E Diel, 1 Nëntor 2026

“Alterteksti” ngatërron Maturën

Alterteksti duket se ka ngatërruar paksa nxënësit e shkollave të mesme në Shqipëri, sidomos pas shpërndarjes së programeve orientuese të Maturës Shtetërore. Shkak kësaj radhe nuk është bërë mbingarkesa e këtyre programeve e as çorientimi i nxënësve, por vetë përmbajtja e librave. Nxënës dhe mësues thonë se disa libra nuk i trajtojnë njësoj konceptet dhe çështjet, duke bërë që në fund disa të jenë më të avantazhuar se të tjerë në provimet e maturës.

“Në programet orientuese na kanë thënë që të marrim një libër të caktuar për të mësuar, që jo gjithnjë është libri që ne kemi”, – thonë nxënës të shkollës së mesme “Partizani” në Tiranë. Në këtë mënyrë, ndonëse ata mund të kenë bërë mësim me një libër të caktuar përgjatë gjithë vitit, në Maturën Shtetërore do të jenë të detyruar të mësojnë me një libër tjetër, prej nga janë nxjerrë ekstraktet që do të bien në provime.

Kjo vështirësohet edhe më shumë në të gjitha ato lëndë ku kishte më shumë se 2 libra alternativë, ku nganjëherë nxënësit ngatërrohen edhe në librin e saktë që duhet të përzgjedhin. Në disa raste, ka deri në 4 libra alternativë për të njëjtën lëndë, duke krijuar konfuzion, jo vetëm te nxënësit, por edhe tek mësuesit. Nëse teksti që shkolla ka përzgjedhur nuk është i njëjtë me atë mbi të cilën janë bazuar programet orientuese, atëherë çdo gjë nis nga e para.

Mësuesit kanë kërkuar që të mos ketë më shumë se 2 tituj alternativë për të njëjtën lëndë, në mënyrë që konfuzioni i krijuar të ulet. Porse, kjo duket të jetë e vështirë të paktën për vitet në vijim. Kjo, pasi Ministria e Arsimit ka nënshkruar kontrata trevjeçare me shtëpitë botuese, duke e zgjatur këtë proces.

Reforma e “Altertekstit” ka si qëllim uljen e abuzimit me fondet e teksteve shkollore. Kështu, çdo shtëpi botuese propozon tituj librash, të cilat pasi miratohen nga Ministria e Arsimit, mund të shkojnë në çdo shkollë. Më pas, është shkolla ajo që përzgjedh titujt që do të përdoren në të, duke bërë që shkolla të ndryshme të përdorin tekste të ndryshme. Por, provimet e Maturës bazohen në një prej varianteve në fjalë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›