E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçarët çelin festivalin në Sarandë

Mbrëmja e së martës ka shënuar ngritjen e siparit të Festivalit të Orkestrave Frymore, që në këtë edicion të katërt ka përforcuar dimensionin e vet rajonal e ndërkombëtar. Saranda ka qenë sërish qyteti mikpritës. Drejtori i këtij festivali, Edmond Doko, shprehet i kënaqur që ecuria e këtij eventi artistik i kontribuon ofrimit të turizmit kulturor. "Kohët ndryshojnë e largësitë zvogëlohen, ndërkohë që edicionet e këtij festivali shtohen dhe integrimi kulturor që ai mundëson, është i prekshëm", tha gjatë ceremonisë së çeljes dirigjenti. Në vlerësimin e tij, orkestrat frymore janë themeli i kulturës muzikore shqiptare.

Për të katërtin vit radhazi, skena e ngritur në një segment të shëtitores buzë detit të Sarandës, ka ftuar mbrëmjen e së martës trupat e para të orkestrave frymore. Edicioni i katërt është çelur nga formacioni i orkestrës frymore të bashkisë së qytetit të Korçës, e cila është drejtuar nga dirigjenti i njohur Pandi Bello. "Ne vijmë me kënaqësi në Sarandë, për t‘i shtuar diçka nga vetja jetës koncertore që është bërë traditë të shoqërojë ditët dhe muajt e verës në Sarandë", shprehet dirigjenti Bello. Repertorit tipik të marsheve të veprave klasike botërore trupa e Korçës i ka shtuar edhe repertor klasik shqiptar, sikurse ishin dy vepra të Pjetër Dungut. Publiku sarandjot dhe pushuesit e kësaj vere, që u bënë spektatorë të koncertit të korçarëve, ndoshta prisnin që të ishin prezent edhe notat tipike të serenatave korçare në këtë koncert. Muzikanti Bello, dirigjent i formacionit të bandës frymore të Korçës, pranon se është e mundur që zhanri i serenatës të bëhet pjesë e repertorit në këtë bandë, ndërkohë që nënvizon se ne kemi nevojë për kulturë muzikore të vërtetë. Koncerti që dha kuinteti "Çesk Zadeja", sikur e konfirmoi këtë nevojë, duke performuar me pretendime edhe më të larta profesioniste. Por ajo që u ndoq me më shumë reagim pozitiv nga publiku, ishte koncerti që dha "Folk Fanfara" e Tiranës, e drejtuar nga Xhemali Murraj. Trembëdhjetë instrumentistë interpretuan potpuritë me muzikë të Shqipërisë së mesme e ato nga muzika ballkanike. Këta instrumentistë, mbrëmë janë ngjitur në skenën e ngritur në brigjet e qytetit të Himarës, gjë që drejtori artistik i festivalit, Doko, e rendit ndër të veçantat e edicionit të katërt. "Rrugët dhe arti përmirësojnë komunikimin njerëzor dhe integrojnë kulturat e kështu festivali së bashku me ne udhëton, duke shtuar numrin e edicioneve dhe të prurjeve, që pushuesit i marrin me vete, si pjesë të kartolinës turistike të Sarandës", shprehet Edmond Gjoka, kryetar i bashkisë, e njëkohësisht drejtor i festivalit. Ky edicion vijon netët e tij koncertore me orkestrën frymore të Vlorës, të "Manxaros" nga Korfuzi, si dhe trupa nga Igumenica e Lefkadha e Greqisë, me kuartetin e Akademisë së Arteve, me "Fanfarën" e Tiranës, me bandën e Shkodrës, që një vit më parë u nderua me çmim të parë, me orkestrën e Fierit, me koncertin e kuartetit "Emerson", me fagotistë shqiptarë e gjermanë, si edhe me "Tirana New Band" e proballkan kuintet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›