Ivanov merr certifikatën e presidentit, pjesë e kabinetit edhe 2 shqiptarë
Presidenti i sapozgjedhur i Maqedonisë, Gjeorge Ivanov, mori dje certifikatën e presidentit, dorëzuar nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor në Shkup. Presidenti Ivanov falënderoi qytetarët për mbështetjen që i dhanë në zgjedhjet presidenciale. “Mund të jemi krenarë që po e ndërtojmë këtë shtet për brezat e ardhshëm”,- tha Ivanov, gjatë ceremonisë së marrjes së certifikatës presidenciale. Presidenti përshëndeti procesin zgjedhor si të rregullt. Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Novakovski për zgjedhjet tha se Komisioni “është përballur me shumë sfida në dy ciklet zgjedhore prej zgjedhjeve lokale dhe presidenciale dhe me kënaqësi mund të themi se bashkë me të gjithë partnerët, qytetarët dhe partitë politike ia dolëm të organizojmë zgjedhje të suksesshme”. Ndërkohë mësohet se në kabinetin e ri presidencial do të përfshihen dy këshilltarë shqiptarë. Dy kandidatët për këshilltarë janë personalitete të afërta me partinë shqiptare në pushtet BDI dhe kanë mbështetjen e liderit të kësaj partie, Ali Ahmeti.
17 Prill 2009