E Shtunë, 31 Tetor 2026

Altin Lala: “ka ardhur koha e te rinjve

Nga Ledjo SEFERKOLLI
Kur bie fjala për kombëtaren me të drejtë në shtypin shqiptar shtrohet pyetja që ka të bëjë me rinovimin e saj. Është folur shumë, se kombëtarja jonë ka nisur të "plaket". Mjaft elementë kanë nisur perëndimin e tyre, ndërkohë që dita-ditës po evidentohen elementë të rinj, të cilët po presin shansin e tyre, duke nisur që nga ndeshja miqësore e së mërkurës në Shkodër kundër Maqedonisë. Një nga figurat e kombëtares sonë është pa dyshim edhe mesfushori i Hanoverit në Bundesligë, Altin Lala. Kapiteni i "të kuqve të veriut" ndër të tjerat ka folur mjaft edhe për rinovimin e kombëtares shqiptare. Për të ka ardhur koha që të bëhen ndryshime, që do t'i shërbejnë për të mirë kombëtares kuqezi. Madje, ai nuk ka ngurruar të bëjë edhe propozimin e tij, që eliminatoret e Evropianit të vitit 2008, të shërbejnë si një kolaudim i kombëtares se re, që do të përgatitet për eliminatoret e kampionatit botëror të vitit 2010, në Afrikën e Jugut. "Më mirë të djegim këtë fushatë eliminatoresh për të përgatitur një kombëtare kompetitive për eliminatoret e ardhshme." Altin ktheheni sërish në kombëtare pas dëmtimit të pësuar në tetor në ndeshjen kundër Holandës… Të them të drejtën dua ta harroj atë ndeshje që më kushtoi jo pak. Gjithsesi, për fat gjërat kanë shkuar në rrugën e duhur dhe tani mendoj të vazhdoj nën këtë ritëm. Për sa i takon ndeshjes, shpresoj që ajo t'i shërbejë më shumë të rinjve. Cfarë do të thotë kjo? Në radhë të parë dua të flas për formacionin. Unë e kam bërë të qartë, se nuk do të luaj gjithë ndeshjen. Ndoshta vetëm një pjesë, pasi të premten më duhet të jem në fushë në Bundesligë me Hanoverin. Pastaj një miqësore si kjo me Maqedoninë, besoj se ka funksione të tjera. E thashë edhe më lart se ajo duhet t'i shërbejë më shumë të rinjve që janë afruar te kombëtarja. Meqë po flasim për të rinjtë, cili është mendimi juaj. A ka ardhur koha për rinovimin e kombëtares? Mendoj se po. Është momenti i duhur që të fillojë ky rinovim, pasi eliminatoret e botërorit të ardhshëm vijnë shpejt dhe ne duhet të jemi të përgatitur për këtë. Mendoj se janë të gjitha premisat, pasi kam parë që në skuadër janë afruar shumë futbollistë të rinj që luajnë në kampionatet më të fortë në Evropë. Kjo tregon se skuadra jonë ka potenciale të mjaftueshme. Ne këtë kemi vuajtur, mungesën e një skuadre me 14-15 futbollistë të gatshëm në cdo kohë. Unë jam i bindur se tani ka ardhur koha për të gjithë këta të rinj që po dalin. Është edhe dicka, shanset tona për të shkuar në Evropian, duhet pranuar se nuk janë shumë të mëdha nisur edhe nga përbërja e grupit tonë. Për të qenë realist duhet thënë se detyra është e vështirë. Cfarë nënkupton kjo. Mos do të thotë që më mirë t'i harrojmë këto eliminatore për të menduar për vitin 2010? Pse jo. Unë jam i mendimit që më mirë të sakrifikojmë këto eliminatore për të përgatitur një skuadër shumë kompetitive për eliminatoret e botërorit të ardhshëm. Mendoj se kjo është një rrugë e mirë. Të paktën unë jam pro këtij mendimi. Të rinjve u duhet dhënë shansi që tani, duhen parë që tani. Ndoshta rinovimi ka filluar me Berishën, Kapllanin, Memellin, Hykën e ndonjë tjetër? Dua të ndalem tek Mondi. Ai po zhvillon një sezon të shkëlqyer me Karlsruhen. Nëse dikush mendon se të shënosh 10 gola janë pak për Bundesligën 2, unë po ju them se e kundërta është e vërtetë. Unë kam mjaft eksperiencë në Bundesligën 2 dhe e di se cfarë do të thotë. Është një kampionat shumë i fortë dhe i ashpër. Ndaj Kapllani meriton komplimentet më të mira. Madje mund të them me bindje, se ai do të shkojë te 20 golat në këtë sezon. Duke iu kthyer kombëtares dua të them, se për Kapllanin koha ka ardhur për në kombëtare. Unë e kam shprehur qartë pozicionin tim se ai tashmë e ka fituar eksperiencën e duhur për të qenë rregullisht pjesë e kombëtares. Pastaj për të rinjtë e tjerë më bëhet qefi që kanë ardhur dhe janë të mirëpritur. Është fat që kemi kaq shumë të rinj që aktivizohen në kampionate të ndryshme në Evropë. Rinovimi do të thotë që disa nga veteranët e kombëtares, duhet të hapin rrugë? Rinovim nuk do të thotë domosdoshmërish largim i futbollistëve aktualë. Unë mendoj se i duhet dhënë më shumë hapësirë të rinjve. Ky është thelbi, pasi gjëja më e mirë në një skuadër alternimi i elementit me përvojë me atë të ri. Kështu duhet të funksionojë. Aliaj është i pari nga garda e vjetër që duket se do ta mbyllë këtu me kuqezinjtë… E kam parë këtë nga shtypi. Kjo është një zgjedhje e tij dhe nuk mund ta paragjykoj. Gjithsesi, ai e di më mirë përderisa ka vendosur të ndërmarrë një hap të tillë. Po me Lalën cfarë do të bëhet? (Qesh). Do të luaj edhe shumë vjet. Shaka kjo. Unë mendoj se do të vazhdoj të aktivizohem me kombëtares derisa të jem i vlefshëm. Në momentin që do ta ndjej se duhet të largohem edhe unë do të them stop. E sigurt është se do të vazhdoj të jap kontributin tim për këto eliminatore që janë në rrugë e sipër dhe në ato të ardhshmet për botërorin e vitit 2010, gjithnjë nëse cdo gjë shkon pa probleme për sa i takon dëmtimeve. Gjithsesi, unë mendoj se asgjë nuk mund të parashikohet kaq lehtë. Unë jam i mendimit se do të jap dorëheqjen nga skuadra kur të vijnë momenti i duhur. Problemi më i madh i kombëtares? Një nga pikat ku kemi caluar ka qenë mbrojtja. Kemi marrë shumë gola të shmangshëm që na kanë penalizuar. Jam i bindur, se eliminatoret e kaluara kur skuadra drejtohej nga Brigel do t'i kishim mbyllur edhe më mirë nëse nuk do të kishim pësuar aq shumë gola të panevojshëm. Imagjinoni sikur ato gola të pësuar ashtu kot, t'i kishim shmangur. Gjithsesi, ato i përkasin të kaluarës. Tashmë është koha për të menduar për të ardhmen. Deri ku mund të shkojmë në këto eliminatore? Pyetje e lehtë për t'u bërë, por përgjigjja nuk është e lehtë. E rëndësishme është që të bëjmë më të mirën dhe të fitojmë elementin e ri. Dicka për miqësoren me Maqedoninë… E thashë edhe më lart. Kjo ndeshje është për të rinjtë. Personalisht e kam thënë se nëse luaj do të aktivizohem vetëm një pjesë. Kjo ndeshje duhet t'i shërbejë trajnerit të kombëtares për të provuar elementin e ri. Lala për Baricin: "Më taktik se Brigel" Mesfushori i ekipit tonë përfaqësues, Altin Lala, duke komentuar ndryshimet në kombëtare pas ardhjes së kroatit Oto Baric, është shprehur se ato (ndryshimet) janë të dukshme dhe kanë qenë në sensin pozitiv. Sipas tij, ndryshe nga trajneri i mëparshëm i ekipit kuqezi, gjermanit Hans Peter Brigel, kroati Oto Baric është më taktik në drejtimin e ekipit dhe më shumë se kaq ai ka afruar në skuadër elementë të rinj që luajnë në kampionatet perëndimore. "Baric ka afruar në ekip shumë lojtarë të rinj që luajnë në kampionatet perëndimore dhe kjo nuk është vetëm një risi, por dhe një anë pozitive, frutet e së cilës do të shihen në të ardhmen. Duket qartë se Baric është më taktik se Brigeli, pavarësisht se i pari karakterizohej nga një disiplinim i fortë në radhët e ekipit. Skuadra ka bërë përparime të ndjeshme si nën drejtimin e Brigelit, ashtu dhe të Baricit dhe ky përparim është i vazhdueshëm. E rëndësishme për momentin është afrimi i shumë lojtarëve të rinj që luajnë në Europë, veprim që mban meritën e kroatit", - tha Lala. Nga ana tjetër, mesfushori kuqezi shprehet se me trajnerin aktual po merr formë pak nga pak edhe elementi i ri kuqezi, në të gjitha repartet, teksa miqësorja me Maqedoninë dhe më pas ndeshja në grup ndaj Sllovenisë do të vënë në pozita prove të rëndësishme trajnerin 74-vjecar të ekipit kombëtar. Për Lalën, Baric është shumë më teknik dhe taktik se sa Brigeli, i cili ushtronte më shumë diktat disiplinor në ekip. Habi për mungesën e Salihit Cudia më e madhe e listës së trajnerit të kombëtares shqiptare Oto Baric për takimin e së mërkurës në Shkodër kundër Maqedonisë është mungesa e sulmuesit të Riedit në Austri, Hamdi Salihi. Ish-bomberi i Vllaznisë dhe Tiranës në kampionatin shqiptar i kaluar në merkaton e janarit në Bundesligën austriake është lënë jashtë listës së Baricit dhe kjo i ka cuditur të gjithë, madje edhe Altin Lalën, i cili e ka marrë vesh një gjë të tillë vetëm mbrëmë. "Nuk është grumbulluar Salihi? Vërtet? Më vjen cudi, pasi kam dëgjuar fjalët më të mira për të. Gjithsesi, unë mendoj se kjo është një zgjidhje e trajnerit dhe duhet respektuar",- ka nënvizuar Altin Lala. Shkodra ajo që i sjell fat Kombëtarja shqiptare kthehet të luajë në "Loro Borici" pas 4 vjetësh një qytet që i ka sjellë fat Altin Lalës. Ndeshjen e saj të fundit në "Loro Borici" kuqezinjtë e zhvillonin më 29 mars të vitit 2003, që do të mbahet mend gjatë. Shqipëria asokohe e drejtuar nga Hans Peter Brigel arrinte një fitore historike kundër Rusisë në Shkodër 3:1, ku një nga protagonistë e fitores së madhe ishte edhe mesfushori i Hanoverit. Mesfushori ynë ka shënuar golin e dytë (2:1) të takimit që i hapi rrugën fitores së kuqezinjve. Ishte minuta e 80 kur shtatshkurtri i kuqezinjve shënonte golin e dytë e 3 minuta më vonë Tare vuloste shifrat përfundimtare në 3:1. e pas 4 vjetësh kuqezinjtë dhe Lala kthehen në Shkodër dhe vetë shtatshkurtri shpreson që historia të përsëritet edhe pse këtë herë bëhet fjalë thjesht për një miqësore. "Me sa mbaj mend unë në Shkodër kemi luajtur vetëm një herë dhe unë kam shënuar. Ndoshta Shkodra më sjell fat. Ndoshta ruaj përsëri 100%. Do të ishte bukur të shënoja, megjithatë pak rëndësi ka. Kjo është një miqësore" 29.03.2003 Shqipëri-Rusi 3-1 (K. Evropian) Shënues: Rraklli 20', Lala 80', Tare 83' / Karjaka 77' Shqipëria: Strakosha, Cipi, E. Beqiri, Aliaj, Lala, K. Duro, Skela (84' Dede), Hasi, Murati (68' Bellai), Tare, Rraklli (71' Myrtaj) SKEDA E ALTIN LALES Datëlindja: 18.11.1975 Shenja e horoskopit: Akrepi vendlindja: Tiranë Gjatësia: 172 cm Pesha: 64 kg Kombësia: Albaner Aktivizohet me Hannover 96 që nga: Korriku 1998 Pozicioni: mesfushor me tipare mbrojtëse Fanella numër: 8 Ndeshje në Bundesligën 1: 113 Gola në Bundesligën 1: 1 Ndeshje me Hanover 96: 228 Gola me Hanover 96: 10 Ndeshja e parë në Bundesligë: 11.08.2002 Ndeshje me kombëtaren shqiptare: 53 Gola me kombëtaren shqiptare: 3 Skuadra të mëparshme: Borusia Fulda, Dinamo Tirana Sezoni 2006-2007 Skuadra: Hanover 96 / Bundesliga 1, Gjermani Ndeshje të luajtura: 9 Minuta të luajtura: 542 Kartona të verdhë: 1 Gola të realizuar: 1 (Hanover-Hertha Berlin 5:0, 31.01.2007)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›