Një takim monografik me Pjetër Gjokën
Një monografi, një ekspozitë modeste me disa kostume rolesh dhe një vitrinë e mbushur me dorëshkrime ndër vite, ishte një përpjekje për të risjellë kujtimin e aktorit të njohur, Pjetër Gjoka. Më tej, një takim promovimi në Teatrin Kombëtar, organizuar pasditen e djeshme nga familjarët për promovimin e monografisë. "Pjetër Gjoka, 52 vjet në skenë" është një përpjekje e Gjovalin Çunit dhe djalit të aktorit, Gjovalin Gjoka, për të shpërfaqur të shkruar dimensionin e këtij njeriu. Në fund të fundit edhe një përpjekje që të paktën, emri i këtij aktori themelues së paku të tingëllojë për brezin e ri që nuk e arriti në skenë. Pjetër Gjoka i përket atij grupi aktorësh që dolën nga lëvizje amatore, të cilët më pas vunë themelet e teatrit profesionist shqiptar. Kjo monografi nuk ndalet vetëm te Pjetri aktor. Duke nisur me shënime të origjinës familjare, për Ulqinin, vendin e lindjes, për fëmijërinë, për pasionet djaloshare, për ndodhi të vogla që paralajmëronin të ardhmen e tij, përmes faqeve tregohet historia e një njeriu që do të linte gjurmë në jetën shqiptare. "Ideja për realizimin e kësaj monografie nisi para 5 vjetësh. Atëherë fillova të punoja, duke bashkëpunuar rreth 2 vjet më vonë me Xhovalin Çunin, i cili ka hulumtuar në bibliotekën e Shkodrës, nga e cila ka nxjerrë dokumente të vyera. Doja që të lija në fondin e kulturës shqiptare dhe për brezat e ardhshëm një nga figurat që largësia në kohë edhe mund ta veshë me harresë. Kjo monografi është një përpjekje e parë që duhet të hapë më vonë rrugën për studime të thelluara", shprehet i biri, Gjovalin Gjoka. U referohet shënimeve që Pjetri ka lënë. Më së shumti janë mendime dhe reflektime të tij gjatë kohës që punonte me role, por edhe të kohës së një pjekurie artistike, ku në letra ai hedh mendime për teatrin, aktrimin, aktorët, regjinë. Materiale që mund të shërbejnë si leksione aktrimi për brezat e rinj. Në botim janë përfshirë vetëm pak gjëra, kryesisht kujtime gjatë punës, reflektime të shkëputura apo sekuenca esesh. E ekspozuar në hollin e vogël të Teatrit Kombëtar ishte edhe fletorja e shënimeve ku ai shkruante vërejtjet e regjisorit rus, Bortko, për realizimin e rolit të Zabelinit në dramën "Orët e Kremlinit" në vitin 1957. I lindur në një vit të shënuar, më 3 gusht të vitit 1912, para se të ngjitej në skenë, Pjetër Gjoka kishte provuar një sërë pasionesh: alpinizmin, atletizmin, futbollin, muzikën. Roli i një të vdekuri në pjesën e bazuar mbi një përrallë kombëtare "Trimenija e parë" do të shënonte të parin rol për të. "Teatrin e fillova me një rol të mbrapshtë, por më doli për hajër më vonë...Ishin vitet ‘30. Sapo kishte kaluar vera. Unë merresha me aktivitete sportive. Rastësisht takohem me një shok që ndër të tjera më drejtohet: -More Pjetër jemi duke bërë prova për një pjesë dhe mendoj se duhet të jesh edhe ti. Si thua?
-Të them të drejtën ku ta di unë, nuk bëj unë për teatër, - iu përgjigja. -Se mos ne jemi më të saktë, - këmbëngulte tjetri, -eja të provojmë së bashku", kujtonte më vonë Pjetri, atij që skena i ishte bërë më e dashur se shtëpia. Për herë të parë si profesionist do të shfaqej më 1947 në rolin e Kleanthit te "Tartufi", Molier, pasi ishte aktivizuar në shoqëritë amatore të Shkodrës e kishte luajtur në Teatrin e Ushtrisë. Më vonë do të shënonte role të spikatura jo vetëm nga dramaturgjia botërore, por edhe ajo shqiptare. Përmendim Miler në "Intrigë e dashuri"(1956), Klaudi te "Hamleti", Liri te "Mbreti Lir", Gracianin tek "Otello", Dogsbru në dramën "Arturo Ui", Shpend Gjeto Plaku te "Halili dhe Hajria", Prifti te "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", Ali Pashë Gucia te "Besa e madhe", apo Ymer Prizreni te "Epoka para gjyqit". "përgjegjësia ndaj vetes dhe spektatorit lind lojën në teatër, për këtë aktori duhet të punojë e vetëm të punojë...Leximi i parë i tekstit ka shumë rëndësi. Mos lexo tekstin kur je bosh ose sa për të kaluar radhën. Emocionet dhe mbresat që përftohen prej leximit të parë duhen ruajtur gjatë gjithë punës se me ato fillon lindja e ngadalshme e një figure", shkruan ai në mendimet që ka hedhur për aktrimin. Përveç teatrit, Pjetër Gjoka do ta shënonte emrin e tij edhe në kinematografi. E nis me rolin e Tanush Topisë te ‘Skënderbeu" për të vazhduar me rolin e gjyshit në filmin e parë shqiptar "Tana". Kësaj eksperienca i ka kushtuar edhe një reflektim të veçantë në një shkrim me titull "Unë dhe gjyshi". Rrapo te "Fortuna", Ekselenca në "Njësiti gueril", prifti, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", Vasili në filmin "I treti", përbëjnë kontributin e tij në kinematografi. Edhe në vitet e pensionit Gjoka u ngjit në skenë, ndonëse i verbër. Në vitin 1976 në Festivalin KOmbëtar të teatrove, Tk do të paraqitej me dramën "Shënomëni dhe mua" të H. Minarollit, ku iu besua roli i karakterit i Pilos. E mori atë rol të madh, i vetëdijshëm për vështirësitë. "Është fatkeqësi e madhe të mos dish të lexosh, por fatkeqësi më e madhe qenka kur di dhe nuk mundesh", thoshte ai. I biri kujton kur i incizoi në magnetofon të gjithë tekstin e tij, por edhe të partnerit. Pjetri nderohet me çmim për këtë rol teksa në kujtimet thotë:- Shkova ta merrja çmimin. E mora, por nuk shihja. Më morën për krahu dhe më ulën në karrige". Por Pjetri jetoi si aktor dhe si regjisor. Me përkthimin e librit të Andrea Skanjetit "Dashuri cigane", dorëshkrimi i së cilës ruhet edhe sot nga familja, shënohet puna e tij e parë regjisoriale. Monografia përmbyllet me opinione të kolegë mbi Pjetrin, e po ashtu shoqërohet me një CD ku janë regjistruar copëza nga teatri dhe filmat.