E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koefiçientë të çuditshëm, Maqedonia favorite

Nga Jetmir Halilaj
Kompanitë sportive të basteve kanë kuotuar në mënyrë të cuditëshme ndeshjen mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Kjo e fundit ka koeficient më të ulët në rast fitoreje, megjithëse është skuadra që luan jashtë fushës së saj. Koeficienti për fitoren e Shqipërisë është 2.65, barazimi është 3.25 ndërsa fitorja e fqinjëve tanë është kuotuar me koeficientin 2.35. Kjo do të thotë se kompanitë besojnë më shumë tek një fitore e Maqedonisë, megjithëse skuadra e Katanec luan jashtë fushës së saj. Me sa duket paraqitjet e fundit të Kombëtares shqiptare kanë ndikuar edhe në sytë e specialistëve të basteve. Megjithatë këta koeficientë nuk janë përfundimtarë, sepse ndryshojnë vazhdimisht madje edhe pak orë para ndeshjes. Jo të gjitha kompanitë e kanë kuotuar ndeshjen që do të luhet në 7 shkurt në "Loro Borici" dhe që do të fillojë në orën 14.00. Këta koeficientë kanë qenë deri në orët e vona të ditës së djeshme në kompaninë "Bëin". Pritet që gjatë ditëve të ardhëshme ndeshja të luhet edhe nga bastaxhinjtë shqiptarë, të cilët padyshim që nuk do ta lënë t'u ikë ky rast nga duart. Ndeshja mes këtyre dy skuadrave do të jetë një miqësore, por kjo nuk do të thotë se ekipet nuk do ta kërkojnë fitoren. Atmosfera është ndezur prej disa ditësh dhe aktivizimi i disa lojtarëve të rinj nga të dyja kampet mund të jetë një katalizator më shumë për të dhuruar spektakël dhe gola. Trajnerët nga ana tjetër kanë thënë se kjo do të jetë një sfidë e rëndësishme sepse luhet pikërisht në prag të eliminatoreve të muajit mars, cka do të thotë se rezultati i kësaj miqësoreje do të jetë i rëndësishëm për sa i përket nivelit psikologjik të futbollistëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›