Shqipëria merr pas dy ditësh Presidencën e Këshillit të Evropës

Haxhinasto: Prioritet anëtarësimi i Kosovës në KiE
Shqipëria do të shqyrtojë të gjitha mundësitë që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës. Kështu u shpreh dje shefi i diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto.
Kryediplomati shqiptar tha gjatë një interviste për Radio Kosovën, se “do të shqyrtohen të gjitha mundësitë që Kosova të vijë sa më pranë Këshillit të Evropës dhe të intensifikojë bashkëpunimin me të si dhe besojmë që të ndërmarrë edhe hapa institucionalë konkretë në drejtim të avancimit të agjendës së saj integruese”.
Në prag të marrjes së presidencës së KE-së, ai tha se përparësi të tjera do të jenë vazhdimësia e reformave, dialogu ndëretnik, ndërfetar dhe ndërkulturor.
Ministri i Punëve të Jashtme, Haxhinasto se Shqipëria gjatë presidencës 6 mujore do të ketë dy lloj prioritetesh.
“Së pari: do të jenë vazhdimi i prioriteteve të presidencës britanike kryesisht ato që kanë të bëjnë me reformën e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut. Një prioritet i vazhdueshëm do të jetë ai i decentralizimit, që përbën në fakt një prioritet të rëndësishëm për Këshillin e Evropës. Në bllokun e dytë do të rendisja ato që presidenca jonë do t’i ketë në theks të veçantë. Unë do të nënvizoja çështjet e tolerancës, diversitetit dhe motoja jonë është ‘Të bashkuar në diversitet’, për të cilën do të zhvillohen aktivitete të rëndësishme si në Këshillin e Evropës ashtu edhe në Tiranë”.
Sipas Haxhinastos, bashkëpunimi i Këshillit të Evropës me Kosovën është një proces që vazhdon aktualisht. Por, sigurisht që në presidencën shqiptare do të marrë një vëmendje shumë të veçantë.
“Shumë e rëndësishme është që shoqëria e Kosovës, institucionet e Kosovës të vazhdojnë projektet e bashkëpunimit me Këshillin e Evropës, sepse vetëm kështu ato marrin cilësi të reja, marrin zhvillim të ri dhe konsolidohen më tej pikërisht në vlerat që promovon Këshilli i Evropës, vlerat demokratike, vlerat e tolerancës dhe vlerat e gjithëpërfshirës. Është e natyrshme që do të shikohen dhe do të shqyrtohen të gjitha mundësitë që Kosova të vijë sa më pranë Këshillit të Evropës dhe të intensifikojë bashkëpunimin me të si dhe besojmë që të ndërmarrë edhe hapa institucionalë konkretë në drejtim të avancimit të agjendës së saj integruese”, tha ministri i Jashtëm.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme tha se argumenti më i rëndësishëm për këtë objektiv është që të kuptohet që proceset integruese të Kosovës janë të pakthyeshme. “Kosova tashmë ka hyrë në rrugën e saj drejt Evropës, drejt institucioneve të saj, drejt organizatave politike, drejt organizatave të sigurisë dhe është çështje kohe kur ajo do të jetë brenda tyre. Ndaj, sa më shpejt që të ketë një reflektim të secilit nga vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, aq më mirë, aq më sens të fortë, të mirë realizimi dhe realiteti ato do të tregojnë për sa i takon Kosovës”, ka thënë Haxhinasto.
Në lidhje me pretendimet apo akuzat e ish-prokurorit zviceran Dick Marty, si thuhet “për krime, trafik apo transplant organesh të serbëve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, Haxhinasto tha se mënyra më e mirë për të mbyllur njëherë e përgjithmonë akuzat e zotit Marty është që të realizohet i plotë hetimi nga Task Forca e EULEX-it, nga Task Forca evropiane.
“Tashmë legjislacioni në Shqipëri është miratuar që të realizohen ato hetime, për të cilat kjo Task Forcë ka bërë planin e saj. Dhe, kështu mendoj që i japim një përgjigje të merituar pretendimeve të Dik Martit apo dhe të, do të thosha, të pretenduesve të tjerë, që, në fakt, janë pretendime të cilat nuk kanë asnjë lloj baze realiteti. Por, është e qartë se janë qëndrime të mirëfillta politike dhe synojnë të ngrenë një re mosbesimi mbi faktorin e rëndësishëm shqiptar në rajon, faktor i cili është gjithmonë e më shumë konstruktiv, gjithmonë e më shumë kontribuues për rajonin për të ardhmen evropiane të tij”, ka thënë më tej Haxhinasto.
Fakti - Prej 23 majit, Shqipëria merr për herë të parë Presidencën e KiE/Për të parën herë vendi ynë do të marrë presidencën e radhës të një prej organizmave më të rëndësishëm ndërkombëtar siç është Këshilli i Europës. Për një mandat 6 mujor prej 23 majit vendi ynë do të drejtojë axhendën e këtij institucioni ndërkombëtar, duke aplikuar në të politikat më të mira të bashkëpunimit të vendeve anëtare. Kreu i grupit ndërministror për presidencën KiE, Ilir Melo shprehet se diversiteti dhe promovimi i vlerave të përbashkëta mbeten prioritet i kësaj presidence. Melo thotë se ky angazhim i Shqipërisë do të ketë ndikimin e mëtejshëm pozitiv edhe sa i përket procesit integrues të Shqipërisë në BE. “Vlerat e KiE janë të njëjta me ato në BE, çdo ecje përpara në KiE është një hap përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, u shpreh Melo.
Për këtë moment të veçantë Ministria e Jashtme shqiptare ka organizuar një sërë aktivitetesh festive. Ndërsa është realizuar enkas edhe një logo e veçantë për 6 muajt në vijim.