E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kore e Veriut, Kim Jong Il shfaqet i transformuar në publik

Lideri koreano-verior, Kim Jong Il, mori pjesë dje në homazhet e organizuara për 15-vjetorin e vdekjes së të atit, Kim Il Sung. Sytë e të gjithëve qenë drejtuar te "lideri i dashur", që nuk shfaqej prej shumë kohësh në publik. Nga imazhet e transmetuara prej agjencisë televizive APTN u shfaq tepër i dobësuar, me fytyrë të transformuar dhe me flokë shumë të rëna. Herën e fundit u shfaq në publik në muajin prill pas spekulimeve të shumta se kishte pësuar një goditje të rëndë apopleksie. Si edhe në atë rast u vërejt se lideri komunist çalonte shumë, pasojë tipike e kësaj sëmundjeje. Kim Jong Il u shfaq teksa vizitonte pallatin përkujtimor ku gjendet trupi i balsamosur i babait të tij. Pak javë më parë u fol se 26-vjeçari Kim Jong Un, djali i vogël i liderit komunist, njëherësh edhe i parapëlqyeri, është emëruar pasardhësi i Kim Jong Il në krye të pushtetit në shtetin komunist.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›