E Diel, 1 Nëntor 2026

Alternativa e Ferdinant Xhaferajt: “Ndërtimi i unazës do të zhvillojë Durrësin në tërësinë e tij”

12-04-2011 / Gazeta 55

Duke ritheksuar rëndësinë e zhvillimit të qytetit në disa qendra dhe ndërtimin e unazës, ai tha se “Bashkia duhet të krijojë mundësi të reja zhvillimi dhe jo t’i ngushtojë ato në disa zona të veçanta”. “Ndërtimi i kampusit universitar në Spitallë, - tha kandidati demokrat, - do t’i japë Durrësit një qendër tjetër të rëndësishme, ndërkohë që edhe ndërtimi i unazës do t’ia shtojë qytetit mundësitë e zhvillimit”. Ndërtimi i unazës së madhe të Durrësit është deklaruar nga Xhaferaj si projekti madhor i programit të tij 4-vjeçar. Unaza parashikon një rruge të re që lidh rrugën që të çon në Currila përgjatë bregdetit me rrugën “Aleksandër Goga”, duke kaluar përmes lagjes 7.
 
Jo betonizim
Kandidati Xhaferaj është shprehur kundër realizmit të projekteve të shpejta që nuk japin zgjidhje afatgjatë. “Kryebashkiaku aktual është duke mbuluar me beton sipërfaqe të tëra në qytet vetëm për qëllime elektorale dhe të përfitimeve të tij personale, - tha Xhaferaj. – Ne nuk jemi duke shfrytëzuar nëntokën. Durrësi nuk është aq i pasur sa të mos shfrytëzojë nëntokën”.
Sipas Xhaferajt, në mjaft prej hapësirave që tani ishin duke u betonizuar mund të ndërtoheshin parkime nëntokësore, për të cilat qyteti ka shumë nevojë. “Hapësirat për parkim janë të nevojshme nëse duam që në qytet të vijnë sa më tepër turistë, - tha Xhaferaj, - dhe kjo që është duke ndodhur po e bllokon këtë perspektivë zhvillimi”. Megjithatë, kandidati Xhaferaj u shpreh optimist për të ardhmen e qytetit. “Ne i kemi kapacitetet profesionale, - tha Xhaferaj, - të bëhemi të gjithë bashkë dhe ta çojmë përpara qytetin tonë.”

Zhvillim zonal dhe jo mbi baza klienteliste
Mënyra se si është ndërtuar në Durrës deri tani, duke abuzuar edhe me mungesën e planit rregullues, ka qenë pa asnjë lloj kriteri. “Durrësi karakterizohet nga një çrregullim i plotë urban, - tha Xhaferaj, - ky qytet nuk ka një plan rregullues.” Kjo dukuri ka bërë që disa prona të zhvillohen, duke bërë që zhvillimi i pronave të tjera afër tyre të bëhet i pamundur. Për të shmangur këtë diskriminim, i cili, sipas Xhaferajt, “ka bazë klientelizmin”, zhvillimi duhet të jetë gjithëpërfshirës. “Ne duhet të ndërtojmë mbi bazë kuartallash, ku zhvillimi të përfshijë një zonë të gjerë, - u shpreh kandidati demokrat. - Le të bashkohen disa prona dhe disa firma ndërtimi dhe të zhvillojnë një zonë të tërë, ku askush të mos jetë i dëmtuar.” Në këtë pikë, komuniteti i urbanistëve, i arkitektëve, dhe ndërtuesve kërkoi që të hiqej dorë nga aplikimi i studimeve pjesore, praktikë kjo që ka sjellë shumë abuzime, dhe Durrësi të kishte sa më shpejt planin e tij rregullues, gjë që ishte edhe ndër prioritetet kryesore të programit me të cilin paraqitet Xhaferaj.
Ferdiand Xhaferaj, në zgjedhjet për organet e pushtetit vendor më 8 maj, është kandidati i Partisë Demokratike dhe i “Aleancës për Qytetarin” në Bashkinë e Durrësit dhe përballë tij gjendet kryebashkiaku aktual Vangjush Dako.

460 familje në Plazh dhe Shkozet do të përfitojnë banesat ku jetojnë

Kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kreun e Bashkisë së Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, deklaroi se 460 familje, të cilat banojnë në Plazh dhe Shkozet, do të bëhen pronarë të banesave ku jetojnë. Me iniciativën e deputetit të zonës Eduard Halimi, që në vitin 2009 është ngritur një grup pune që mundësoi gjetjen e një zgjidhje ligjore.
Në fillim të viteve ’90-të, një numër familjesh të pastreha, kryesisht ish-të përndjekur politikë, u strehuan në godinat në pronësi të shtetit në Plazh, tek ish-kabinat e pushuesve, dhe në Shkozet, tek konviktet e ish-shkollave të mesme profesionale që ishin mbyllur. Ndërkohë, para pak vitesh, tek magazinat e ish-Agroeksportit në Shkozet u vendosën mbi 150 familje që u larguan nga shtëpitë e tyre brenda territorit të Portit të Durrësit. Por, prej gati 20 vitesh, ato familje jetonin ende me qera dhe në kushte krejt të harruara. Bashkia, ligjërisht pronare e atyre objekteve, nuk ndërmori asnjë hap për privatizimin e tyre që banorët të kishin mundësi të përcaktonin të ardhmen e tyre. Ndërhyrja e Qeverisë, me disa vendime të veçanta, i kaloi objektet në pronësi të Entit Kombëtar të Banesave, që ato t’u privatizoheshin familjeve që banojnë aty. Kjo iniciativë e deputetit Halimi do të konkretizohet shumë shpejt kur Enti Kombëtar i Banesave të plotësojë azhornimin e zonave dhe të fillojë lidhja e kontratave të privatizimit.
Por, kandidati Xhaferaj, teksa u takua me banorët e zonës së Plazhit, u shpreh “këtu ka probleme që do të zgjidhen. Legalizimet, kanalizimet e ujërave të zeza, punësimi, mjedisi, infrastruktura, janë disa nga problemet që hasin banorët e lagjes 13 në zonën e Plazhit. Gjatë bashkëbisedimit me kandidatin e mazhorancës për Bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, banorët e zonës së Plazhit u shprehën se “Bashkia i kishte lënë në harresë prej kohësh”. Madje, njëri prej banorëve, i cili kishte një biznes familjar u shpreh: “Pavarësisht se kjo lagje është një prej zonave më të rëndësishme të Durrësit, Bashkia nuk ka vënë dorë fare gjatë këtyre viteve. Është shumë e domosdoshme që të ketë licenca sezonale mujore për bizneset e vogla pasi taksat e Bashkisë janë shumë të larta dhe ka konkurencë të pandershme”.
Kandidati Xhaferaj tha se “kemi shumë punë përpara për të bërë së bashku.” “Nuk është demokraci që vetëm të kërkosh votën, siç veproi Vangjush Dako para katër viteve dhe më pas të zhvasësh xhepat e qytetarëve dhe të shtosh biznesin e betonit, - tha Xhafera. - Nuk është koha të flas për kundërshtarin tim politik, por Dako e ka lënë qytetin me probleme të mëdha. Të gjithë bashkë do ta bëjmë këtë qytet një qytet më të mirë, më të pastër, më turistik. Së bashku do punojmë për mirëqenien e të gjithë qytetarëve.” “Mjedisi është çështja kryesore që do rregullojmë, - shtoi më tej Xhaferaj, - pasi Durrësi është qytet turistik dhe ka nevojë urgjente për ndërhyrje. Do t’i shtojmë qytetit portin e peshkimit. Ndërkohë, godina aktuale e Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave Shqiptare do kthehet në bibliotekë, ndërsa në zonën ku ndodhet pishina e vjetër do të bëhen dy pishina të reja me 800 vende parkimi”. Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, gjatë takimeve të pasdites ishte i shoqëruar edhe nga deputeti demokrat Eduard Halimi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›