E Diel, 1 Nëntor 2026

PDIU çel fushatën në Durrës. Idrizi: Politika të ul tensionet e fushatës. Ndaloni dhunën! Ballafaqoni idetë!

12-04-2011 / Gazeta 55

Mbështetje koalicionit Aleanca për Qytetarin dhe Ferdinand Xhaferrajt

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet hapi dje fushatën e saj elektorale në qytetin e Durrësit, ku prezantoi edhe kandidatët për anëtar të këshillit bashkiak të këtij qyteti. Përpara më shumë se dy mijë simpatizantëve të kësaj partie, të mbledhur në Pallatin e Sportit të Durrësit, kryetari i PDIU-së i bëri thirrje politikës shqiptare që t’i thotë jo dhunës dhe të uli tensionet gjatë këtyre zgjedhjeve, në respekt të interesave kombëtarë. Idrizi tha se PDIU është për qytetarin dhe për të krijuar një fuqi të re, për të kushtëzuar politikën e madhe që ti kthehet interesit kombëtar. “Ju vetë e keni vënë re sesa shumë dhunë ka prodhuar e  po prodhon kjo fushatë. Kam drojë se nëse vazhdohet kështu, do të ketë dhe më shumë dhunë. Pse? Sepse partitë e mëdha e shikojnë këto zgjedhje si mundësia e fundit për ta asgjësuar rivalin politik. Ne jemi kundër ekseseve që prodhojnë partitë e mëdha. Nga kjo tribunë ne i bëjmë thirrje atyre: nëse është e vërtetë se këto zgjedhje janë për qytetarin,ndaloni dhunën! Të ballafaqohen alternativat, idetë dhe jo ushtritë elektorale. Të ulen flamujt e partive dhe të ngrihet flamuri i kombit. Kombi, Shqipëria mbi të gjitha. Ne jemi kundër ndarjes, pse ne jemi pro bashkimit. Ne jemi për qytetarin. Ai është dhe duhet të jetë në qendër të politikës. Ne jemi për kombin. Edhe njëherë nga Durrësi, i paqes, mirëkuptimit social, i moderimit politik, bëjmë thirrje: vini mbi gjithçka kombin, flamurin, historinë e lavdishme, të vjetër dhe të re. Ne konkurojmë në këto zgjedhje pse ne duam të krijojmë fuqi. Fuqia krijohet prej votës suaj. Nëse ne në këto zgjedhje marrim shumë vota, ne do të dijmë të kushtëzojmë politikën e madhe për t’ju kthyer interesit kombëtar”- deklaroi Idrizi.
Idrizi u bëri thirrje qytetarëve durrsakë dhe qytetarëve nga mbarë Shqipëria që në zgjedhjet e 8 Majit të zgjedhin forcën kombëtare shqiptare, dhe kandidatët e saj për këshillat komunalë dhe bashkiakë.
Presidenti i Nderit i PDIU-së, z. Tahir Muhedini deklaroi se kjo forcë politike do tëçojë drejt zgjidhjes çështjen çame, si çështja më pak e prekur e çështjes kombëtare dhe premtoi se shumë shpejt do të ketë një rezultat të tillë. “Ne u bashkuam për të çuar në vend amanetin e të parëve tanë, zgjidhjen e çështjes çame” – tha Muhedini.
Deputeti i PDIU-së, z. Dashamir Tahiri u bëri thirrje të gjithë qytetarëve durrsakë që në zgjedhjet e 8 majit të zgjedhin Aleancën për Qytetarin dhe Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, duke mbështetur kandidatin e koalicionit për Bashkinë e Durrësit, z. Ferdinand Xhaferraj. “Të gjithë bashkë të mbështesin Aleancën për Qytetarin, PDIU-në dhe Ferdinand Xhaferajn në zgjedhjet e 8 majit. Ne e duam Shqipërinë! Ne e duam Çamërinë!” – tha Tahiri. Gjatë prezantimit përshëndeti edhe kandidati për kryetar i Bashkisë së Durrësit për Aleancën për Qytetarin, z. Ferdinand Xhaferraj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›