Haxhi, një gol për të futur Ergotelisin në rrugën e fitores

Albania-Sport - Altin Haxhi ka shënuar një tjetër gol për skuadrën e tij të Ergotelisit, e cila ka korrur të dielën një fitore të rëndësishme në Kretë kundër OFI-t vendas, duke triumfuar me rezultatin 3-1. dhe ka qenë pikërisht goli i mesfushorit shqiptar ai që ka hapur rrugën e fitores për skuadrën e tij, i realizuar pas vetëm 15 minutash lojë.
Shtatë minuta më vonë, është Zhunjor që dyfishon epërsinë e miqve, të cilët vijojnë të kontrollojnë lojën dhe të administrojnë rezultatin, deri në 10 minutat e fundit të ndeshjes. Ndonëse Drulic shënoi në minutën e 80-të, duke shkurtuar largësinë e golave dhe duke ngjallur shpresën e vendasve, është Budimir që realizon për miqtë golin e tretë, duke vulosur kështu fitoren 3-1 të Ergotelisit.
Skuadra e mesfushorit shqiptar ngjitet kështu në kuotën e 23 pikëve, pas 20 javësh kampionat, duke mbajtur vendin e 11-të në renditje, ndërsa javën e ardhshme, të shtunën, më 10 shkurt 2007, pret në fushën e vet një kundërshtar të vështirë si AEK-un e Athinës. Altin Haxhi është midis 23 lojtarëve të grumbulluar nga trajneri i Kombëtares kuqezi, Oto Baric, për ndeshjen e së mërkurës kundër Maqedonisë.