Njukasëll Xhets në finale, Labinot Haliti në tribunë

Albania-Sport - Kandidati për të veshur fanellën kuqezi, kosovari me banim në Australi, Labinot Haliti, vazhdon të mos gëzojë formën e mirë dhe mbështetjen e trajnerit të tij, ndonëse skuadra e tij, Njukasëll Xhets, ka arritur në finale të kampionatit australian të futbollit, "A-League". Skuadra e Halitit është mundur në ndeshjen e parë, të zhvilluar më 26 janar 2006 kundër FC Sidnejit, me rezultatin 2-1, por ka arritur të fitojë me rezultatin 2-0 në fushën e vet të shtunën dhe është kualifikuar për në finale, ku do të përballet me FC Adelajde Junajtid.
Në fakt, mbrojtësi kosovar, i cili është grumbulluar për t'u provuar edhe nga trajneri i Shpresave, Artan Bushati, ka luajtur vetëm në 7 ndeshje këtë sezon, në 3 prej të cilave ka qenë titullar, ndërsa në 4 të tjerat zëvendësues, për një total prej 322 minutash, gjatë cilava ka goditur 7 herë portën kundërshtare, por vetëm 4 prej tyre kanë qenë në kuadrat, gjithsesi, pa arritur të shënojë asnjë gol.
Në sondazhin e organizuar nga faqja sportive shqiptare në Internet, www.talentet.com, mbrojtësi kosovar u vlerësua si talenti shqiptar për vitin 2006, duke marrë 18 % të votave, i ndjekur nga afër nga kosovari me pasaportë finalndeze, Përparim Hetemaj, ndërsa në vendin e tretë u rendit Jahmir Hyka, i cili tashmë ka firmosur për Olimpiakosit, me 15 % të votave.