MMPAU: Ulet përdorimi i substancave ozon-holluese
Shqipëria ka bërë një progres pozitiv në drejtim të uljes së konsumit të substancave ozon-holluese (LOH), si dhe respektimin e kuotave të caktuara nga Protokolli i Montrealit. Të dhënat nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, të publikuara në raportin e fundit të vlerësimit të gjendjes së mjedisit, tregojnë se sasia e LOH të konsumuar është ulur nga viti në vit.
Kështu, sipas MMPAU, nga 4.4 ton në vitin 2007 ajo ka arritur në 2.2 ton në vitin 2008. Burime nga MMPAU pohojnë se sasia e lëndëve të konsumuara është ulur nga 36 ton në vitin 2004, në 4.4 ton në vitin 2007, dhe ky është një progres i jashtëzakonshëm dhe i njohur nga institucionet ndërkombëtare. Ndërkohë, Shqipëria synon që në vitin 2010 të heqë plotësisht nga përdorimi lëndët ozon-holluese (LOH), duke realizuar plotësisht Planin Kombëtar të Heqjes nga Përdorimi të LOH. Në mënyrë që të arrihen detyrimet e Protokollit të Montrealit (kuotat e importit të LOH në vite) për sa i përket uljes së konsumit të lëndëve që dëmtojnë shtresën e ozonit deri në 0 ton në vitin 2010 është e nevojshme fillimi i menjëhershëm i aktiviteteve plotësuese dhe implementimi i tyre në mënyrë të përshpejtuar.