse pa ndonjë aktivitet të rëndësishëm tregtar. Ndër to mund të numërohen dy kompanitë e tregtimit të karburanteve, “Rompetrol Albania” dhe “Rompetrol Distribution Albania”, të cilat pasi deklaruan zero bilancin financiar për vitin 2007, nisën procedurat për likuidimin. Një tjetër biznes që jo vetëm nuk ka zhvilluar aktivitet tregtar, por u është shmangur dhe tatim-taksave, është edhe firma “Crown Acquisitions”, e cila pasi bleu një sipërfaqe të konsiderueshme toke në bregdet, iu shit një firme qipriote, për të cilën Frazliç deklaroi se është në pronësi të tij. Por përse një biznesmen shet dhe blen firmat e tij? Listës së bizneseve të çuditshme të serbo-boshnjakut Fazliç tashmë i shtohet edhe firma “Alpha”, e cila jo vetëm që është krijuar dy ditë pas themelimit të kompanive që tregtonin karburant, por ka një veprimtari tepër të mistershme, që nuk pasqyrohet me asnjë dokument zyrtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›