E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Sigurimi i kredive, ekonomia më solide



Ekonomia shqiptare është solide dhe tregjet financiare ruajnë besim të plotë ndaj saj. Kjo është siguria që u dha mbrëmë shqiptarëve Kryeministri i vendit, Sali Berisha, në mbledhjen e qeverisë. Sipas tij, dëshmi e këtij besimi është kredia e fundit që ia doli të sigurojë Ministria e Financave në një kohë kur shumë qeveri të tjera nuk sigurojnë dot të tilla kredi. Berisha vuri në dukje se dy ditë më parë, ministri i Financave, Ridvan Bode, nënshkroi një marrëveshje me bankat ndërkombëtare, Alpha Bank dhe Deutsche Bank, prej 250 milionë eurosh për të kredituar qeverinë shqiptare për të financuar nevojat e buxhetit të shtetit për shpenzime kapitale për vitin 2009, duke përfshirë dhe financimin e mbetur të rrugës Rrëshen-Kalimash. “Ministria e Financave e siguroi këtë kredi para së gjithash në sajë të besimit të madh që tregu financiar ndërkombëtar ka në performancën financiare dhe ekonomike të Shqipërisë”, - tha Kryeministri Berisha. Marrja e kësaj kredie, që sipas kreut të qeverisë, pati një rezonim të fuqishëm në agjencitë më të mëdha të lajmeve, dëshmoi edhe një herë se ekonomia shqiptare është solide. “Nuk mund të them se ekonomia shqiptare nuk ka pasur ndikime dhe pasoja të krizës, por ajo është solide dhe ndaj saj tregjet financiare ruajnë besim të plotë”, - u shpreh Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›