Alternativa elektorale evropiane: Hollande apo kryengritje?
Për të mirë apo të keq, Evropa tani është e përfshirë në një kryengritje kundër paktit fiskal, që i ka dënuar shtetet e Bashkimit Evropian në masa kursimi, pa mundësi rritjeje. A do të duhet puç ushtarak për ta pranuar se gjendja është e paqëndrueshme? Apo a mos do ta ndryshojë zgjedhja e Francois Hollande si president i Francës qëndrimin pa kompromis të Gjermanisë? Mundësitë e reduktimit të deficiteve publike në më pak se tre për qind të GDP-së janë joreale, si në Holandë, ashtu edhe Spanjë. Po qe se nuk është e gatshme të ndërmarrë masa ndëshkuese tani, BE-ja do të duhet t’u bëjë këtyre shteteve lëshime shtesë – duke e pasur parasysh që qytetarët evropianë kanë tendenca të reagojnë negativisht, sa herë që të konsultohen. Në Greqi, zgjedhjet e kohëmëparshme nuk janë siguruar një koalicion shumice, që do të ishte në gjendje të marrë përsipër zbatimin e planit të kursimit, duke ia hapur rrugën daljes së sërishme nëpër qendrat e votimit.
Gjasat për reduktimin e deficiteve publike në më pak se tre për qind të GDP-së janë jorealiste, si në Holandë, ashtu edhe Spanjë. Po qe se nuk është e gatshme të ndërmarrë masa ndëshkuese tani, BE-ja do të duhet që këtyre shteteve t’u bëjë lëshime shtesë – duke e pasur parasysh se qytetarët evropianë kanë tendenca të reagojnë negativisht sa herë që të konsultohen. Në Greqi, zgjedhjet e fundit nuk kanë nxjerrë një koalicion që do të ishte në gjendje ta marrë përsipër zbatimin e planit të kursimit, duke u hapur rrugën zgjedhjeve të reja. Irlanda fatmirësisht ka më pak probleme, mirëpo gjasat që pakti fiskal do të miratohet përmes një referendumi popullor janë duke u zvogëluar. Natyrisht se largimi i klauzolës për unanimitet ofron një mënyrë për ta shmangur këtë pengesë dhe ta lejojë zbatimin e paktit. Madje edhe socialdemokratët e Gjermanisë, për mbështetjen e të cilëve ka nevojë kancelarja Angela Merkel, për ta siguruar ratifikimin në Bundestag, duket se kanë ofruar vetëm përkrahje të kushtëzuar.
Gjermania akuzohet për dogmatizëm monetarist dhe se është përgjegjëse për theksimin e asimetrisë ekonomike midis vetes dhe fqinjëve në eurozonë. Gjendja e saj relativisht e mirë ekonomike ia mundëson që ta financojë borxhin me norma shumë më të ulëta interesi sesa norma e inflacionit, derisa shtetet tjera evropiane financojnë borxhet e tyre me tre për qind më shumë sesa inflacioni. Me mposhtjen e Nicolas Sarkozyt nga Hollande, Merkel ka mbetur faktikisht pa përkrahje në eurozonë, me përjashtim të asaj që ia ka dhënë Finlanda. Tandemi me Sarkozyn ka qenë tejet i dobishëm për gjermanët në avancimin e qëndrimeve të tyre, derisa Sarkozy e kishte pranuar rolin e tij në “Merkozy”, në mënyrë që ta ruajë rolin kryesor të Francës në menaxhimin e krizës në eurozonë. Në aspektin e formës, Gjermania profederaliste është rreshtuar me insistimin e kamotshëm të Francës në një Evropë të qeverive. Megjithatë, në aspektin e substancës - masat e kursimit përballë rritjes së nevojshme ekonomike - Franca humbi. Hollande është i vendosur të ndryshojë kahe. Ai beson thellësisht në rëndësinë që ka për Evropën marrëdhënia franko-gjermane. Megjithatë, ai është mjaft realist sa për ta parë se kjo marrëdhënie është dukshëm e jobalansuar, si rezultat i rënies ekonomike të Francës dhe për këtë arsye, përkrahja nga Sarkozy e preferencave gjermane nuk ia vlen që ta lësh përshtypjen se je në qendër të vendimmarrjes. Fitorja e Hollande e ka ridefinuar në masë të madhe politikën evropiane. Pothuajse të gjitha qeveritë evropiane janë duke llogaritur në të për ta ndryshuar balancën e pushtetit. Shumë rrallë ka ndodhur që një palë zgjedhje në Francë të ndikojnë aq shumë në Evropë. A do të ketë ai sukses? Katër propozimet që i ka paraqitur Hollande janë aq konsensuale, saqë Gjermania do ta ketë të vështirë t’i kundërshtojë: përdorimi i mjeteve të pashpërndara nga Fondet Strukturore të BE-së, rikapitalizimi i Bankës Evropiane të Investimeve, krijimi i obligacioneve për projekte dhe vënia e taksave mbi transaksionet financiare. Është e rëndësishme të ceket se dy propozimet që kishte më së shumti gjasa të përballen me kundërshtimin gjerman – euroobligacionet dhe transformimi i Mekanizmit Evropian për Stabilitet në një bankë që mund të merrte hua nga Banka Qendrore Evropiane – ishin larguar nga projekt-memorandumi i tij dërguar liderëve evropianë. Me gjithë gjendjen e rëndë, Hollande i ka tri përparësi: kursimet e tepërta janë jorealiste, duke pasur parasysh kundërshtimin e madh social; deficitet publike janë vetëm një pjesë e vogël e problemeve të Evropës (dhe nuk janë domosdoshmërisht burim i krizës); dhe një konsensus i fuqishëm ka dalë jashtë Gjermanisë për të ndryshuar kahe. Për më tepër, gjatë samitit të radhës të G8-ës, Hollande do ta gëzojë mbështetjen e SHBA-së, e cila brengoset se deflacioni në Evropë do ta ngadalësojë rimëkëmbjen e saj ekonomike. Gjermania historikisht nuk ka përfituar kurrë nga izolimi. Mbase edhe mbi këtë bazë të argumentit historik-politik mund të thuhet se Hollande do të jetë në gjendje të sjellë ndërrimin e qëndrimit gjerman. Natyrisht se mund të thuhet që konsensusi i dalë evropian është bukur i paqartë. Disa favorizojnë stimulimin e rritjes përmes projekteve të investimeve, derisa tjerët theksojnë reformën strukturore. Për më tepër, nuk ka garanci se propozimet e Hollande do të ringjallin me shpejtësi ekonomitë e dobëta. Në të vërtetë, është evidente se në një shtet si Franca, ulja e shpenzimeve publike – posaçërisht blerjet shpesh joproduktive operative të shtetit – janë parakusht për rimëkëmbje.
Por, problemet e Evropës nuk mund të zgjidhen në të njëjtën kohë. E ajo që është fare e qartë është refuzimi i masave të kursimit nga qytetarët – apo, në atë aspekt, shqetësimi i shtuar i tregjeve financiare se rritja afatgjatë do të pësojë. Është kjo një aleancë e rrallë dhe e fuqishme, të cilën liderët politikë të Evropës janë duke e shpërfillur në rrezik të vetin.
Autori është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Institutin për Studime Politike në Paris. Shkrimi është botuar së pari në rrjetin “Project Sindycate”