E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes e dyshuara me gripin e derrit në Kosovë



Shfaqet rasti i parë i dyshuar në Kosovë me gripin e derrit. Një njëzeteshtatëvjeçare është paraqitur mëngjesin e djeshëm në Qendrën Spitalore Universitare të Prishtinës me simptomat e gripit të derrit, ku fatkeqësisht humbi edhe jetën në orët e para të pasdites. Vajza nga Stublla e Vitisë ishte kthyer nga Zvicra, ku mendohet që edhe mund të ketë marrë sëmundjen, nëse ishte e infektuar nga gripi i derrit.

Analizat e 27-vjeçares pritet të dalin në ditët në vijim, ndërkohë që ky është rasti i parë i shfaqjes së sëmundjes në Ballkan, nëse rezultatet dalin pozitive. Më parë, dy raste të tjera ishin dyshuar në Serbi dhe Maqedoni, por rezultuan negative. Drejtuesit e Qendrës Spitalore të Kosovës deklaruan se janë mobilizuar për të përballuar përhapjen e sëmundjes në Kosovë.

Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdon ta mbajë alarmin e përhapjes së sëmundjes në shkallën e pestë. Deri dje, ishin prekur 1516 persona në 22 shtete nga kjo sëmundje, prej të cilëve 30 kanë vdekur. Shumica dërrmuese e të vdekurve 29 janë në Meksikë, ndërkohë një foshnje ka vdekur në SHBA. Nëse vërtetohet se e ndjera nga Kosova ka qenë e sëmurë me virusin H1N1, ky do të jetë rasti i parë i vdekjes jashtë Amerikës së Veriut.

Në Meksikë janë raportuar zyrtarisht 822 raste të sëmundjes dhe në SHBA 403. Përhapja në vendet e tjera është më e vogël. Kështu, janë zyrtarizuar raste të infektuara në Austri (1), Kanada (165), Hong Kong (1), Kolumbi (1), Kosta Rika (1), Danimarkë (1), Salvador (2), Francë (4), Gjermani (9), Guatemalë (1), Irlandë (1), Izrael (4), Itali (5), Holandë (1), Zelandë e Re (6), Portugali (1), Kore (2), Spanjë (57), Zvicër (1) dhe në Mbretërinë e Bashkuar (27).

Gjithsesi, OBSH-ja vijon të këmbëngulë se situata nuk duhet të prodhojë alarme të kota, por duhet të paralajmërojë qytetarët për të marrë masa parandaluese. OBSH-ja këshillon shtetet që të mos vendosin pengesa në udhëtimet e rregullta e as të ndalojnë kalimin në kufij. Nga ana tjetër, sipas OBSH-së, është “e këshillueshme për personat që janë të sëmurë, të shtyjnë udhëtimet ndërkombëtare dhe personat që kanë simptomat, pas një udhëtimi jashtë shteti, të kërkojnë kujdes mjekësor, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të autoriteteve shtetërore”.

Sakaq, OBSH-ja udhëzon qytetarët që të mos ndalojnë përdorimin e produkteve dhe nënprodukteve të mishit të derrit, pasi ato nuk shkaktojnë infektimin, nëse janë të gatuara mirë. “Individët janë të këshilluar të lajnë duart me sapun dhe ujë në periodicitet të rregullt dhe duhet të kërkojnë kujdes mjekësor, nëse u shfaqet çfarëdolloj simptome e gripit”, - duke përfshirë këtu edhe gripin e zakonshëm, sipas OBSH-së.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›