E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alternativa e Edvinit: Edhe bar hamë, dhe Shqipërinë s’e lëmë t’i bashkohet Evropës

20-09-2011 / Gazeta 55

S’ka më enigma për sjelljen e deputetëve socialistë në sesionin e ri. Kryetari i PS-së ka lëshuar dje fatwa-n, si një ajatollah politik, se s’do të ketë asnjë votim për reformat, derisa ai të ketë arritur ndonjë pazar për të ardhmen e vet politike

Edi Rama konfirmon zyrtarisht formacionin politik që drejton, kundër integrimit evropian të vendit. “Edhe barë do hamë e Evropën s’e duam”, ishte kryefjala mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar socialist, në shenjë kërcënimi ndaj kursit të reformave të Shqipërisë. Atëherë kur pritej që PS të kishte gati platformën e bashkëpunimit politik me mazhorancën në Kuvend, ndodh e kundërta. Partia më e madhe në opozitë jo vetëm që refuzon bashkëpunimin dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, por më keq akoma kërkon rikthimin e drafteve ligjore në komisionet e ligjeve, edhe pse këto projektligje janë miratuar njëherë me konsensusin edhe të deputetëve socialistë. Por, lidershipi i selisë rozë s’është i shqetësuar për kërkesat e shumëllojshme të faktorit ndërkombëtar, ku në kryeradhë të tyre qëndrojnë pikërisht ligjet parlamentare me të 3/5 e votave të Kuvendt. Populizmi dhe demagogjia përmes justifikimeve se për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar nevojitet një ekspertizë e hollësishme dhe madje, mundësisht edhe ekspertizë e huaj, është një nga absurditetet më të mëdha që kjo opozitë ka hedhur në tregun politik dhe atë mediatik në këto 2 vite. Alibia e radhës është sa e papranueshme aq edhe qesharake, pasi kur duhen vetëm më pak se 4 javë nga zyrtarizmi i qëndrimit të Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat, Edi Rama kërkon kthimin mbrapsht të të gjithë drafteve ligjore, pjesa më e madhe e të cilave faktorë kyç dhe pjesë nevralgjike e 12 rekomandimeve dhe kërkesave permanente të Brukselit. S’është e vështirë për të kuptuar se Shqipëria do vlerësohet negativisht e cila përkthehet në mos marrjen e statusit të vendit kandidat edhe për këtë vit, nëse nuk përmbushen 12 pikat e kërkuara. Ajo që Edi Rama tenton të propagandojë politikisht dhe të bëjë të duket e ndërlikuar përmes mediave, është thjesht fataliteti politik i pinjollit të bllokmenëve, më synimin kryesor bllokimin e aspiratave të integrimit. Indirekt Edi Rama pranon se PS s’mund të jetë forcë politike bashkëpunuese dhe konstruktive në Kuvendin e Shqipërisë, pasi për të kjo do ishte shkelje e madhe e idealeve të nomeklaturës komuniste dhe amanetit të Enverit se “shqiptarët edhe barë do hanë e Evropës s’do ia shtrijnë dorën”. E njëjta teknike, propagandë, demagogji dhe demaskim i qytetarëve shqiptarë. Dhe jo më kot çdo mbledhje grupi parlamentar, kryesie, asambleje apo edhe ajo e Kongresit në 5 nëntor, thjesht e vetëm sa distancojnë PS-në nga kursi demokratik-parlamentaret, ndërsa hermetizmi mbetet në suazën e regresit dhe destruktivitetit. Shqipërisë i kërkohet më shumë se kurrë të jetë e gatshme përpara publikimit të Opinionit të Komisionit Evropian dhe gatishmëria në këtë rast nënkupton miratimin e 12 rekomandimeve të Bashkimit Evropian. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›