Tadiç viziton sot Kosovën, merr lejen e zyrës së BE-së në Beograd
Presidenti serb, Boris Tadiç, ka bërë kërkesë zyrtare për të vizituar Kosovën, sot, më 17 prill, jo në adresë të institucioneve të Kosovës, por në adresë të përfaqësuesit të BE-së, nëpërmes zyrës në Beograd. Lajmi u bë i ditur nga mediat kosovare. Në kërkesën për marrjen e lejes është kërkuar edhe eskortë policore dhe makina të blinduara për presidentin Tadiç dhe delegacionin e tij, si dhe autorizim për mbajtjen e armëve për Ekipin e Mbrojtjes së Afërt që e shoqëron presidentin.
Qëllimi i vizitës thuhet se është vizita në manastirin e Deçanit.
Sipas axhendës të bashkëngjitur, delegacioni do të arrijë në vendkalimin në Merdar në orën 11, kurse në orën 13 ai do të mbërrijë në Manastirin e Deçanit, ku planifikohet që të rrijë deri në orën 17:00. Kthimi do të bëhet sërish nëpërmes Merdarit.
Nuk dihet nëse Tadiç do të takohet me krerët e Kosovës. Kryeministri Thaçi i ka kërkuar më shumë se njëherë presidentit Tadiç të vizitojë Kryeministrinë e Kosovës.
Qeveria kosovare, afat serbëve për rikthimin në polici
Qeveria e Kosovës ka caktuar 30 qershorin si afatin i fundit që policët serbë të pezulluar të mund të vendosin nëse do të kthehen në këtë mision, apo jo. Lajmi u bë i ditur në takimin e nëntë me radhë të Bordit të Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit. Sipas medias kosovare, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka thënë se vendimi nuk duhet të shihet si dënim për këta policë, por si një hap konkret për të rindërtuar një shërbim policor shumetnik. Ai tha se duhet të intensifikohen përpjekjet për të inkurajuar të gjithë policët që janë larguar t’i kthehen Policisë së Kosovës. Vendimi i qeverisë është mbështetur edhe shefi i EULEX-it, Iv De Kermabon i cili e sheh këtë si një proces mjaft të rëndësishëm për zhvillimin e vendit.
17 Prill 2009