E Shtunë, 31 Tetor 2026

(Vetë)arratisja kombëtare

Share

Nga Ervin Hatibi

Për nevoja të dominimit a perëndimorizimit, një komb pra krijon Orientin tek një tjetër ose edhe brenda vetes, e në proces e sipër, mund të krijojë edhe kombe të tjerë nga vetja: në rastin tonë, kosovarët dhe shqiptaro-maqedonasit e ndonjë plus, në ngjizje e sipër.

A e keni vërejtur njërin prej paradokseve të mira, një prej paradokseve logjike, ku mund të shihni sesi Jugosllavia ka qenë një hapësirë totalisht histerike-fantazmike, ku secili prej kombeve, veç jush, në mënyrë që të justifikonte vetveten, është përpjekur ta prezantojë veten para Perëndimit, () si një metodë  përfundimtare, më e mira e civilizimit, kundër të tjerëve barbarë. Serbët gjithë kohës u thoshin mediave perëndimore që ne jemi perëndimi i krishterë, ndërsa ju (i drejtohet intervistuesit shqiptar) jeni, në parim, dhe pothuajse jeni, një pararojë e al Kaida-s (), ju dhe boshnjakët; por kjo vazhdon më tutje, prandaj më pëlqen. Kroatët thanë, jo, ne jemi katolikë perëndimorë të civilizuar, serbët janë veç ortodoksë, ne jemi muri i fundit i fortesës. Ne sllovenët, sigurisht luanim të njëjtën lojë, ne thoshim se nuk jemi fare Ballkan, jemi Mitteleuropa kroatët janë në Ballkan (). Pastaj mund të shkoni deri në fund: Austria thotë, () Sllovenia është Ballkan; gjermanët, thonë Austria dhe perandoria austriake janë dy gjëra (të ndryshme). Franca thotë ka gjithnjë diçka të dyshimtë në Gjermani dhe në fund kur shkoni në Britani të Madhe, pretendohet se kontinenti si i tillë është një Ballkan i madh. Ndërsa ju jeni për tu nderuar, sepse po të ishte dikush që nëse e shfrytëzojmë Ballkanin për këtë term i huaji, mbi të cilin projektohet e keqja, ju jeni, do të thosha, e vetmja pjesë joballkanike e ish-Jugosllavisë. Në kuptimin që ju jeni me veten tuaj, ju nuk keni nevojë për dikë tjetër të luajë Ballkanin për ju (Intervistë e Slavoj Zizek),

Në këtë përvijim të shpejtë, gjatë një interviste në Prishtinë, të hartës ballkanizuese a orientalizuese të Europës, e cila hapet në formë qepe, nivel pas niveli, Slavoj Zhizhek ndalet tek tabani kontinental i pagërmueshëm më tej a tek boshti, garanti i lojës: shqiptari bosht bosh, në fakt, rreth së cilit organizohet duke u dendësuar qerthull europianiteti i shkallë-shkallshëm, në atë masë sa largohet; bosh, se shqiptari është brenda Europe, por nuk njihet Europë, se shqiptari është europiani që nuk është, pra, me shpinën rrafsh për ante-murale si në pritje të një skuadre pushkatimi ose, parë nga poshtë, me po atë shpinë pas po atij muri, ngarkuar me Europën si një lloj Atlasi a Sizifi, shqiptari hamall, e keqja e domosdoshme në punët e ndërtimit dhe në transportin e pianove. Sepse dikush duhej të mbante tulla në katin e fundit të pallatit të kinemasë Beograd që po ndërtohej, dikush duhej të ngarkonte dy tonë qymyr (Bora Cosic); shqiptari, zezaku ynë (Vladimir Arsenijevic  http://www.bosnia.org.uk/news/news_body.cfm?newsid=2385)

Por, shqiptarët janë edhe zezakët tanë, edhe Orienti ynë, sapo kemi mundësi të denoncojmë sikletin që na shkaktojnë, dhe të provojmë, shkencërisht po u desh, së bashku me më të bardhët prej fqinjëve, se rrotull ka disa lloje shqiptari (shqiptar dhe shiptar), se nuk jemi të gjithë njëlloj dhe mjafton që distancohemi nga ata, që ta provojmë se ata nuk jemi, mu si ajo kafsha që këput me dhëmbë këmbën e zënë, për tu distancuar nga çarku. Ndihmon shumë për këtë formalizim të ndarjes edhe kufiri i nevojshëm shtetëror ndërshqiptar, kufiri i vjetër me Jugosllavinë (se përkufizimet në vite prej andej na vijnë), i cili ndjek sa mundet edhe kufij të tjerë, organikë, që nga fetarët, tek gjuhësorët, aq sa shkon e bëhet deri racial pastaj. Në një periudhë të dominuar nga moderniteti perëndimor, çdo komb krijon Orientin e vet (Ussama Makdisi): kësisoj, për nevoja të dominimit a perëndimorizimit, një komb pra krijon Orientin tek një tjetër ose edhe brenda vetes, e në proces e sipër, mund të krijojë edhe kombe të tjerë nga vetja: në rastin tonë, kosovarët dhe shqiptaro-maqedonasit e ndonjë plus, në ngjizje e sipër.

Kështu globi i rindërtuar pas këtyre të dhënave të reja, në kërthizë ka Orientin me O të madhe (atë të mongolëve, kinezëve, maurëve, persëve etj.) dhe fill pas kësaj, koncentrik, vjen ai me o të vogël, lokali, familjari, me Shkupin e Tetovën, e me Prishtinën e Kosovën në qarkun tjetër, për të vijuar me Shqipërinë e Mesme të Haxhi Qamilit mediatik, pas të cilës edhe përfundon Orienti, aty diku pranë neoneve të ish-Bllokut në Tiranë, dhe rrathët vazhdojnë pastaj hapen, kësaj here gjithnjë e më shndritshëm, prej aty ku e filluam numërimin me Zhizhekun, drejt veriut, sipas skemës së njohur me matrioshka orientaliste (M. Baki-Hayden).

Shkupi& Tetova, Maqedonia, janë thelbi i Orientit tonë ndërshqiptar pasojë  pandehmave më të forta këtu të «arabizimit» përmes praktikimit «revolucionar» të fesë ose të «turqizimit» diakronik, sa të ngulitur prej zakoneve osmane, aq edhe të prejardhur prej kolonizimit këtej edhe qasja racializuese, tjetërsuese, ndaj shqiptarit të Maqedonisë. Por, megjithatë, ose pikërisht prej kësaj, Maqedonia shqiptare më tepër mbetet një vend i pavizituar, i padëshirueshëm për tu njohur, i montuar në fraza të gatshme, të përgjithshme të përforcimit të dallimit «me ne të tjerët» që jemi emancipuar nga zakonet e vjetra ose që nuk ndajmë me ta ose të njëjtën fe ose, aq më pak, të njëjtin entuziazëm për të.

Që Maqedonia shqiptare është territor mental, më tepër jashtë kronikës, këtë e vërtetojnë ende edhe kronikat prej andej të gazetarëve tanë, që vazhdojnë e botohen edhe sot në shtypin qendror të Tiranës:

« Në qendrën e Tetovës vërehet një shesh i madh, jo shumë i pastër. Disa kafene jo shumë të bukura dhe luksoze, të thjeshta. Syri të zë mjaft dyqane me mall oriental, kryesisht turk. () Ky është një qytet ku dominon së tepërmi feja myslimane. Në rrugët e qytetit gjenden shumë gra të mbuluara me shami, të cilat i ndjekin ritet e feve në maksimum, si falja e namazit, agjërimi apo dhe detyrime të tjera të fesë së tyre, që e adhurojnë dhe mbrojnë me fanatizëm (Anila Culi, Në Tetovën e zymtë të shqiptarëve, 13/04/2012 http://www.shekulli.com.al/shekulli/2012/04/13/ne-tetoven-e-zymte-te-shqiptareve/)

Një qytet ku malli është, pa humbur kohë, oriental në mjaft dyqane dhe ku feja myslimane dominon së tepërmi dhe shumë gra ndjekin me fanatizëm detyrimet e «fesë së tyre», ka pasur mundësi të jetë përshkruar deri edhe 1000 vjet para 2012-tës, kur po botohet kronika nga ndonjë udhëtar pa përkthyes ose, e kundërta; po ja që edhe këtë ta bën Maqedonia (Gazeta e boton reportazhin së bashku me një foto të Tetovës nga e njëjta dorë e në foto, përkundër nënvizimit me shkrim, nuk shohim asnjë shami në kokat e grave të pranishme, po as edhe ndonjë shenjë ekuivalente fetare ose fanatike nëpër burrat).

Pse është më e heshtur dhe më në hije se Shqipëria e Kosova, për arsye të shumta (e më së shumti për faj të statusit prej minoriteti) vendi që zë Maqedonia shqiptare në imagjinar është më tepër ai i një zone fetare që aktualizon dhe përafron rrezikun global të Islamit radikal, duke qenë në mënyrë komode afër

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›