Arrestohet bosi “i varfër” i drogës në Torino
Në Itali njihej si një emigrant i varfër, të cilit shteti italian i siguronte para dhe asistencë ekonomike për të jetuar si një shtetas normal. Ndërkohë që në Shqipëri ai ishte i pasur, kishte një vilë me vlerë 200 mijë euro, që po ndërtohej në bregdet dhe një llogari bankare 100 mijë euro. Kapja e tij për herë të parë me drogë do niste të hidhte dritë mbi aktivitetin e tij kriminal, por edhe faktin që nuk ishte realisht aq i varfër sa rezultonte për shtetin italian. Përgjimet e telefonatave zbuluan se emigranti i varfër në Itali posedonte një vilë me vlerë 200 mijë euro në Shqipëri, e cila ishte në ndërtim e sipër në bregdetin shqiptar, ndërkohë që në llogarinë e tij bankare kishte derdhur edhe 100 mijë euro të tjera. Gjithçka falë aktivitetit kriminal të shitjes së kokainës. Gjithçka e siguronte nga shitja e kokainës, pasi gjatë natës drejtonte një grup shpërndarësish të drogës. Alfred Tafa, babai i dy fëmijëve, ishte bosi i një bande që merrej me shpërndarjen e drogës në Torino, ndërsa për shtetin italian, shqiptari ishte thjesht një emigrant i varfër për të cilin duhej të kujdesej. Dhe mashtrimi i 40-vjeçarit do të vazhdonte edhe më, nëse nuk do të arrihej që të zbulohej e vërteta nëpërmjet telefonatave. Tafa drejtonte një grup shpërndarësish të drogave të forta, duke bërë që në tre vjet të siguronte një pasuri të mirë. Nga ana tjetër, për të jetuar në Itali, ai nuk duhej të paguante asgjë, se për këtë mendonte shteti fqinj. Sipas prokurorëve italianë, vetëm për tre vjet, Tafa kishte arritur që nxirrte nga ky biznes rreth 300 mijë euro. Nga shitja e drogës, fitimet arrinin deri në 2 mijë euro në ditë, ndërsa për të paguar faturën e dritave dhe shërbime të tjera mendonin autoritetet italiane. Ishte gruaja e tij, e ardhur në Itali që në vitin 2003, që kishte arritur që të rregullonte ndihmën nga shteti fqinj. Ata kishin edhe dy fëmijë, 4 dhe 7 vjeç, të cilët vazhdonin shkollën. Edhe për ta mendonte shteti italian, i cili paguante gjithçka. Familja Tafa merrte rreth 1.200 euro në vit si mbështetje për qëndrimin, 1 mijë euro të tjera për shkollën e fëmijëve dhe bonuse të tjera në shëndetësi e ushqime. Edhe pse niveli i jetesës për Tafën ishte rritur, ai nuk e kishte braktisur banesën e vjetër, nga ku kishte arritur që të hiqte goxha shpenzime. Ndërkohë, 40-vjeçari shqiptar ishte i lirë të merrej me biznesin e tij tepër fitimprurës.
Banda e shpërndarjes së kokainës
Sipas policisë italiane, në bandë ishin edhe tre shqiptarë të tjerë. Ai kishte arritur që të krijonte lidhjet e duhura dhe të gjente klientët, duke bërë që biznesi i tij t’i jepte rreth 2 mijë euro. Banda vepronte në Torino dhe Asti, dhe së bashku me Tafën ishin edhe patriotët e tij, Arben Tako, 41 vjeç dhe Kujtim Ukthaçi 42 vjeç, që qëndronin në Moncalieri. Sipas policisë, grupi kryente deri në dhjetë dorëzime në ditë, më shumë se 60 gramë kokainë. Porositë bëheshin me telefon. Ishin pikërisht bisedat telefonike që çuan në zbulimin e autorëve. Në fillim, Tafa arrestohet në muajin tetor të vitit kaluar me katër gramë kokainë. Pikërisht këtu nis puna e agjentëve italianë. Ata vendosin një gjurmues në makinën e 40-vjeçarit dhe nisin nga puna për vëzhgimin e veprimtarisë së tij. Tafa vazhdon punën e tij mes shitjes së drogës dhe basteve sportive. Gjatë një ndeshjeje të kampionatit anglez, karabinierët janë çuditur, pasi ai ka hedhur në pak minuta 1200 euro. Ata nuk mund ta besonin që një emigrant që mbahej me asistencë të harxhonte aq shumë para në vetëm pak minuta në baste. Ai kapet sërish së bashku me Fadil Memën. Hetimet vazhdojnë dhe në listën e të përfshirëve futen edhe Giuseppe Laiolo e Pino Corvino, e Arben Kaçaniku, kushëri i Ukthaçit. Javën e kaluar hetimet u mbyllën me sekuestrimin e 250 gramëve të drogës së sekuestruar.
Fitimet
Sipas policisë italiane, 40-vjeçari ishte duke përfunduar një vilë në bregdet në Shqipëri me vlerë gati 200 mijë euro. Ndërsa mbaronte punë, 40-vjeçari nuk harronte të telefononte në Shqipëri dhe të fliste me “ustallarët” e vilës dhe të porosiste vaskat me hidromasazh dhe orenditë më të mira për banesën e tij. Ndërkohë që, e shoqja është regjistruar duke folur me të afërmit dhe duke thënë se kishin arritur që të hidhnin në bankë gati 100 mijë euro nga ky biznes. Falë përgjimeve, karabinierët kanë arritur që të zbulojnë punën që bënte 40-vjeçari Tafa, i cili tani ndodhet në burg në shtetin fqinj.