E Shtunë, 31 Tetor 2026

Altetika ngre siparin, Bitincka humb finalen për një të dhjetën e sekondës

Të martën, në ditën e gjashtë të Lojërave XVI Mesdhetare, ka ngritur siparin edhe atletika. Nga përfaqësuesja shqiptare në pistë ka zbritur Elton Bitincka, në garën e 110 metrave me pengesa. Kampioni dhe rekordmeni i vendit u rendit i katërti në gjysmëfinalen e dytë, me kohën 14.21. Ai nuk u kualifikua në finale vetëm për një të dhjetën e sekondës: diferenca e kuqeziut nga tuniziani Ajmen Ben Ahmed. Zhgënjim edhe për qitjen, ku kampionia e Europës në vitin 2007, Lindita Kodra, nuk u klasifikua në zonën e medaljeve në konkurrimin e 10 metrave pistoletë në ajër. Ajo grumbulloi 475.4 pikë, duke u renditur e shtata në finale. Kombëtarja e volejbollit të femrave e mbyll aventurën në "Peskara 2009" me humbjen e tretë, 3:0 përballë Greqisë, ndërsa meshkujt startojnë me humbjen 3:0 përballë Spanjës. Edhe meshkujt e basketbollit e mbyllin aktivitetin me humbjen e tretë, me rezultatin 92:73 për Malin e Zi. Vajzat e koshit fitojnë takimin e parë në Lojëra, për klasifikimin nga vendi i pestë në të shtatin. Skuadra e Toskës kaloi me shifrat 73:69 Maltën. Vajzat e volejbollit të plazhit regjistrojnë fitoren e parë me dyshen Qose-Brisilda, të cilat mposhtën 2-1 kroatet Cërniç-Majiç. Edhe pingpongu i mbyll lojërat vetëm me humbje, pas disfatës 4:0 të Adelajda Isakut me turken Melek Hu. Boksierët Jetmir Kuçi dhe Nelson Hysa janë eliminuar në çerekfinalet e kategorive 69 kilogramë dhe mbi 91 kilogramë, ndërsa çiklistët Eugert Zhupa dhe Palion Zarka u klasifikuan në vendet 12 dhe 13 të finales së kronometrit individual.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›