Nga Shkodra nis shekulli i zhvillimit të Shqipërisë

Aleanca për Qytetarin çel fushatën elektorale për bashkinë e Shkodrës dhe prezanton kryeqytetin e qëndresës antikomuniste si zanafillë të shekullit të zhvillimit të Shqipërisë. Kryeministri Sali Berisha premton rritje të investimeve për qendrën e veriut, të cilat do ta largojnë zonën veri-perëndimore, njëherë e përgjithmonë nga harta e përmbytjeve
“Aleanca për Qytetarin” prezantoi dje në Shkodër kandidatin për kryetar bashkie, Lorenc Luka. Përmes një mitingu madhështor në pallatin e sportit të qytetit veri-perëndimor, kryeministri Sali Berisha ftoi qytetarët e Shkodrës të votojnë alternativën që përkujdeset për hallet dhe problemet e qytetarit. Kryeministri Berisha u shprehu qytetarëve të Shkodrës mirënjohjen për mbështetjen dhe kontributin e tyre që në ditët e para të demokracisë shqiptare. “Ne, i hoqëm Shkodrës nga fytyra e saj e bukur rrudhat e pamerituara të regjimit të shëmtuar komunist, por së bashku këto 4 vite do të nisim ndërtimin e Shkodrës së shekullit të ri. Gjëja e parë që buron nga shpirti e zemra është përulja me nderimin më të thellë para jush, qytetareve e qytetarëve të Shkodrës, për mbështetjen e jashtëzakonshme, të fuqishme, të pamposhtur që i dhatë Partisë Demokratike që nga dita e themelimit të saj, gjer sot. 20 vjet, ju u shndërruat në Rozafën e demokracisë” - u shpreh kryeministri Berisha.
Në prezantimin e kandidatit Lorenc Luka, kryeministri vlerësoi përkushtimin dhe e punën e zotit Luka në 4 vitet e mandatit që shkoi dhe shprehu mbështetjen për realizimin e projekteve të mëdha për këtë qytet në infrastrukturë, në fushën e arsimit, të artit e kulturës, si dhe në mbështetjet të biznesit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Berisha premtoi veçanërisht se në Shkodër s’do ketë më përmbytje.
“Sot jam tek ju për t’ju garantuar juve se 4 vitet që vijnë me Lorenc Lukën, me secilin prej jush do ta ndryshojmë Shkodrën shumë më tepër se 20 vitet e fundit të marra së bashku. Shkodra, në 4 vite, do të jetë kryeqendër e Shqipërisë, vend i zhvilluar. Shkodra, në 4 vite do të jetë kryeqendra më e zhvilluar e të gjithë rajonit. Këto vite, me Lorenc Lukën dhe së bashku me ju, me një dashuri të madh për këtë qytet ia kemi dalë realisht të ndryshojmë Shkodrën, por, të dashur qytetare e qytetarë, i dashur Lorenc, të mos harrojmë se nuk kemi bërë gjë tjetër veçse i kemi hequr rrudhat që Shkodrës i qiti rruga e vetme e diktaturës komuniste. Ne i hoqëm Shkodrës nga fytyra e saj e bukur rrudhat e pamerituara të regjimit të shëmtuar komunist, por së bashku, këto 4 vite do të nisim ndërtimin e Shkodrës së shekullit të ri, e Shkodrës së ëndrrës më të bukur të qytetarëve të saj. Këto 4 vite, ne do të investojmë në këtë qytet më shumë se 20 vite të marra së bashku. Këto 4 vite, ne do ta bëjmë Shkodrën epiqendrën kryesore kulturore të veriut e më gjerë. Këto 4 vite, bota akademike e Shkodrës do të njohë dimensione të reja, të mëdha. Këto 4 vite, së bashku do t’i japim fund fatkeqësisë ciklike natyrore. Shkodra do të ketë By pass-in e saj, do të ketë mbrojtjen e saj njëherë e përgjithmonë”- u shpreh kryeministri.
Investimi në të gjithë infrastrukturën rrugore e arsimore të Shkodrës, By pass-i, shumëfishim i investimeve për trashëgiminë e saj kulturore, terrene sportive moderne, rikonstruksioni i stadiumit, teatrit, janë disa nga projektet e rëndësishme për këtë qytet, në katër vitet e ardhshme. “Gjatë mandatit që shkoi, në qytet, në komuna, në fshatrat e qarkut të Shkodrës, ne kemi ndërtuar 448 kilometra rrugë. 4 vitet që vijnë ne do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo rrugë e rrugicë të këtij qyteti, çdo rrugë e rrugicë të fshatrave të këtij qarku nga Fierza në Vermosh, në Hajmel, në të gjithë zonën e saj. 4 vitet që shkuan, ne kemi ndërtuar e rindërtuar në këtë qark 130 shkolla. 4 vitet që vijnë do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë e çdo kopsht në të katër anët e këtij qarku. Në 4 vitet që shkuan, ne kemi bërë investime të mëdha në ujësjellës e kanalizime. 4 vitet që vijnë, 24 orë ujë për të gjithë banorët e qarkut të Shkodrës është e do të mbetet motoja jonë. Shkodra, djep i kulturës sonë aktuale, i kulturës sonë të lashtë. Investimet tona në kulturë do të shumëfishohen në të gjithë trashëgiminë e saj kulturore, në të gjitha institucionet e saj. Shkodra dhe qytetarët e saj do kenë terrenet sportive më moderne në rajon. Le të përshëndesim me një duartrokitje Hamdi Salihin. Hamdi, golin tjetër e ka Saliu tjetër. Së bashku në 8 maj. E thashë, kur u bë goli, u fikën dritat diku aty, në Tiranë.
Në 4 vitet që vijnë, ne do të investojmë në të gjithë infrastrukturën e këtij qyteti, do të mbyllim landfill-in e vjetër, do të krijojmë terrene të reja sportive, do të krijojmë kampuse universiteti, do rikonstruktojmë stadiumin, teatrin, do të ndërtojmë shtëpinë e artit. Dimensione të reja do të marrë biznesi shkodran. Do të krijojmë parqet industriale dhe një numër të madh vendesh punë. Kjo është rruga jonë, rruga e gjithsecilit prej jush, rruga e lirisë. Rrugë, në të cilën secili nga ne ka në dorë të bëhet arkitekt i jetës së tij, arkitekt i të ardhmes së tij, familjes së tij, lagjes, komunitetit, qytetit e vendit të tij”- deklaroi Berisha. Por, siç do të deklaronte kryeministri Berisha, krahas alternativës që përkujdeset për problemet dhe shqetësimet e qytetarëve, ekziston edhe një linjë tjetër, e cila është rruga e vjetër e etërve komunistë. “Sërish bijtë na sjellin rrugën e etërve, rrugën e vetme. Le t’ua lemë atyre rrugën e vetme. Më duhet t’i them shokut Edvin Rama se vërtet në këtë fushatë nuk do harxhoj qoftë edhe 30 sekonda të merrem me ty, absolutisht, se njeriu që merret me shumë me Edvin Ramën është vetë Edvin Rama. Duaj fatin tënd, ne do të fitojmë” - përfundoi Berisha.
Topalli: Ne krijuam një Shqipëri që vrapon dhe fluturon
“Sot gjendem këtu më krenare se kurrë. 5 vjet nuk janë shumë, por Shkodra ka bërë kaq shumë gjatë tyre. Sot Shkodra është e ndriçuar, është me parqe dhe me rrugë të bukura, me një teatër që funksionon dhe me sport, ashtu siç e duam ne atë, të bukur. Shkodra ka ndryshuar sepse ka patur një qeveri që ka punuar për të”. Kështu u shpreh krye-parlamentarja Jozefina Topalli, gjatë takimit elektoral të zhvilluar në Shkodër, për prezantimin e kandidatit demokrat, Lorenc Luka. “Ne krijuam një Shqipëri që vrapon dhe fluturon, me rritje të lartë ekonomike, e në të ardhmen, ne do të vazhdojmë ta bëjmë atë edhe më të bukur. Për ne të parët janë qytetarët dhe burrat e gratë e çdo qyteti”, tha ajo.
Duke përfunduar se Lorenc Luka, ka punuar shumë në krye të Bashkisë së Shkodrës. “Edi Rama flet për të vetmen rrugë, por në fakt, ai ka mbetur vetëm në rrugë. Ju që e keni lënë përherë në rrugë Partinë e Punës dhe atë që nuk punon për kombin, do ta lini vetëm atë jo vetëm në Shkodër, por edhe në Tiranë”- përfundoi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Kandidati demokrat për bashkinë e Shkodrës Lorenc Luka
Kemi ngritur shinat, për ndërtimin e Shkodrës së të ardhmes
“Kemi bërë shumë, por mund të bëjmë akoma edhe më shumë. Pasi mësuam të punojmë së bashku, dhe tashmë i ngritëm shinat, ku do të ecë treni i rrugës së të ardhmes sonë”.
Këto kanë qenë fjalët me të cilat kandidati demokrat për bashkinë e Shkodrës, Lorenc Luka, ka hapur sot fjalimin përshëndetës me rastin e prezantimit të tij para qytetarëve.
“Kemi shtruar 90 kilometra rrugë sekondare, janë bërë investime kolosale për këtë qytet, e kështu do të vazhdojnë që të bëhen. Kjo ka bërë që të kemi deri tani mbi 1000 biznese të reja, që i shtojnë të ardhurat e bashkisë, me 36 përqind. Në parkun industrial, janë shpenzuar mbi 490 milionë lekë për infrastrukturën. Për përmirësimin e mjedisit janë shpenzuar miliona lekë të tjera”- tha mes të tjerash Luka në fjalën e tij.