E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vata te Vllaznia për Europa League

Vllaznia duket se do t‘i besojë përvojës së madhe të Fatmir Vatës për pjesëmarrjen e saj në Europa League. Burime të sigurta pranë klubit shkodran pohuan tashmë se, mes palëve është arritur dje një marrëveshje me veteranin shqiptar, ish-lojtarin e Kombëtares kuqezi, që pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në kampionatin gjermane mes Bundesligës 1 dhe Bundesligës 2. Është mësuar se, Vata u është vetofruar drejtuesve kuqeblu, duke u kërkuar që ta bëjnë pjesë të ekipit për ndeshjet në Kupat e Europës. Fakti që e ka shtyrë sulmuesin veteran të ndërmarrë këtë veprim ka të bëjë me një të re të fundit, e cila ka mbërritur dje nga mediat gjermane. Sipas revistës së njohur sportive "Kicker", Tuz Kolbenci ka vendosur ta zgjidhë kontratën me 37-vjeçarin, i cili tashmë është një lojtar i lirë. Në një pozitë të tillë, pa skuadër, në një kohë kur as ai vetë nuk e ka vendosur ende, nëse ka ardhur momenti për të varur "këpucët në gozhdë", ka menduar se do të ishte në të mirë edhe të tij të gjente një ekip, me të cilin të mund të angazhohej para se të mbyllte karrierën si futbollist. Tani është e sigurt që Vata do të impenjohet me Vllazninë në Europa League. Pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, vetë koha e pakët në dispozicion për t‘u ambientuar me ekipin shkodran, imponon mosaktivizimin e tij në ndeshjen e parë të Vllaznisë kundër irlandezëve të Sligo Rovers, e cila do të zhvillohet nesër në ishullin nordik. Vata do të jetë i pranishëm të enjten në tribunën e stadiumit irlandez. Ndërsa aktivizimi i tij në radhët e Vllaznisë do të bëhet në ndeshjen e kthimit, të parashikuar 9 korrikun e ardhshëm në stadiumin "Loro Boriçi" (duke shpresuar se forma e tij do ta bindë trajnerin Hasan Lika për ta hedhur në fushë mes 11-shes titullare). Lajmi është konfirmuar nga burimi ynë pranë klubit kuqeblu. Vllaznia është nisur dje rreth orës 12:00 në drejtim të Irlandës. Ky udhëtim është ndërmarrë 48 orë para ndeshjes për vetë faktin se pritet të jetë shumë i lodhshëm, sepse do të udhëtohet transit. Paraqitjet e fundit të Vllaznisë së Hasan Likës nuk kanë qenë bindëse. Afrimi i Vatës mund të ofrojë përvojën e tij të madhe në futbollin ndërkombëtare. Ai e ka nisur karrierën në Burrel, (1990-1991) për të luajtur më pas te Tirana në vitet 1992-‘93. Paraqitjet e tij të mira kanë rënë në sy të ekipit kroat NK Orijent Rijeka (1993-‘95). Këtu shënohet edhe fillimi i karrierës së tij në kampionatet europiane. Në CV-në e tij më pas janë shtuar ekipe si NK Samobor (1995-‘98), Slaven Belupo Koprivnica (1998-12/1998), FC Vukovar 91 (1/1999-12/1999). Në vitin 2000 u transferua në kampionatin gjerman, ku luajti për një sezon te Valdhof Mannheim. Më pas kaloi tek Arminia Bielefeld (2001-‘07). Në 2007-2008 kaloi te Tus Kolbenz, me të cilin u aktivizua edhe sezonin e fundit, ku shënoi vetëm 3 gola në 14 ndeshje. Vlera e tij aktuale sipas "transfermarkt.de" është 350 mijë euro. Karriera e tij është drejt perëndimit edhe për shkak të moshës që mban mbi shpatulla.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›