Jo stazh për mjekësinë

Dy ditë pas protestës së studentëve të mjekësisë, Kule tha se edhe studentët e vitit të parë mund të kalojnë në vitin akademik pasardhës, nëse i kanë mbushur 30 kredite
TIRANË - Problemi i studentëve të fakultetit të Mjekësisë që rrezikojnë të përsërisin vitin, për shkak të provimeve të mbetura, duket se po shkon drejt zgjidhjes. Procesi i kalimit nga një vit në tjetrin nuk do të ketë asnjë ndryshim nga një vit më parë, kur viti akademik mund të merrej edhe nëse kishe më shumë se tre provime të mbetura. “E njëjta gjë do të ndodhë edhe për studentët e vitit të parë, të cilët mund të kalojnë në vitin akademik pasardhës vetëm nëse kanë marrë 30 kredite”, tha për “Korrierin” rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Kjo do të thotë se stazhi në fakultetin e Mjekësisë do të hiqet, pasi një vit më parë studentët e këtij fakulteti mund ta kalonin vitin akademik edhe nëse kishin më shumë se tre provime të mbetura. Pikërisht për këtë çështje, rreth 300 studentë të fakultetit të Mjekësisë u dyndën dy ditë më parë para dyerve të rektoratit, në një protestë kundër rikthimit të stazhit, pasi në të kundërt ata rrezikonin të përsërisnin vitin. Këta të fundit firmosën një peticion, me anë të të cilit kërkonin mbështetjen e rektorit Kule. Në qoftë se nuk do të gjenin mbështetje në rektorat, studentët deklaruan se do të bojkotonin auditorët. Nga ana e tij, rektori Kule u premtoi përkrahjen e tij studentëve protestues, si dhe zgjidhjen e menjëhershme të situatës së krijuar. Fajin për këtë situatë studentët e Mjekësisë ia adresuan dekanit të këtij fakulteti, Alfred Priftanjit. Sipas tyre, për liberalizimin e kalimit nga njëri vit akademik në tjetrin u ra dakord dy vjet më parë. Liberalizimi i kalimit të provimeve do të thotë se studentët mund të kalonin në vitin pasardhës edhe nëse kishin 7 provime të mbartura nga vitet e mëparshme. “Por këtë vit Priftanji e ka shkelur këtë premtim”, thanë mjekët e ardhshëm, duke shtuar se gjatë takimit që patën në qershor me dekanin Pritanji, ky i fundit u ka premtuar se nuk do të kishte stazh, në qoftë se UT-ja nuk do të nxirrte ndonjë rregullore për të gjithë fakultetet dhe si rrjedhojë, do të zbatohej vendimi i tre viteve më parë. Sipas studentëve, është vepruar kështu edhe gjatë sezonit të vjeshtës së këtij viti, por një javë pas mbarimit të tij doli një vendim nga ana e fakultetit të Mjekësisë, sipas të cilit e kalonin vitin vetëm ata studentë që merrnin së paku 30 kredite. Studentët sqaruan se vetëm studentët e vitit të parë që janë me Kartën e Bolonjës punojnë me kredite, ndërsa për pjesën tjetër është vendosur një rregull, sipas të cilit ngelin në stazh të gjithë ata studentë që kanë më shumë se tre provime të mbetura.
Rrokaj: “Nuk duhet të konsiderohen mbetës”Duke u bazuar tek ligji i arsimit të lartë, ish-rektori i Universitet të Tiranës, aktualisht dekan i fakultetit të Histori-Filologjisë, sqaroi për “Korrierin” se, “studentët e mjekësisë marrin diplomë të integruar dhe nuk mund të quhen mbetës pas tre vitesh studime. Kjo, pasi ata nuk marrin kurrfarë diplome pas tre vjetësh, sepse koha e studimeve në këtë fakultet është 5 deri në 6 vjet”. Sipas tij, studentët e fakultetit të Mjekësisë nuk mund të kalojnë nga njëri vit akademik në tjetrin, në qoftë se rezultojnë mbetës në 5 provime. “Dekani i fakultetit të Mjekësisë, Alfred Priftanji, na ka lajmëruar për stazhin vetëm një javë pas përfundimit të sezonit të vjeshtës”, thanë studentët. Lidhur me këtë, Rrokaj shpjegoi se kjo do të ishte e gabuar nga ana e dekanit Priftanji, nëse pretendimi i studentëve është i saktë.