Posta: Nuk ka kaos në blerjen e kuponëve
Posta Shqiptare ka reaguar dje mbi disa deklarata të medieve. “Përkundër deklaratave politike se procesi i pajisjes së shtetasve pa pasaportë me kuponin 200 lekë për letërnjoftimin elektronik po shoqërohet me kaos në zyrat postare si dhe nuk po zbatohet vendimi i qeverisë dhe udhëzimi i Ministrisë së Financave për dhënien e kuponëve, situata flet për një realitet krejt tjetër”, – deklaroi Posta Shqiptare
Filiali i Postës së Tiranës deklaroi se këto janë vetëm trillime politike, sepse vendimi nr. 419 datë 30.04.2009, në zyrat postare të kryeqytetit, ka gjetur zbatim që nga dita e hënë datë 4 maj 2009 kur u çuan të gjitha listat e personave pa pasaporta të ardhura nga Ministria e Brendshme në zyrat postare pranë njësive bashkiake dhe jo 6 ditë me vonesë siç është keqinformuar opinioni publik.
“Shprehim keqardhje nga të tilla deklarata kur në vend të përgëzimit për punonjësit e shërbimit postar për shërbimin me dy turne ndaj qytetarëve në një kohë kur politika ishte pushim, sportelet ishin të hapura dhe të angazhuara për zbatimin e vendimit të qeverisë për shtesat e kategorive të pensioneve. Dhe në një kohë që këta punonjës prisnin një vlerësim për kontributin e tyre të çmuar në këtë proces ata kritikohen prej saj”, – informoi Posta me anë të një njoftimi për shtyp.
Sa u përket pretendimeve lidhur me zbatimin e udhëzimit te Ministrisë së Financave për personat pa pasaportë “ne kemi zbatuar aplikimin e formularëve të vetëdeklarimit ose vërtetimin nga Policia e Shtetit, pra njërin nga këto dy mundësi. Theksojmë se në të gjithë zyrat postare të filialit të Tiranës është shpërndarë udhëzimi dhe janë marrë të gjitha masat për zbatimin saktë të tij”. Drejtoria bëri të ditur se zyrat postare vazhdojnë normalisht punën duke përballuar të gjitha kërkesat e qytetarëve që paraqiten në sportel.
Durrës
Poni dhe Dako inspektojnë zyrat e aplikimit
Zv.ministri i Punëve të Brendshme, Ferdinand Poni, dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, kanë inspektuar zyrat e aplikimit të kartave të identitetit që janë instaluar në pesë rajonet e qytetit. Poni dhe Dako janë njohur me ecurinë e aplikimit, ndërkohë që Poni ka kërkuar ritme më të shpejta në drejtim të kategorive që përfitojnë karta me çmim 200 lekë, si paraplegjikët, personat me ndihmë ekonomike, invalidët etj. Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, nga ana e tij u ka bërë thirrje qytetarëve të Durrësit, kryesisht atyre pa pasaportë, të aplikojnë për karta, ndërsa nga ana tjetër u shpreh se Këshilli Bashkiak ka marrë vendimin për miratimin e fondit të veçantë për shtresat në ndihmë ekonomike, paraplegjikë etj. “Me këtë rast dua t’u bëj një thirrje të gjithë qytetarëve, por veçanërisht atyre që janë pa pasaportë, të bëjnë sa më parë aplikimin për marrjen e kartës së identitetit në mënyrë që ata të mos i shmangen procesit të votimit, i cili është një proces mjaft i rëndësishëm. Duke marrë kartën e identitetit këta qytetarë do të marrin përsipër përgjegjësinë e tyre ndaj qytetit dhe vendit për sa i përket procesit të votimit, i cili është një proces mjaft i rëndësishëm dhe nuk duhet të qëndrojë askush indiferent për votën. Këshilli Bashkiak në bazë të vendimit të qeverisë e ka miratuar tashmë fondin për shtresat e qytetarëve që përfitojnë ndihmë ekonomike, tetraplegjikë, paraplegjikë, romë, egjiptianë etj. në lidhje me pajisjen e këtyre shtresave me karta”. Nga burime zyrtare bëhet e ditur se çdo ditë në qytetin e Durrësit aplikojnë mesatarisht 400 persona, ndërkohë që deri tani janë afërsisht 36 mijë aplikues dhe janë pajisur deri tani 15 000 me karta.