Mediu: Të shmanget tendenca e vendosjes së rezultateve në KQZ

Kreu republikan thotë se e djathta nuk mund të shkojë drejt një marrëveshjeje të re politike pa u zbatuar ajo që u firmos nga krerët e partive para ndryshimeve kushtetuese
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, thotë se është në kontakte të vazhdueshme me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, për sa i përket propozimit për shpërndarjen e mandateve parlamentare, megjithatë ky i fundit akoma nuk ka një përgjigje. Sipas Mediut, duhet që formula t’iu mundësojë partive politike përkthimin e saktë të votave të tyre në mandate parlamentare, si dhe të mos lejojë përzierje votash mes subjekteve politike. Mediu, i cili ka nisur organizimin e asambleve rajonale të PR-së, thotë se vendi ynë është në një fazë që besueshmëria politike nuk është e atij niveli ku të mendohet që administrata zgjedhore të jetë e konsideruar si administratë e pavarur. Sipas tij, politizimi do të ndodhë për shkak të ngarkesave politike. Duke folur për kërkesën e republikanëve për mbledhjen e tryezës së djathtë para datës 15 nëntor, Mediu thotë se kjo kërkesë nuk është një ultimatum, por një nevojë e djathta të jetë e organizuar dhe të mos marrë vendime momentale
-Zoti Mediu, Komisioni i Reformës Zgjedhore do të diskutojë për çështjen e administratës zgjedhore. Një pjesë e partive politike kanë kërkuar që ajo të jetë tërësisht e pavarur, një pjesë tjetër që të jetë politike dhe një pjesë tjetër kërkojnë që ajo të jetë pjesërisht politike. Po Partia Republikane, çfarë qëndrimi ka për këtë?“E para, çdo lloj miksture do të ishte e papranueshme, sepse do të krijohej një problem në raportet politike. Nuk mund të ketë subjekte që janë pjesë e administratës zgjedhore dhe subjekte që përjashtohen nga administrata zgjedhore. Mendoj që natyrisht mund të ketë një kufizim të pjesëmarrjes në komisionet zgjedhore, duke pasur parasysh edhe pjesën e partive politike, por që procedurat dhe rregullat e funksionimit të kësaj administrate zgjedhore duhet të jenë të përcaktuara”.
-Ju si PR, do të bëni ndonjë propozim konkret për këtë?“Unë mendoj se ndoshta mund të kufizohet numri i përfaqësuesve nëpër qendrat e votimit, qoftë edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por ne jemi në një fazë që besueshmëria politike nuk është e atij niveli ku të mendohet që administrata zgjedhore të jetë e konsideruar si administratë e pavarur. Sido që të jetë, unë mendoj që politizimi ndodh për shkak të ngarkesave politike. Çdo njeri që vjen në komisionin zgjedhor, pavarësisht se është i propozuar nga një parti politike, duhet t’i përgjigjet vetëm ligjit”.
-Me aq sa po arrij të kuptoj, ju kërkoni që për administratën zgjedhore të bëhet një ligj më i rreptë?“Unë mendoj që partitë politike duhet të propozojnë anëtarët e tyre në qendrat e votimit, në qendrat e numërimit dhe natyrisht edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por duhet të ketë një kufizim, duke mos ua hequr të drejtën partive politike që të kenë përfaqësues për vëzhguar procesin e votimit dhe njëkohësisht ligji duhet të parashikojë qartësisht mënyrën e veprimit në komisione, duke shmangur tendencën që rezultatet t’i vendosin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”.
-Partia Republikane ka një propozim të sajin për formulën e shpërndarjes së mandateve parlamentare. Ky propozim duket se ka gjetur edhe mbështetjen e aleatëve të tjerë të djathtë. Po Partia Demokratike, a është njohur me këtë formulë dhe a ka ndonjë pranim apo mospranim jozyrtar nga PD-ja?“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, pra unë me kryeministrin Sali Berisha në pozicionin e kryetarëve të partive. Pastaj ka edhe kontakte edhe në nivele të tjera, pasi jemi pjesë e komisionit. Ajo që është e rëndësishme, është që formula duhet të jetë e tillë, që të mos i marrin njëri-tjetrit dhe secili të marrë atë që i takon. Duhet që të gjitha partitë politike të krijojnë marrëdhëniet e nevojshme brenda logjikës së sistemit, por duke shmangur fenomenin e transferimit të votave”.
-Ka pasur një reagim nga Berisha apo PD-ja për këtë çështje?“Jo, nuk ka ndonjë reagim nga Partisë Demokratike. Por të mos harrojmë që në momentin e ndryshimeve kushtetuese ka një marrëveshje të partive politike të koalicionit të djathtë”.
-Besoni se do të zbatohet ajo marrëveshje?“Përderisa është një marrëveshje e nënshkruar nga të gjithë autoritetet politike të së djathtës, unë nuk mendoj se mund të shkojmë në një marrëveshje politike të re, pa parë se pse nuk funksionon një marrëveshje e vjetër. Ajo marrëveshje është krejt principale besoj”.
-Ju keni kërkuar mbledhjen e tryezës së djathtë para datës 15 nëntor. Ka ndonjë kontakt apo sinjal nga PD-ja në këtë aspekt?“Përfundim i kodit zgjedhor natyrisht që shtron detyrimin përballë së djathtës për të parë se cilat janë mundësitë e konkurrimit dhe bashkëpunimit politik, në qoftë se do të ekzistojë ky vullnet. Dhe unë mendoj se duhet një tryezë, e cila duhet të qartësojë angazhimin politik të së djathtës dhe mënyrën e organizimit elektoral. Ne si Parti Republikane kemi një kontakt permanent, siç e thashë edhe më sipër, edhe me kryeministrin si kryetar partie, edhe me nivelet e tjera”.
-Në rast se nuk mblidhet ajo tryezë e djathtë para miratimit të kodit, çfarë ndodh me të djathtën?“Unë nuk mendoj që Partia Republikane është një parti që vendos ultimatume. Ajo që ne kemi thënë se duhet bërë deri më 15 nëntor, është ideja që ne duhet të funksionojmë si një strukturë e organizuar politike dhe të mos ia lëmë vendimet rastësisë apo marrëdhënieve krejt preferenciale apo momentale që mund të ndodhin në momentet parazgjedhore”.