E Diel, 1 Nëntor 2026

Alternativat e zonjës së brishtë Ina Rama



Që në momentin që shkeli në ndërtesën e Prokurorisë së Përgjithshme dhe deri para pak ditësh, titullarja e organit të akuzës ka pasur, si rrallë ndonjëherë në historinë e tij, mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe thuajse të të gjithë mediave vendase, me ndonjë përjashtim të rrallë. Kjo ndodhte jo për shkak të meritave të veçanta të zonjës Rama, por për shkak të së kaluarës së afërt të këtij institucioni dhe sfidave që kërkoheshin për t’u zgjidhur nga e ashtuquajtura “zonja e hekurt”. Në atë kohë, çdokush u habit për kurajën e treguar nga gjyqtarja e suksesshme në karrierën e saj.
Krimi pati sfiduar hapur Drejtësinë dhe organi i akuzës kishte dështuar në misionin për të vënë para Drejtësisë zyrtarët e korruptuar apo eksponentët e grupeve kriminale.
Daljes nga anonimati të zonjës Ina Rama nga moria e gjyqtarëve që nuk e njihnin problematikën reale të organit të akuzës iu bashkuan, që në nisje, edhe sfidat e tjera, si mungesa e konsensusit në Kuvend nga opozita apo edhe pëlqimi i tepërt për këtë kandidaturë i segmenteve të caktuara nga maxhoranca, të pasuara edhe me kërshëri apo mosbesim nga segmente të tjera brenda saj. Kandidatura e përzgjedhur siç duket “politikisht gabim” nga grupe të caktuara të maxhorancës u duk që në nisje jo fort optimiste për t’u përballur me terrenin konkret apo edhe për t’iu përgjigjes paketës së masave antikrim dhe antikorrupsion që kishte shpallur PD-ja në korrik të vitit 2005.
Zonja Rama nuk ishte ulur mirë në karrigen e kryeprokurores, kur, bashkë me dosjet e vjetra, në tavolinën e punës iu hodhën për zgjidhje edhe dosjet e para. Hetimi për rrugën Durrës – Kukës, disa skandale të vogla në nivelet e ulëta të qeverisjes dhe më pas tragjedia e Gërdecit dhe dosja “Fazlliç”; por tri prej tyre; hetimi për ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha, zbardhja e shkaqeve që çuan në shpërthimin e Gërdecit dhe hetimi nëse zoti Faslliç kryente aktivitet biznesi në Shqipëri, duke bërë pastrim parash, evazion fiskal apo favorizohej nga qeveria, ishin sprova e vërtetë për kryeprokuroren. Por, që në nisje, krerët e këtij institucioni u dukën të paqartë në misionin dhe vizionin e tyre të paeksperiencë dhe me mungesë iniciative në menaxhimin e provave dhe ndjekjen e proceseve hetimore deri në dorëzimin e çështjeve para Drejtësisë. Ekspertët që morën në dorë dosjet e mëdha të linin përshtypjen e hetuesit të tulatur, pa kurajë, pa iniciativë, ndonëse në ndihmë të tyre dolën ekspertët e agjencive dhe përfaqësuesit diplomatikë të disa vendeve të fuqishme në Tiranë. Madje u konstatuan edhe diversione e qëndrime fragmentare brenda organit të akuzës, duke shtuar kështu edhe një tjetër problem për “hallemadhen” e Prokurorisë shqiptare. Drejtuesit e organit të akuzës kishin dhe ende kanë shansin e madh që të tregohen të suksesshëm profesionalisht duke hetuar çështjet e mëdha; ashtu sikurse tani rrezikojnë ta dëmtojnë shumë imazhin e tyre profesional nëse dështojnë në përmbylljen e procedurave hetimore të tyre.
Në bilancin e këtyre 15 apo 16 muajve, zonja Rama e ka të vështirë të shënojë ndonjë sukses institucional në përfundimin e plotë të hetimeve të top-çështjeve të deritanishme; e ka të vështirë që të faktojë ndonjë moment të vlerësueshëm të reformave institucionale në organin e akuzës, e ka të vështirë të listojë ndonjë bashkëpunim të suksesshëm me institucionet partnere, brenda apo jashtë vendit.
Edhe zelli i tepruar në nisjen e hetimeve për tragjedinë e Gërdecit, apo edhe për rastin “Fazlliç”, duket se do të shërbejnë si bumerang për organin e akuzës dhe titullaren e tij. Deklaratat e “nxehta” kanë marrë ngjyra politike tashmë dhe zonja Rama nuk po arrin që të dalë nga kurthi ku ajo dhe stafi i saj kanë hyrë. Shembulli më i qartë i këtij përcaktimi është deklarata e kryeprokurores që bëri dy ditë më parë. Përkundër saj, kryeprokurorja nuk mund të fshehë gabimet që u bënë menjëherë pas shpërthimit në Gërdec; menaxhimi i vendit të ngjarjes, hapat e gabuar në artikulimin e akuzave dhe deri në aktin qesharak të zbrazjes në dyert e gjykatës të materialeve hetimore.
Duke justifikuar deri në një farë shkalle presionet politike që i kanë ardhur nga qeveria, apo mungesën e mbështetjes së vazhdueshme dhe të fuqishme nga institucioni sipër saj, kryeprokurores së brishtë i mbetet që të dalë nga kurthi që i ka ngritur vetes që në momentin e mori përsipër pranimin e detyrës së kryeprokurores dhe gjatë gjithë defekteve të treguara deri tani. Për ta bërë një gjë të tillë nuk ka shumë kohë. Rama duhet të vendosë standardin e kërkuar për Prokurorinë; duhet të tregojë se organi i akuzës është i pavarur nga politika; ajo duhet t’i japë dinjitetin që i takon institucionit të hetimit dhe vetë hetuesve të shkurajuar; duhet të hetojë pa komplekse këdo, në çdo pozicion dhe me çfarëdolloj imuniteti, që kryen një krim apo është i korruptuar. Në të kundërt, ajo duhet të pranojë me kurajë dhe përgjegjësi dorëheqjen nga detyra e prokurores së Përgjithshme, në mënyrë që të mbetet realisht Zonjë.

17 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›