E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kore raciste greke ndaj Sotir Ninit

Nga Athina, Marko Caka
Pas Edvin Muratit dhe Alban Bushit ka qenë radha e futbollistit Sotir Nini që të bjerë pre e sulmeve raciste të tifozëve grekë. Pa nisur mirë karrierën sportive futbollisti i lindur në Shqipëri është gjetur përballë një sulmi racist grek gjatë ndeshjes javës se 19-të PAOK-Panathinaikos. Sapo Nini ka prekur topin në minutën e 3-të në shkallet e stadiumit "Tuba" të Selanikut kanë vërshuar breshëritë e monedhave dhe shisheve plastike ndaj lojtarit. Madje parullat raciste ndaj futbollistit shqiptar kanë filluar dhe nuk pushuar deri ne fund të ndeshjes. Të gjitha mediat greke i janë referuar me tituj të mëdhenj ngjarjes, duke dënuar gjestet raciste të tifozëve grekë dhe duke i cilësuar si një turp për të gjithë kombin grek. Titujt Gazeta greke "Gooal news" e niste numrin e djeshëm me titullin "Parulla Antikombëtare dhe shishe ndaj Ninit". "Për disa ai nuk ka të drejtë të shpalosë talentin futbollistik dhe këta janë vetëm disa grekë", - vazhdon në komentin e saj gazeta "Gooal news". Ndërkaq, parrulla raciste "Shqiptar, shqiptar nuk do të bëhesh grek kurrë" nuk ka pushuar gjatë gjithë ndeshjes në shkallet e stadiumit të "Tubës". Sipas gazetës së madhe "Gooal" tifozët janë acaruar më tepër në minuten 14-të në kohën që futbollisti shqiptar po gjuante një goditje nga këndi dhe në këmbët e tij kanë vërshuar monedha dhe shishe plastike, duke bërë që gjyqtari anësor Tyflon Cahelidhi të ndërpresë lojën për disa minuta. Por reagimi i tifozëve ka filluar të bëhej edhe më i ashpër duke ofenduar Sotir Ninin dhe origjinën e tij "Fige apo dho re Kolo-alavane" (Ik nga këtu more bythë shqiptari). Gjatë kësaj kohe për t'iu shmangur një episodi të vërtetë u desh që Sotir Nini të shoqërohej nga kapiteni i PAOK-ut dhe ish-kampioni i Evropës, Theodhori Zagorakis, ndërsa tifozët i ishin afruar kangjellave duke e sharë dhe pështyrë me fjalë nga më raciste. Gazeta "Athlitiko Iho" shkruan: "Turp me sulme raciste të tifozëve grekë ndaj Ninit". Kështu e nis komentin e saj e përditshmja sportive, duke dënuar aktet raciste që ndodhën në fushat greke, ndaj futbollistëve të huaj, teksa këtë radhë viktimë e tyre ka rënë futbollisti i Panathinaikosit, Sotir Nini. "Vrer dhe parulla raciste janë hedhur në fushë ndaj talentit shqiptar Sotir Nini", - i komenton veprimin antisportiv dhe racist gazeta ‚"Athlitiko Iho". Për Himarën Në komentin e gazetë "Athlitiko Iho" theksohet se për grekë duhet ta dinë se vorio-epirotët e Himarës nuk janë grekë. "Duke qenë se janë të lindur në Shqipëri, ata janë vetëm shqiptarë. Ky është turpi i grekëve kur talenti Sotir Nini po bën përpjekje për t'u helenizuar dhe të pajiset me pasaporte, disa po hedhin baltë mbi origjinën e tij, duke mos njohur talentin e pasur që ka". Për talentin Gazeta greke "Sportime" shkruan me germa të mëdha në faqe të parë "Tuba, tuba Vietnam, Turp!" dhe vazhdon më tej: "të papranueshme parullat raciste ndaj Ninit duke rënë përsëri viktimë e racizmit, ndërkohë që fubollisti është një talent i rrallë i futbollit grek dhe nuk e meriton që të sillen në një mënyrë të tillë duke turpëruar dhe Greqinë". Skeda personale Emri: Sotir Nini Datëlindja: 3 prill 1990 Vendlindja: Himarë, Shqipëri Gjatësia: 1.73 m Kombësia: Shqiptare Pozicioni: Mesfushor i djathtë Klubi aktual: Panathinaikos FC Klubet e mëparshme: Apollon Smyrna Si profesionist nga: dhjetor 2006

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›