Alpinistët sllovenë "zbulojnë" kulturën shqiptare
Një grup alpinistësh sllovenë të Federatës Sllovene të Alpinizmit, të mbështetur edhe nga Federata Shqiptare e Alpinizmit, kanë nisur një rrugëtim disaditor për të pushtuar disa nga lartësitë e maleve shqiptare. Në itinerarin e tyre nuk përfshihen vetëm majat e larta, por edhe disa nga pikat më të rëndësishme arkeologjike shqiptare. Grupi i alpinistëve sllovenë, të shoqëruar edhe nga partnerët e tyre shqiptarë, e kanë nisur rrugëtimin e tyre nga alpet e Shqipërisë, duke ngjitur së pari Majën e Arapit në zonën e Thethit, rreth 2200 metra mbi nivelin e detit. Presidenti i agjencisë turistike sllovene "Balkanika", Renato Ribic, shprehet se ky është grupi i katërt i alpinistëve sllovenë që vijnë në Shqipëri. "Edhe vlerat e trashëgimisë kulturore antike si Butrinti, Antigonea, Gjirokastra etj., kanë tërhequr interesin e grupeve të shumta të alpinistëve sllovenë të dashuruar pas natyrës dhe brenda këtij sezoni turistik ne do të sjellim edhe tri grupe të tjera alpinistësh për të vizituar dhe shijuar natyrën e bukur shqiptare". Presidenti i Federatës Shqiptare të Alpinizmit, Jani Ziso, thekson se bashkëpunime të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ndërsa për alpinistët sllovenë rrugëtimi nëpër vendet më të bukura të natyrës dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, është sot për sot një nga guidat më të preferuara për ta si alpinistë, pasi gjatë një guide të plotë nëpër Shqipëri alpinisti ka mundësi të kontaktojë me një numër të madh monumentesh natyrore dhe kulturore, që është vështirë që ta gjesh në itinerare të tilla në vende të tjera. "Në një farë mënyre, gjatë këtyre itinerareve të para në vendin tuaj, mund të them pa hezitim se ne kemi zbuluar një mrekulli që e kemi pasur kaq pranë. Pika të tilla si Butrinti, Antigonea, Gjirokastra, Berati, Korça, Thethi, bregdeti i Jonit, janë vende të mahnitshme, që synojmë t‘i kthejmë në një destinacion të përvitshëm turistik, jo vetëm për alpinistët, por edhe për turistët e zakonshëm", u shpreh Renato Ribic.