E Shtunë, 31 Tetor 2026

Altin Lala, thirrje tifozëve të Hanoverit për mbështetje

Albania-Sport - Kapiteni shqiptar i skuadrës së Bundesligës 1, Hanover 96-s, ka shprehur kënaqësinë e tij me atë fitore mbresëlënëse, 4-1, që skuadra e tij ka arritur në Ahen ndaj Alemanias vendase, ndërkohë që u ka bërë thirrje tifozëve të këtij klubi që të jenë sa më të shumtë në numër, në ndeshjen e ardhshme, atë të 9 shkurtit 2007, në fushën e vet, kundër Volfsburgut.
"Gjithcka ka shkuar shumë mirë për ne në ndeshjen e sotme, - deklaroi mesfushori shtatshkurtër shqiptar, duke folur për faqen zyrtare të Hanoverit në Internet, pas fitores me Alemanian e Ahenit. - Ne e qarkulluam mirë topin dhe patëm fatin të shënonim dy gola të shpejtë. Përvec golave të shënuar, ne patëm edhe raste të tjera të volitshme për shënim. Ndonëse fituam, po kështu bëri edhe Borusia e Mënshengladbahut, e cila është në vendin e 16-të, por vetëm 7 pikë pas nesh."
Në vijim, mesfushori shqiptar ka shtuar: "Tanimë ne do të përqendrohemi te ndeshja në fushën tonë kundër Volfsburgut dhe unë shpresoj që stadiumi të jetë i mbushur plot e përplot nga tifozët tanë, sepse ata janë të rëndësishëm për ecurinë e kësaj skuadre." Hanoveri i Altin Lalës renditet në vendin e tetë, me 26 pikë, ndërsa mesfushori është midis 23 lojtarëve të grumbulluar nga trajneri i Kombëtares kuqezi, Oto Baric, për ndeshjen e së mërkurës kundër Maqedonisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›